Aktualitet16 Korrik 2018, 21:21

Opozita në kërkim të një kryeministri ‘hije’, më 2001 Sali Berisha projektoi Ritvan Boden për të shmangur akuzat ndaj

Shkruar nga Pamfleti
Opozita në kërkim të një kryeministri ‘hije’,

Ndonëse nuk ka qënë fiksuar në statutin e partive politike, kryetari i saj në të gjitha zgjedhjet është anancuar ose për kryeministër ose për President i Republikës. Kur po bëhej fushata e zgjedhjeve të 31 marsit 1991, dhe ato të 22 marsit 1992 të gjithë e dinin se president i Republikës do të bëhej ose Ramiz Alia kreu i PPSH ose Sali Berisha kreu i PDSH.

Në zgjedhjet e marsit 1991 PPSH fitoi zgjedhjet dhe President i Republikës u bë Ramiz Alia kreu i PPSH, i cili vetëm një vit më vonë dha dorëheqjen për t’u larguar nga politika dhe për të bërë dhe vitet e burgut për atë që quhet “gjyqi i kafeve”.

President i vendit u zgjodh Sali Berisha, i cili erdhi në pushtet në zgjedhjet e 22 marsit kur për herë të parë pas 45 vitesh fitoi një parti opozitare në zgjedhje, Partia Demokratike. Sali Berisha vetëm për të përsëritur një mandat të dytë presidencial, në zgjedhjet e 26 majit 1996 në kulmin e aktivitetit të firmave mashtruese piramidale, me financimin e tyre por dhe me mbështetjen e gjithë makinerisë shtetërore, vodhi votat, dhunoi dhe dëboi nga zgjedhjet opozitën.

Në zgjedhjet e parakohëshme të vitit 1997, ku shteti u rrëzua në marsin e tmerrshëm 1997, me kryetarin Fatos Nano në burg të gjithë e dinin se Presiden i vendit do të ishte Rexhep Meidani, ish sekretari i përgjithshëm i PS që drejtoi fushatën.

Fatos Nano u bë për një vit kryeministër, për t’u rrëzuar nga grushti i shtetit i Berishës më 14 shtator 1998 dhe në vend të tij zunë vend Pandeli Majko dhe pastaj Ilir Meta. Në zgjedhjet e vitit 2001, kur kryeministër ishte Ilir Meta u vu re një risi. Fatos Nano kërkonte postin e Presidentit ndaj bëri gjithë atë luftë për të marrë mbi 85 vota si PS bashkë me aleatët, edhe përmes “Dushkut” të famshëm.

Ndërkohë që Ilir Meta kërkonte të vijonte dhe vijoi për një vit në postin e kryeministrit, por meqënëse la Nanon përmes aleancave fluide pa post Presidenti, u detyrua të largohej më pas nga “katharsisi” i vetë Nanos. Ndërkohë Sali Berisha anancoi si kandidat për Kryeministër ish ministrin e Financave të qeverisjes së parë të PD, Ritvan Boden. Njeriun që paralajmëroi vetëm njëherë mbi rrezikun e firmave mashtruese piramidale.

Ambienti politik, gazetaresk dhe brenda PD u habit asokohe me këtë vendim të Berishës për të nxjerrë Boden si ‘violinë’ të parë për të bërë fushatë si kryeministër i ardhshëm. Kjo përzgjedhje të Berishës ishte e mirëmenduar, pasi PD dhe aleatët nuk kishin asnjë shans për të fituar zgjedhjet, ndaj Berisha kërkoi të shmangë përgjegjësinë e humbjes përballë PS.

Në zgjedhjet e vitit 2005 nuk ka asnjë histori as për kandidatin në hije për kryeministër për të dyja palët.
Sali Berisha ishte kryeministri ‘hije’ për PD dhe opozitën, ndërsa Fatos Nano për PS dhe mazhorancën e majtë. Berisha u bë kryeministër i vendit, ndërsa Fatos Nano dha dorëheqjen si kryetar i PS pavarësisht se tentoi dy herë më pas të bëhej President, por as PS nuk e mbështeti.

Po ashtu dhe në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2013, Sali Berisha ishte kandidat për kryeministër për mazhorancën e djathtë tashmë, ndërsa Edi Rama ishte kandidat për kryeministër për opozitën e majtë. Berisha mori dhe një mandat si kryeministër, për ta lënë në mënyrë të turpshme në zgjedhjet e qershorit 2013, ku dhe dha dorëheqjen si kryetar i PD.

Ndërkohë që dhe në zgjedhjet ne 25 qershorit 2017, PS kishte kandidat për kryeministër kreun e saj Edi Rama, ndërsa opozita kishte kreun e PD Lulzim Basha. Fati i tyre dihet, po e jetojmë. Por situata për zgjedhjet parlamentare të radhës është ndryshe në kampin e djathtë politik, për shkak të pasigurisë totale të fitimit të zgjedhjeve nga Lulzim Basha.

Ndaj opozita është në kërkim të një kandidati për kryeministër “hije” të cilit t’i faturohet ndoshta humbja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, përballë PS dhe të majtës. Lulzim Basha është në qendër të goditjes të kritikëve brenda PD por dhe demokratëve në përgjithësi se nuk frymëzon për të sjellë PD në pushtet.

Në këtë këndvështrim Lulzim Basha po mendon rikthimin e precedentit të vitit 2001 kur Sali Berisha nuk mori përsipër që në fushatë të prezantohej si kandidati për kryeministër, por këtë barrë ia la Ritvan Bodes. Dhe Basha po kërkon ta heqë nga vetja përgjegjësinë e humbjes, për të vijuar në krye të PD pa probleme dhe për të pritur kur Rama të bjerë nga pushteti.

Kreu i PD, ndonëse me dhimbje, sëpaku për të provuar shansin në fushatë po kërkon një kryeministër ‘hije’ për zgjedhjet e ardhshme, por që askush jo vetëm nuk përmbush kriteret por nuk pranon të marrë përsipër barrën e humbjes së pritshme. Për të parë tek aleati Monika Kryemadhi si një kandidat të mundshëm për kryeministër “hije”, jo vetëm që Basha nuk ka besim, por dhe humbja me Monikën dhe LSI do të ishte akoma më e garantuar. Pasi qytetarët janë të bindur që dhe një ministër i LSI në qeverisje bën namin me vjedhje, jo më të ketë dhe kryeministrin, vendi shndërrohet në “varrezë”.

PD është në dilema të mëdha, pasi jo vetëm që ka kryetarin më të papërshtatshmin për kandidat për kryeministër, por nuk gjen dot asnjë kryeministër “hije” për të bindur elektoratin për t’i dhënë votën PD.
Një situatë e frikshme dhe e pashpresë, pasi po u lë shqiptarëve për shumë vite në kurriz qeverisjen pa u trazuar të Edi Ramës dhe njerëzve të tij./Pamfleti

Kryesore