Pazaret politike për zgjedhjet e Prill 2021 kanë vënë në lëvizje partitë opozitare dhe PS për ‘oferta të reja’
Partia Demokratike po bën marrëveshje me aleatët e saj që t’i përfshijë të gjithë në një listë, ndërkohë që PS duket se do të dalë e vetme në zgjedhje, pasi nuk do të përfshijë në listat e saj as partitë me të cilat ka bërë koalicion më parë.
Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, është shprehur për ‘Top Channel’ se ende nuk ka marrë një ftesë nga PS, ndërsa tregoi edhe hapat që do të ndërmarrë.
“Nga PS nuk ka ardhur asnjë ftesë, nuk është bërë asnjë diskutim, asnjë negociatë. Për rrjedhojë edhe siç e ka deklaruar kryetari i PS Edi Rama shumë herë, PS nuk ka nevojë për koalicione ajo do bëjë një aleancë me qytetarët.
Ne jemi duke negociuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Negociatat shtrihen me një spektër politik të gjerë nga e majta deri në qendrën e djathtë. Jemi duke biseduar për të gjetur një formulë sa më të përshtatshme bashkëpunimi me interes të ndërsjellët. Negociatat nuk kanë mbaruar janë në zhvillim e sipër dhe presim që gjatë ditëve të ardhshme patjetër që do të përfundojnë sepse po afron afati skadimit të regjistrimit të subjekteve politike në KQZ”, tha Milo.
Por sa komode mund të jetë Demokracia Sociale në një koalicion të mundshëm me LSI apo edhe me Jozefina Topallin, Astrit Patozin dhe partinë e Muslim Murrizit?
Paskal Milo: “Ashtu siç ka qenë në traditën e Partisë Demokracia Sociale që aleancat t’i bëjmë ashtu siç i kemi bërë gjithmonë me spektrin e majtë. Por nuk varet nga ne siç ua shpjegova. Rrethanat janë të tilla, vendimmarrja nga PS është e tillë që përjashton koalicionin me partitë e saj ish-aleate për kaq e kaq vite. Për rrjedhojë Demokracia Sociale nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç të shikojë mundësinë e një koalicioni me ato forca politike me të cilat mund t’i afrohet program ose mund të nisë nga disa rregulla loje të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit politik”.