Aktualitet22 Shtator 2018, 14:24

Opozita nga hotelet, si i “pavendosuri” që as të shtrëngon dhe as të lëshon

Shkruar nga Pamfleti
Opozita nga hotelet, si i “pavendosuri” që as të

Opozita nga hotelet, si i “pavendosuri” që as të shtrëngon dhe as të lëshon

As burrë, as grua. As jashtë, as brenda. As i hyrë, as i dalë nga parlamenti.

Shkruan Lorenc Vangjeli

Fiks në të njëjtën kohë, socialistët bëjnë rutinën parlamentare votojnë ligjet, ndër ta edhe ligjin shumë të kontestuar për teatrin, pa dëgjuar një “plaç” nga kundërshtarët.

Eshtë e qartë se shumicës i intereson një gjë e tillë. Mungesa e Bashës, Kryemadhit dhe të tjerëve në parlament, i jep kryeministrit më pak kokëçarrje, tension e bezdi dhe në këmbim, monologjet e tij të gjata kanë më pak grintë. Dialogu me karriget bosh do të mërziste këdo dhe me një palë të vetme në lojë, hapësira për dramë parlamentare dhe replika politike është fare minimale.

Por ky është problemi më i vogël. Problemi i vërtetë është sesa i intereson vërtet opozitës, por dhe vendit në përgjithësi, madje edhe vetë qeverisjes ky vetëpërjashtim vullnetar i saj nga parlamenti. Sa vlen zhvendosja nga salla e seancave, në holle hotelesh, ku me gjasë, në katet e sipërm të tyre, bujtësit bëjnë çfarë bëhet në hotele.

Ky parabojkot është një strategji e opozitës dhe një zgjedhje e saj. Por ngjan e çuditshme dhe e pashpjegueshme një strategji e tillë që rrudh mesazhin që ajo jep, e cungon atë, e denatyron dhe mbi të gjitha, i le të lirë fushën e kundërshtarit. Këtu nuk bëhet fjalë për faktin se secili nga të munguarit e të enjteve në seancë plenare, në të vërtetë nuk ka shkuar në punë. Që nuk po kryen punën për të cilën është votuar dhe paguhet. Edhe pse shumica e 140 grave dhe burrave në parlament, as nuk dinë të punojnë dhe as nuk dinë se pse janë në parlament, sërish, për formë dhe përmbajtje, ata duhet të jenë aty.

Eshtë e pashpjegueshme se pse opozita nuk zgjedh t’i bëjë takimet e saj, fjala vjen, të mërkurën apo të premten dhe të enjten e parlamentit të jetë në sallë dhe të ndeshet me fjalë me pushtetin. Eshtë i pashpjegueshëm ngazëllimi dhe gara absurde e audiencave në të cilën opozita ka futur veten: “Kë ndjekin më shumë shqiptarët kur transmetohet live, parlamentin apo hollet e hoteleve?”

Ka një shpjegim tjetër që ndoshta e sqaron një gjë të tillë dhe kjo ka të bëjë me dilemën e opozitës. Kjo dilemë është dekoduar në mënyrë të shkëlqyer nga ish-kryeministri Berisha, i cili në rikthimin e tij tek Fevziu tha: …me Edi Ramën kryeministër, opozita nuk vjen kurrë në pushtet!” Kjo bindje që nuk është vetëm e Doktorit, por dhe e gjithë trupës opozitare, nuk është gjë e re. Kështu ka thënë Berisha edhe në vitin 2004 kur përgatitej të garonte me Fatos Nanon. Kështu thoshte Edi Rama në 2013-ën kur priste me ankth ballafaqimin elektoral me Sali Berishën.

Kjo pasiguri e shoqëroi Bashën katër vjet më pas, në 2017-ën, kur përpara përplasjes me çadër dhe vota  me Ramën, ndryshe nga paraardhësit, preferoi të bëjë një copë udhë pushteti bashkë me të.

Gjithmonë e njëjta frikë, si letër e kaluar në të njëjtin shaptilograf, me ndryshim të vetëm, zbehjen e kontrasteve.

Të gjitha opozitat kanë pasur tradicionalisht frikë se pushteti do të deformonte vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Të gjithë pushtetet në Shqiupëri kanë deformuar vullnetin elektoral të votuesve shqiptarë. Për ta trembur dhe luftuar këtë lloj frike reale, ka shërbyer ndër të tjera, edhe marëdhënia e kushtëzuar me parlamentin e opozitës së rradhës. Edhe në këtë sesion nuk ndryshon gjë nga e shkuara. Përveç faktit që opozita ende është e paqartë në dilemën e saj se çfarë do të bëjë me praninë e saj në Kuvend. Linja e ashpër, zëri kryesor i të cilit është Sali Berisha, kanë folur deri për djegie të mandateve, por kjo nuk është bërë ende linjë zyrtare. Shumica e heshtur e deputetëve, dhe këtu hyn vërtet shumica e pakicës opozitare, nuk e do bojkotin e plotë e përfundimtar të parlamentit.

Një “trill” i hartuesit të listës së PD-së apo një lloj listëpagese, siç e konsiderojnë grupin e PD-së, kritikët e Bashës, e ka çuar atë shumicë në Kuvend pa pasur asnjë lloj lidhjeje me politikën, qoftë si profesion, qoftë si vokacion. Kjo shumicë, por dhe frika nga e panjohura e ka detyruar Lulzim Bashën të gjejë një zgjidhje të ndërmjetme. As burrë, as grua. As jashtë, as brenda. As i hyrë, as i dalë nga parlamenti. Kjo është në fakt zgjidhje më e keqe edhe se prania, edhe se bojkoti i kuvendit. Sepse kështu opozita dëshmon pavendosmërinë e asaj kategorie që përshkruhet nga fjala proverbiale që ironizon të pavendosurin. Tipin e politikanit që as nuk të shtrëngon dhe as nuk të lëshon!

Forum Lorenc Vangjeli opozita