Kosova 1 Tetor 2022, 14:11

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Foto ilustrim

Interesimi për zëvendësimin e targave ilegale në ato RKS nuk po shihet të jetë shumë i madh që nga hyrja në fuqi e vendimit më 1 shtator për ndërrimin e tyre.

Kanë mbetur edhe një muaj kohë për qytetarët që t’i konvertojnë në RKS këto targa të automjeteve të lëshuara nga Serbia, por deri tani vetën nëntë vetura e kanë bërë konvertimin e targave të tyre.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

“Numri i regjistrimit të veturave konform vendimit të qeverisë deri me sot ka arritur në nëntë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas MPB-së kosovare, për qytetarët që nuk i kthejnë targat në RKS para 31 tetorit, nuk do të lejohet qarkullimi në territorin e Republikës së Kosovës.

“Pas datës 31.10.2022, siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikë kalimet kufitare”, është thënë nga MPB-ja.

Vendimi për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por është shtyrë për një muaj pas incidenteve që ndodhën në veri të vendit.

Ky vendim për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Prishtine qeveria e Kosovës reciprociteti i targave Targat ilegale

Kosova