Kryeministri e shkarkoi drejtoreshën e ARRSH që para 5 ditësh, por Qato sot e zyrtarizoi “dorëheqjen” duke akuzuar oligarkun Gjoka. Fillimi i hetimit administrativ për firmën “Gjoka” për paraqitjen e të dhënave fiktive të punimeve në “Rrugën e Arbrit”, me qëllim fitimin e tenderit të tunelit Kardhiq-Delvinë, solli rrëzimin e drejtoreshës së rrugëve. Gaz Demi dhe krushku i tij Rrok Gjoka kanë hapur shampanjën te lokali “Juna”, për të festuar largimin e Qatos nga detyra. Ndërsa Rama, i cili nuk u reziston oligarkëve, sakrifikon bashkëpunëtorët
Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato ka dhënë dorëheqjen nga detyra, gati nëntë muaj pas emërimit në këtë post nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Arsyeja e dorëheqjes së saj ka qënë përplasja me Rrok Gjokën, oligarkun klient të Ramës i cili ka marrë me koncesion në vlerën e 360 milionë euro Rrugën e Arbërit, ka marrë bashkë me nipin e tij Ndue Kola me koncesion rrugën Milot-Balldren me vlerë afër 300 milionë euro dhe deshi të merrte dhe tunelin Kardhiq-Delvinë me vlerë 64 milionë euro.
Me anë të një postimi në rrjetin social, Qato u shpreh shpreh se ky vendim vjen pas akuzave të një kompanie lidhur me një procedurë, e cil sipas ish-drejtoreshës është plotësisht të drejtë dhe ligjore. Qato tha se kjo situatë i ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën.
“Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike e nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme e projektet infrastrukturore”, shkruan Qato.
Menjeherë pas dorëheqjes së Qatos, e cila u bë “kurban” i Rrok Gjokës nga ana e kryeministrit Edi Rama, mësohet se Gaz Demi dhe krushku i tij Rrok kanë hapur shampanjën te lokali “Juna”, për të festuar largimin nga detyra të Drejtoreshës së Rrugëve.
Themi se janë krushq pasi mbesa e Gaz Demit është martuar me Erind Gjokën, djalin e Rrok Gjokës dhe pikërisht këtu e ka zanafillën dhe koncesioni për “Rrugën e Arbërit” dhe të 360 milionë eurot e saj kanë kaluar “brenda familjes”.
Rama ka treguar qartë se nuk u reziston dot oligarkëve sa është në gjendje të sakrifikojë dhe kamikazet e tij, vetëm që të mos preken klientët e tij, që i japin pjesën nga koncesionet.
E vërteta është se Sonila Qato është shkarkuar para pesë ditësh, por sot është paraqitur si dorëheqje, pasi qëllonte shumë afër anulimit të tenderit të tunelit Kardhiq-Delvinë.
Nëpër koridoret e kryeministrisë, Qato akuzohet se nuk kishte kopsitur mirë dosjen e firmës fituese dhe teksa ka bërë ndërhyrje në data dhe afatet, ‘s’luajti’ me “Gjokën” që të ishte brenda.
Për më tepër “rrjedhja” e informacionit në media për falsifikimet e punimeve në “Rrugën e Arbërit” nga Rrok Gjoka, ishin ato që sollën zemërimin e Ramës që e shkarkoi në vend Qaton.
Gjithçka nisi teksa “Gjoka” është shpërndarë si “vaji në lakra” me ndihmën e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka quajtur të kryer dhe fitimin e tenderit të tunelit Kardhiq-Delvinë, bashkë me një grup kompanish, njëra prej të cilave mbikqyr punimet e Rrugës së Arbërit.
Por Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese kompaninë italiane “Ircop” s.p.a., një konsorcium me tre kompani të tjera shqiptare, e cila kishte vlerën më të lartë, pasi në fund të herës shteti shqiptar do të paguante 64 milionë euro.
Sipas ARRSH tenderët që përfundojnë me oferta fituese fare pranë fondit limit ose shumë larg fondit limit, klasifikohen automatikisht si tenderë të dyshimtë për marrëveshje mes prokuruesit e fituesit të tenderit, për shkak se probabiliteti matematikor është pothuajse i pamundur.
ARRSH dha një listë me argumente për arsyet e skualifikimit të ofertave më të ulëta, përfshirë atë të kompanive “Gjoka”, “Cobial” dhe “GR Albania”, kjo e fundit mbikqyrëse e punimeve të rrugës së Arbërit që ndërtohet nga Rrok Gjoka, por të gjitha argumentet e saj nuk mjaftuan. “Gjoka” u ankua në Komisionin e Prokurimeve Publike, një institucion tjetër mbikëqyrës, i cili hodhi poshtë pretendimet e ARRSH dhe urdhëroi këtë të fundit të tërheqë vendimin e skualifikimit të ofertuesve më të ulët.
