Anti-Mafia18 Tetor 2018, 13:18

Organet ligjzbatuese gjermane marrin dosjen e plotë të Kuliçajt, Llallës dhe Hajdarmatajt për dy ngarkesat me 613 kg e 90 k

Shkruar nga Pamfleti
Organet ligjzbatuese gjermane marrin dosjen e plotë të

Organet ligjzbatuese gjermane marrin dosjen e plotë të Kuliçajt, Llallës dhe Hajdarmatajt për dy ngarkesat me 613 kg e 90 kg kokainë kolumbiane

Me arrestimin e pronarit të “Arbër Carden” në Gjermani dhe refuzimit të ekstradimit të tij në Shqipëri, ka shtuar fluksin e vizitave të organeve ligjzbatuese gjermane në Tiranë. Marrëveshja për hetime të përbashkëta do të sjellë dhe zbardhjen e skemës së garancisë që Prokuroria e Llallës dhe e Hajdarmatajt kishin dhënë për trafikun e kokainës përmes kompanisë së bananeve të njeriut të tyre dhe rrugët e këtij trafiku. Së shpejti “treshja” e kokainës pritet të dalë para drejtësisë, duke zbuluar dhe kupolën e trafikut në Shqipëri

Një fluks i madh zyrtarësh të lartë gjermanë, që kryesojnë sigurinë dhe luftën kundër krimit, trafikut të drogës dhe terrorizmit, kanë vizituar Shqipërinë.

Në fillim të tetorit ishte Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë, Stephan Mayer, i cili në takim me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj vuri theksin te bashkëpunimi në të gjithë sektorët e antikrimit dhe antitrafikut me qeverinë shqiptare.

Dje dhe sot në Tiranë ka qënë Drejtori i Policisë gjermane Dieter Romann, për një vizitë dyditore. Edhe ai është takuar me ministrin e Brendshëm shqiptar, Fatmir Xhafaj dhe në qendër të bisedimeve ka qënë aksioni i përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Madje është arritur një marrëveshje për hetime të përbashkëta për kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të grupeve dhe elementëve kriminalë, si dhe vendosjen shumë shpejt në Shqipëri të një këshilltari gjerman për çështjet strategjike policore. I cili sipas Romann, do të bëjë të mundur koordinimin e të gjithë asistencës ligjore dhe teknike në terma afatgjatë.

Por përtej anës zyrtare, që nuk është e paktë, pala gjermane në këto “mësymje” të shpeshta të organeve ligjzbatuese të saj në nivelet më të larta, drejt Shqipërisë, ka pasur e ka dhe disa pikësynime konkrete dhe të qarta.

Në krye të herës në Gjermani është arrestuar pronari i “Arbër Carden”, kompanisë së “bananeve” Arbër Kuliçi (Çekaj) i akuzuar dhe nga pala shqiptare si njeriu që ka lëvizur me kontenierët e tij mbi 613 kilogramë kokainë kolumbiane.

Kjo sasi tepër e madhe droge u ndalua dhe u sekuestrua në portin e Durrësit, ndërkohë që në pranga ranë dy persona, shoferi dhe menaxheri i kompanisë.

Ndërsa pronari i kontenierëve Kuliçi i vogël, i cili u lajmërua para se të bëhej aksioni nga njerëzit e tij me lidhje brenda policisë, u largua jashtë vendit për në Gjermani, ku dhe u arrestua më vonë nga policia gjermane.

Pavarësisht se Prokuroria shqiptare teksa ka filluar hetimin për trafik droge për Arbër Kuliçin kërkoi ekstradimin nga Gjermania, organet ligjzbatuese gjermane nuk pranuan ta kthenin në Shqipëri. Pala gjermane e ka filluar vetë hetimin për të zbuluar kush fshihet pas Kuliçit në këtë trafik kokaine të përmasave të mëdha.

Pas fillimit të hetimit nga ana e organeve ligjzbatuese gjermane për Kuliçin e vogël të kokainës kolumbiane, u shtuan vizitat e zyrtarëve të lartë policorë dhe të hetimit gjerman në Shqipëri.

Burime zyrtare bëjnë me dije se pala gjermane ka kërkuar dosjen e plotë të Arbër Kuliçit dhe të lidhjeve të tij me elementë kriminale në pushtet apo në qeverisjen e kaluar, si dhe fijet e lidhjes me organet ligjzbatuese që kanë mundur ta lënë kaq gjatë në tregun e vështirë të trafikut të kokainës.

Pjesë e e dosjes së kërkuar nga gjermanët për Kuliçin është dhe sasia prej 90 kilogramë kokainë e gjetur po në kontenierët e “bananeve” të pronarit të “Arbër Carden” në dhjetor të vitit 2015.

