Aktualitet 1 Gusht 2018, 17:45

Pasuria e sekuestruar e sistemit të drejtësisë do të rikthehet në arkën e shtetit, ja ku do të investohet

Shkruar nga Pamfleti
Pasuria e sekuestruar e sistemit të drejtësisë do të

Pasuria e sekuestruar e sistemit të drejtësisë do të rikthehet në arkën e shtetit. Sipas modelit rumun dhe kroat, këto para do të investohen tek shtresat në nevojë, arsim dhe shëndetësi

Pasuritë marramendëse të prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë tronditur me të vërtetë shoqërinë shqiptare. Vettingu, ndonëse po ecën në mënyrë të ngadaltë, po nxjerr në pah atë që të gjithë shqiptarët e mendonin: Një sistem drejtësie të korruptuar deri në palcë dhe maskarallëkun e gjyqtarëve dhe prokurorëve që deri dje silleshin si zotër në tokë.

Deri më tani janë më shumë se 100 prokurorë e gjyqtarë që kanë mbetur në “rrjetën” e Vettingut ose janë dorëhequr për t’i shpëtuar procesit të deklarimit dhe hetimit të hollësishëm të pasurisë.

Të gjithë ata që janë “djegur” nga ky proces nuk ia kanë dalë që të justifikojnë miliona eurot pasuri që disponojnë, duke mos hyrë më tej në anën profesionale apo lidhjet me krimin që janë prezente në dosjet e tyre të hetimit dhe të gjykimit.

Sikurse ka deklaruar dhe ambasadori amerikan në largim Donald Lu, pavarësisht se gjyqtarët dhe prokurorët kanë dhënë dorëheqje nga frika e hetimit të pasurisë së tyre, sërish ata do t’i nënshtrohen hetimit të thelluar dhe askush nga ata që kanë abuzuar me detyrën s’do të shpëtojnë.

Mësohet se menjëherë pas përfundimit të të gjitha shkallëve të ankimimit për gjyqtarët dhe prokurorët e rrëzuar nga Vettingu, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kërkojë në gjykatën e Krimeve të Rënda vënien nën sekuestro të pasurive të tyre.

Këtij procesi do t’i nënshtrohen dhe ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, për t’iu shmangur Vettingut. Shembulli më ilustrues sipas organit të akuzës, është sekuestrimi i pasurisë së ish kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Ish Prokurori i Përgjithshëm, megjithëse nuk u përfshi në procesin e Vettingut, kishte dhënë dorëheqjen dhe më vonë dhe gjykatat vendosen që të mos jetë pjesë e Vettingut, gjykata vendosi sekuestrimin e pasurive, me një vlerë prej 1 miliardë lekësh.

Këto para të sekuestruara, bashkë dhe me pasuritë që pritet të verifikohen jashtë vendit për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që nuk i “mbijetuan” dot Vettingut, pritet të kthehen në arkën e shtetit shqiptar. Dhe nuk janë pak, pasi shuma fillestare përllogaritet mbi 100 milionë euro.

Në Rumani dhe Kroaci në këtë mënyrë është vepruar, dhe të gjitha paratë e sekuestruara janë përdorur si investim për shtresat në nevojë, shkolla dhe shëndetësi. Pritet që një proces i tillë të ndodhë dhe në Shqipëri së shpejti./Pamfleti

Forum