Meta dhe Berisha i ofruan Ramës një pakt me 11 pika për sabotimin e reformës në drejtësi, SHBA-BE reagojnë ashpër, Rama distancohet publikisht dhe refuzon pazarin pas presionit ndërkombëtar, cilat janë pikat e paktit dhe a po vjen ora e llogaridhënies së Ilir Metës para SPAK
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim bëri dje deklaratën më të fortë dhe të drejtëpërdrejtë që nga zbarkimi i saj në Shqipëri si përfaqësuese e vendit më të fuqishëm në planet.
Kim foli për një plan të kokave të politikës së Tiranës për të vrarë reformën në drejtësi, investimin më të madh të Perëndimit në Shqipëri pas shembjes së diktaturës. Ambasadorja amerikane bëri edhe një paralajmërim, duke sinjalizuar se shumë shpejt reforma në drejtësi do godasë kokat e korrupsionit dhe krimit në Shqipëri.
“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”, tha Kim.
Po çfarë ka ndodhur në kupolën politike të Tiranës që solli deklaratën e fortë të Yuri Kim?
Për çfarë plani pas krahësh e kishte fjalën ambasadorja amerikane?
Në skenë dalin sërish Ilir Meta dhe Sali Berisha, dy kundërshtarët më të përbetuar të reformës në drejtësi. Meta dhe Berisha kanë përgatitur një plan me 11 pika për sabotimin e reformës në drejtësi, sidomos per kapjen e Gjykatës së Lartë dhe bllokimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila është makthi më i madh për kokat e korrupsionit në vend.
Plani i Metës dhe i Sali Berishës parashikon ndryshimin e reformës në drejtësi dhe vënien e saj nën tutelën e një këshilli politik, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të partive kryesore politike.
Plani i Metës dhe Berishës parashikon largimin nga drejtësia të Ardian Dvoranit, i cili ishte i vetmi në 2012 që votoi për dënimin e Ilir Metës pasi u kap me bllokun e pazarit në zyrën e Dritan Priftit.
Plani i Metës dhe Berishës synon mbërthimin e drejtësisë nga kupola politike, duke shmangur SHBA-BE dhe rikthyer drejtësinë e vjetër, që përdorej si tualet nga klasa politike. Këtë plan Meta ua prezantoi dje përfaqësuesve të opozitës, ndërsa mësohet se ia ka propozuar më parë Edi Ramës. Për këtë takim Presidenca njoftoi dje: “Pesidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot me kërkesën e Tij, në Pallatin e Brigadave, kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik, për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”.
Në njoftim, Presidenca përmend vetëm Këshillin Politik, por fsheh pikat e planit për sabotimin e reformës.
Megjithatë, ambasadorja Yuri Kim, disa orë pas këtij takimi, përmes deklaratës së fortë, denoncoi pazarin e Metës dhe Berishës. Pas deklaratës së Yuri Kim, reagoi ashpër ambasadori i BE, Luigi Soreca, i cili paralajmëroi Metën dhe Berishën se reforma në drejtësi nuk do të ndryshojë.
“Zbatimi i reformës në drejtësi duhet të vazhdojë dhe të ruhet. Nuk është koha që të rihapet diskutimin mbi bazat e tij, por për të rritur efikasitetin e tij dhe forcimin e burimeve që disponon. Për të ofruar drejtësinë e pavarur që qytetarët shqiptarë meritojnë dhe për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj të integrimit”, tha Soreca.
Sipas burimeve, Meta dhe Berisha i kanë prezantuar prej disa ditësh Edi Ramës pazarin për kapjen e drejtësisë. Por, Edi Rama reagoi vetëm dje pas presionit të SHBA-BE. Rama u distancua nga pazari dhe i dha një mesazh Metës. Rama publikoi reagimin e Yuri Kim, dhe shkroi këtë mesazh për Metën: “Ferri ka mbetur bosh, djalli është këtu”. Po gjatë ditës së djeshme, më herët, Meta u kërkoi prokurorëve të SPAK që të mos pyesin SHBA-BE kur të hapin dosjet e krimit dhe korrupsionit të politikanëve. Ndërsa sot, Meta e nxori plotësisht kokën, duke kërkuar hapur ndryshimin e reformës në drejtësi nga Këshilli Politik./Pamfleti