Menjëherë erdhi reagimi i fortë i Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili kërkon nisjen e një hetimi administrativ për kompaninë “Gjoka Construction” e cila po kryen punimet për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”.
Sipas ARRSH kjo firmë paraqiti të dhëna fiktive në përpjekje për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë, që është ‘loti 7’ dhe që u anulua nga Belinda Balluku.
Firma në fjalë për të dëshmuar plotësimin e kriterit të eksperiencës në punë të ngjashme paraqiti një dokumentacion që përmban informacion të rremë, lidhur me ndërtimin e tuneleve të “Rrugës së Arbrit” duke deklaruar se i ka përfunduar, por në fakt puna ende vijon.
Nga kontrolli rezultoi se punimet e marra përsipër nga firma “Gjoka” nuk kanë përfunduar sipas kontratës, pasi ende vijojnë ndërtimet e tuneleve dhe se nuk janë në standardet e kërkuara dhe të parashikuara në kontratë.
“Punimet nuk kanë përfunduar sipas kontratës. Ka zëra punimesh që janë pasqyruar si të përfunduar, por në fat puna vijon. Të dhënat e paraqitura nga firma ‘Gjoka’ janë fiktive dhe jo reale dhe nuk përputhen me punimet e kryera në terren.
Tunelet në ndërtim quhen të papërfunduara prandaj kërkojmë fillimin e një procedure hetimi administrativ lidhur me informacionin e rremë që paraqiti “Gjoka Construction”, thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur nga ARRSH në 12 shtator, që kërkon nisjen e hetimit administrativ.
Gjithçka nisi në në korrik të vitit të kaluar, kur “Gjoka” hapi kantierin e punimeve ndërsa në 28 dhjetor 2018, ose më pak se gjashtë muaj pas nisjes së punimeve, deklaroi se ka kryer më shumë se sa 25% të volumit të punimeve.
Kryerja e këtyre punimeve u konfirmua nga mbikëqyrësit e projektit, GR Albania dhe GAUFF Gmbh ndërsa në janar, qeveria disbursoi pagesën e parë prej 2.5 miliardë lekësh.
Shpejtësia e punimeve të Gjokës në këtë segment rrugor u lavdërua në mënyrë të përsëritur nga kryeministri Edi Rama, i cili gjendet nën akuzë se përmes kontratave të tilla koncesionare po shpërdoron fondet publike.
Por afro nëntë muaj më vonë, një dokument i rrjedhur në media nga Autoriteti Rrugor Shqiptar sugjeron se “Gjoka” manipuluar ecurinë e punimeve në tre nga gjashtë tunelet e rrugës së Arbrit, me synimin për të plotësuar kriteret për fitimin e tenderit për “lotin 7” të rrugës Kardhiq-Delvinë.
Ish drejtoresha e ARRSH tashmë, Sonila Qato, e ka konfirmuar vërtetësinë e dokumentit të publikuar në media, duke lënë për të kuptuar se kësaj çështjeje do t’i shkonte deri në fund.
Akuzat e ndërsjellëta mes ARRSH dhe Gjokës duken të rënda. Falsifikimi i situatës së punimeve në Rrugën e Arbrit dhe rrjedhimisht, i dokumenteve të tenderit në rrugën Kardhiq-Delvinë, siç pretendon ARRSH se ka bërë “Gjoka Konstruksion”, përbën vepër penale.
Megjithë akuzat dhe kundërakuzat për vepra penale midis kontraktorit e Autoritetit të Rrugëve, duket se nuk e kanë trazuara prokurorinë, e cila deri tani nuk ka dhënë një sinjal të qartë për hapjen e një procedimi penal që do të ndihmonte për të hedhur dritë mbi të vërteten.
Kjo përplasje e fortë për falsifikime dokumentash por dhe elementë të tjerë në shkelje të ligjit, nuk kanë sjellë asnjë hetim penal nga organet ligjzbatuese, por u “shkarkuan” me dorëheqjen e drejtoreshës së ARRSH Sonila Qato. Rrok Gjoka fitoi mbi Qaton, dhe ky është një skandal, pasi një mashtrues e falsifikues “mund” me paligjshmëri, një funksionar shteti me ndihmën e shtetit./Pamfleti