Pas denoncimit të PD për Valdrin Pjetrin se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge, menjëherë nga mazhoranca janë vënë në lëvizje të gjitha strukturat për të gjetur ‘alibinë e rradhës’ për mbrojtje. E siç thotë populli ‘mbrojtja më e mirë është sulmi’, mazhoranca e gjeti ‘plagën për të vënë gishtin’ pikërisht aty ku ndihet e sulmuar me Valdrin Pjetrin, në ligjin për dekriminalizimin.
Konkretisht, mazhoranca qeverisëse dhe strukturat e saj janë kujdesur që të gjejnë një drejtues të PD me të shkuar kriminale, si për të treguar se ata nuk janë të vetmit që i promovojnë këto figura. Bëhet fjalë për drejtorin e ujsjellës-kanalizimeve të Shkodrës, i cili mban postin e lartë në administratë edhe pse rezulton i dënuar me 8 vite burg për vjedhje, shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Mark Molla është i dënuar, por ndaj tij nuk është marrë asnjë masë për pushimin nga puna, edhe pse dokumentacioni rezulton i qartë për dënimin e tij. Ky i fundit ka të paktën një mandat që e drejton këtë drejtori, por tani që PS-së i ‘doli boja’ me Valdrin Pjetrin, u kujtua se Mark Molla paska qenë i dënuar.
Mark Molla është nëpunës i Bashkisë dhe emërimi i tij është bërë nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, sepse ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve janë nën administrim lokal, sipas ligjit për Qeverisjen Vendore.
Kësisoj, Mark Molla edhe pse i dënuar me vendim të formës së prerë të mban detyrën dhe vijon të ketë drejtor prej vitesh. Nga ana tjetër, ndaj tij ka edhe masa të tjera të karakterit administrativ.
Në vitin 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një audit të plotë në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve në Shkodër, nga i cili në raportin përfundimtar është shkruar se Mark Molla gjatë kryerjes së detyrës ka konsumuar 8 shkelje administrative nga të cilat 4 kanë të bëjnë me tendera dhe prokurime.
Në vitin 2016 inspektoriati i kontrollit të pasurive e dënoi Mark Mollën me 100 mijë lekë gjobë për mosdeklarim të pasurisë. Kryebashkiakja Voltana Ademi është pyetur vazhdimisht për këtë fakt dhe është mjaftuar me deklaratën “jam për zbatimin e ligjit”.
Në qarqet e demokratëve, Mark Molla është një emër mjaft i njohur. Ai është një prej eksponentëve të Partisë Demokratike, që ka organizuar thuajse të gjitha protestat e opozitës dhe ka qenë protagonist në organizimin e pjesëmarrësve nga Shkodra në Tiranë në protestat e demokratëve.