Asokohe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ishte sjellë një material nga ana e Policisë së Shtetit, sipas të cilit në portin e Durrësit ishte kapur një kontenier me banane, brenda të cilit, me dyshemenë e modifikuar, u gjetën 90 kiliogramë kokainë që vinte nga Kolumbia.

Kontenieri vinte për llogari të kompanisë së Arbër Kuliçit (Çekajt) dhe materiali u regjistrua në prokurori me numër protokolli 12041 dhe 12041/1 për këtë vepër penale.

Në atë kohë numri dy i Krimeve të Rënda ishte Besim Hajdarmataj, i emëruar nga ish Kryeprokurori Adriatik Llalla, si njeriu i tij i besuar dhe me perspektivë në organin e akuzës.

Këtu fillon skenari i lidhjes direkte të krimit me hetimin e Krimeve të Rënda, ku Kuliçi i vogël pretendoi në atë kohë se kishte porositur dhe priste në port banane dhe jo kokainë.

Hajdarmataj e pezulloi hetimin dhe e mbylli në arkivë me firmën e tij, duke liruar nga akuza Kuliçin me argumentin se “kolumbianët kishin mashtruar, pasi nuk kishin sjellë materialet e porositura, që ishin bananet”.

Menjëherë pas pezullimit të këtyre hetimeve për Kuliçin, Besim Hajdarmataj “gradohet” kreu i Krimeve të Rënda nga ana e kryeprokurorit Adriatik Llalla në atë kohë, duke qënë dhe njeriu më i besuar në Prokurori dhe i specializuar për mbyllje dosjesh, i ish kryeprokurorit.

Ndërkohë që hetimet më vonë nxorën në dritë të diellit faktin se ish kryeprokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj kishte njohje dhe lidhje familjare me biznesmenin Kuliçi, prandaj hetimi ndaj tij u pezullua me shpejtësi, duke u mbyllur çështja.

Ndalimi dhe sekuestrimi i mbi 613 kiliogramë kokainë nga Kolumbia që kishte ardhur në Shqipëri po përmes kompanisë së Arbër Kuliçit, dhe dëshira e shprehur nga ish kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj për ta hetuar ai, nxori në pah skemën mafioze të trafikut e garancinë që jepte prokuroria e Llallës për kalimin pa probleme në Shqipëri dhe pastaj për të “përmbytur” vendet e BE me kokainë kolumbiane.

Ku skema e garancisë së Llallës përmes Hajdarmatajt për trafikun e kokainës nga Kolumbia, ishte e bazuar tek transporti i drogës përmes një kompanie e cila nuk mban përgjegjësi për mallrat e tjera, përpos bananeve që ka porositur dhe që i pret të vijnë në portin e Durrësit.

Duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për kokainën që transportohej nga Kolumbia në Durrës.

Por kryeprokurorja e re Arta Marku zbardhi skenarin dhe e shmangu atë, duke emëruar një prokuror tjetër të merrej me hetimin e këtij trafiku dhe nxori zbuluar Hajdarmatajn dhe pas tij Llallën, që merreshin me mbulimin e trafikut të drogës.

Pikërisht dosjen trafikut të 90 kg dhe mbi 613 kg kokainë kolumbiane, dhe skenarit ku kanë qënë të involvuar Besim Hajdarmataj dhe pas tij Adriatik Llalla, ka kërkuar dhe marrë pala gjermane, për ta bashkuar me dosjen e Kuliçit të vogël.

Qëllimi i këtij hetimi të zgjeruar nga ana e organeve ligjzbatuese gjermane është “deshifrimi” i tërë skemës së trafikut të kokainës nga Kolumbia në Durrës, dhe më pas në vendet e BE.

Ndaj nuk u ekstradua Arbër Kuliçi në Shqipëri, ndaj do të ketë hetime të përbashkëta mes organeve ligjzbatuese gjermane dhe shqiptare, ndaj dhe dosja do të jetë e përbashkët dhe e plotë.

Së shpejti pritet që Llalla, Hajdarmataj dhe Kuliçi i vogël të shkojnë para drejtësisë, bashkë me anëtarët reale të kupolës së trafikut të drogës së fortë që do të nxjerrin gjatë hetimit.

Gjermanët kanë treguar se janë të vendosur për t’u shkuar gjërave deri në fund, për fatin tonë./Pamfleti

 

 

Anti-Mafia Adriatik Llalla Besim Hajdarmataj Organet ligjzbatuese gjermane marrin dosjen e plotë të Kuliçajt