Kosova29 Tetor 2022, 22:05

Pas SHBA-së dhe opozitës edhe BE-ja reagon e zhgënjyer për vendimin e Kurtit për targat

Shkruar nga Pamfleti
Pas SHBA-së dhe opozitës edhe BE-ja reagon e zhgënjyer për

Foto ilustrim

Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila refuzoi ta shtyjë vendimin për targat dhe vendos të shkallëzojë masat ndaj atyre që nuk i kthejnë targat ilegale në RKS.

“Kosova ka të drejtë të largojë gradualisht targat KM, por procesi duhet të marrë kohë në përputhje me marrëveshjen në dialog dhe të implementohet në mënyrë gjithëpërfshirëse e konsultative. Përderisa vendimi është hap në drejtim të duhur, nuk është në përputhje me Marrëveshjet e dialogut, që janë obligative për të dyja palët”, thuhet në reagimin e BE-së.

Më tej nga Blloku Evropian kanë theksuar se marrëveshja e vitit 2016 parasheh proces të përcaktuar për periudhë 12 muajshe për procesin e largimit të targave, që sipas tyre, nuk është ndjekur.

“Kosova duhet të lejojë periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohim që s’është ndjekur”, thuhet në reagim të publikuar gjatë mbrëmjes të së shtunës.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për palët e përfshira që të ruajnë qetësinë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen e të shmangin çdo veprim a retorikë që mund ta rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë, bashkë me partnerët e vet, të angazhohet me Kosovën dhe Serbinë. Ne presim nga palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur zgjidhje pa vonesa të mëtejme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në reagimin e BE-së.

Prishtine Albin Kurti bashkimi evropian qeveria e Kosovës Shtetet e Bashkuara të Amerikës Targat ilegale