Kosova 7 Dhjetor 2022, 13:25

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Jo shumë orë pas thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mosmbajtje të zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës për shkak të situatës së krijuar së fundmi atje, ka reaguar Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës është obligim kushtetues i institucioneve të Kosovës.

Megjithatë, ai theksoi se janë në pritje të vlerësimit të situatës në veri nga organet e sigurisë për hapat e mëtejmë.

Kryeziu më tej ka thënë se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve.

“Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Sipas tij, qytetarët në këtë zonë kanë nevojë për përfaqësim direkt dhe se institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre.

“Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka shkruar Kryeziu.

Të mërkurën, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një reagimi në Twitter, ka thënë se për momentin nuk janë krijuar kushtet e duhura që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar, në katër komunat veriore, që parashihej të organizoheshin më 18 dhjetor.

Prishtine Albin Kurti qeveria e Kosovës SHBA veriu i Kosovës zgjedhjet e jashtëzakonshme

Kosova