Vijojnë ‘rrjedhjet’ e deputetëve nga forca e tretë politike më e madhe, LSI
Ish deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Gledion Rehovica, ka deklaruar sot se i është bashkuar Partisë Socialiste. Ndërsa ka qenë në një takim me strukturat e LSI-së në Berat, ai ka informuar vendimin politik të tij.
Në një prononcim për median ai tha se vendimin e kishte marrë i imponuar nga sjellja politike që ka thyer besimin tim dhe të qytetarëve që na kanë votuar.
“LSI një klub në Tiranë që mbush televizionet me sharje. Eksperimenti i LSI-së ka mbaruar. Berati ka nevojë për progres. Tek LSI nuk kam vajtur me tender e nuk po iki me tender tek PS”, tha Rehovica.
Kujtojmë se Rehovica, u largua nga Kuvendi pasi kishte fshehur një dënim në Itali.
Ashtu siç edhe “Pamfleti” ka paralajmëruar përmes disa shkrimeve radhazi, se largimet e deputetëve të LSI, kanë ardhur si rezultat i një pakti mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për asgjesimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk do të pranojë të bëjë koalicion me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin në zgjedhjet 25 prillit 2021.
Ky vendim është produkt i një pakti mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që në maj të 2017, për të hequr qafet LSI-në si një parti që ngjitet herë pas PD dhe herë pas PS, gjoja në emër të stabilitetit.
Ditët e fundit, Lulzim Basha ka mbyllur pazaret me aleatët e tij Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka, duke ndarë zonat e influencës dhe duke u garantuar nga një vend të sigurtë në lista, për t’i bërë pjesë të Parlamentit të ardhshëm.
Bie në sy fakti se Lulzim Basha ka larguar nga koalicioni Monika Kryemadhin dhe Fatmir Mediun. Për disa javë me radhë, Ilir Meta e shantazhoi Bashën dhe e akuzoi si tradhtar.
“Këtu ka një mungesë korrektësie, unë kam marrë fjalën nga Basha se do të hynin në zgjedhje. Pastaj, ata mbajtën qëndrimin e tyre herë kështu e herë ashtu”, ka pohuar Meta për Bashën. Pavarësisht presionit, Basha nuk pranoi të fuste emrat e Metës në listat e Partisë Demokratike.
Vetëm pas këtij vendimi, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili deklaruan hapur se LSI do kandidojë e vetme në zgjedhje. Petrit Vasili tha një ditë më parë se “Kodi Zgjedhor është i qartë dhe shterues. Në të gjitha qarqet do të ketë dy lista, atë të LSI dhe PD. Mënyra sesi këto lista akomodohen me aleatë të ndryshëm është një çështje që patjetër shikohet dhe adresohet. LSI nuk ka dorëzuar kurrë lista në orën 12 të natës”.