Anti-Mafia16 Tetor 2019, 13:08

“Parajsa” koncesionare, Rama i jep Vilma Nushit të Check-up 6.5 milion euro për shërbime të pa kryera

Shkruar nga Pamfleti

“Parajsa” koncesionare, Rama i jep Vilma Nushit të Check-up 6.5 milion euro për shërbime të pa kryera

Kryeministri është kujdesur që Vilma të ketë një fitim të garantuar dhe pa oshilacione, pasi në kontratën koncesionare përcaktohet se është e mbrojtur nga humbja. Gjithë rriskun e merr përsipër shteti. KLSH ngre alarmin se në 4 vite, koncensionari i Check-up, sipas skenarit të pagesës për shërbime që nuk i ka realizuar, ka përfituar 801 milionë lekë të reja. Vilma nuk deklaron bilancet, ndërkohë që shfrytëzon me detyrim mjekët e shtetit për kontrollet

Nuk rreshtin së përfituari oligarkët klientë të Edi Ramës, nga “parajsat” koncesionare, duke marrë “qyl” miliona euro për punët e pa kryera.

Rasti më konkret është “dorovitja” e mikeshës së tij Vilma Nushi që ka marrë koncesionet në sistemin e shëndetësisë, pavarësisht se nuk ka pasur dhe madje nuk ka asnjë lidhje me to, përpos përfitimit të milionave pa u lodhur.

Rama është kujdesur që Vilma të ketë një fitim të garantuar dhe pa oshilacione, pasi në kontratën koncesionare, sikurse për të gjitha kontratat e tjera të koncesionit përmes PPP-ve, kompanitë fituese rezultojnë të mbrojtura nga humbja, dhe të gjithë rriskun e merr përsipër shteti.

Një rast flagrant është ai i koncesionit të Check-up të Vilma Nushit, si dhe kontrollit shëndetësor, ku kompania private është paguar dhe për shërbime që ajo nuk i ka realizuar, duke garantuar fitime të qëndrueshme për gjithë periudhën e koncesionit.

Marzhi i lartë i përfitimit sipas këtij skenari të mirëmenduar nga Rama dhe oligarkët e tij, në 4 vjet, që kur ka filluar aktivitetin koncesionari, llogaritet në 801 milionë lekë të reja, ose rreth 6.5 milionë euro. Një vlerësim të tillë e ka dhënë zyrtarisht Kontrolli i Lartë të Shtetit.

KLSH në raportin e buxhetit faktik 2018 ka konstatuar nga auditimi mbi monitorimin e kontratës së kontrollit bazë Check-up të dhënë me PPP, se edhe këtë vit nuk janë arritur parashikimet e kontratës, duke bërë që pagesat e marrë tepër nga koncesionari, për punën e pa kryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, të jenë tepër të larta.

E shprehur në gjuhën e shifrave kosto shtesë progresive, duke zbritur shpenzimet stabël, është 801 milion lekë. Pra, 241 milion lekë për shpenzimet variabël të kontrolleve të pa realizuara dhe 560 milion lekë TVSH-ja e faturuar e këtij shërbimi.

Ndërkohë që për vitin 2018, kjo kosto shtesë llogaritet për 168 milion lekë, 22 milion lekë për shpenzimet variabël të kontrolleve të pa realizuara dhe 146 milion lekë TVSH-ja e faturuar e këtij shërbimi. Një kosto tepër e lartë që hiqet në kurriz të shërbimit ndaj qytetarëve.

Ndërkohë që koncesionari i check-up, ndonëse shërbimet mjekësore janë të përjashtuara nga TVSH, rezulton që ka faturuar me TVSH, çka ka bërë që KLSH të konstatojë se në rastin e TVSH ka një mosveprim të unifikuar të disa institucioneve shtetërore, të cilat pasojnë përgjegjësitë nga njëri tek tjetri.

Për të ardhur tek shqetësimi real, KLSH evidenton faktin se sipas kontratës, kompania e Check- up e Vilma Nushit duhet të kryejë rreth 475 mijë kontrolle bazë në vit, që është dhe norma me mesatare për të cilat është rënë dakord me qeverinë.

Ndërkohë që, po sipas kontratës, dhe nëse nuk e plotëson numrin e përcaktuar të këtyre kontrolleve, diferenca e mbetur paguhet e gjitha nga shteti, duke e rënduar fiktivisht buxhetin.

Sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2017 janë kryer gjithsej 316,601 kontrolle bazë. Bazuar në rezultatin e planifikuar për kryerjen e kontrollit mjekësor bazë për periudhën janar-dhjetor 2017, kemi një realizim të këtij treguesi në rang vendi prej 67%.

Kompania që po zbaton kontratën koncesionare të check-up, “3P Life Logistic” merr rreth 876 milionë lekë pagesa  në vit për shërbimet që kryen. Kompania ka fituar koncesionin e Ofrimit të Shërbimit të Kontrollit Bazë, Check-Up, e cila është nënshkruar në vitin 2015 dhe afati i saj është 10 vjet. Vlera totale e saj ishte 8.7 miliardë lekë dhe deri në përfundim të saj, në vitin 2024, buxheti pritet të disbursojë edhe 5.2 miliardë lekë.

Koncesioni i kontrollit bazë Check-Up nëpërmjet kompanisë “3P LifeLogistic” realizoi në vitin 2018 të ardhura në masën 876 milionë lekë, teksa fitimet ishin rreth 90 milionë lekë ose 731 mijë euro, sipas të dhënave nga Tatimet, pasi kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc. Ndërsa për vitin 2017, fitimet e kompanisë ishin 750 mijë euro mbi 100 milionë lekë.

Pra Vilma Nushi me ndihmën e mikut të saj kryeministër ka përfituar miliona euro nga një punë që asnjëherë nuk e ka kaluar 70 përqindshin e realizimit, ndërkohë që u “thirr” për të marrë koncesionin e Check-Up vetëm një vit pas themelimit, kur ishte tërësisht “kothere”.

Për më tepër që me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, Vilma Nushi merr nën shërbim “gratis” për kontrollet në të gjithë vendin, stafin mjekësor, i cili ka për detyrë t’ju shërbejë qytetarëve dhe jo oligarkëve klientë të Ramës./Pamfleti

codramol
smile

Anti-Mafia “Parajsa” koncesionare Rama i jep Vilma Nushit të Check-up 6.5 milion euro për shërbime të pa kryera