Politike10 Korrik 2019, 16:49

PD i quan të jashtëligjshëm, kryebashkiakët që u zgjodhën në 30 qershor kërkojnë mandatet në Gjykatë

Shkruar nga Pamfleti
PD i quan të jashtëligjshëm, kryebashkiakët që u

Kryebashkiakët e rinj që dolën nga zgjedhjet lokale të 30 Qershorit pas certifikimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rezultateve kanë depozituar kërkesat në gjykatë për të marrë mandatet.

Sipas ligjit është gjykata shkalla e fundit që u jep mandatin fituesve duke i zyrtarizuar në drejtimin e njësive të qeverisjes vendore. I pari që e ka dërguar kërkesën është Erion Isai, që fitoi në Kolonjë, ndërkohë që listës i janë bashkuar edhe socialistët e tjerë që deri tani janë certifikuar si fitues nga KQZ-ja.

Ndërkohë që sot, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, u bëri thirrje gjykatave që të mos miratojnë vendimin e KQZ-së për shpërndarjen e mandateve të kryetarëve të 61 bashkive, fitues në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Ai tha se tha se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe se mundësia e fundit që ato të shpallen si të paligjshme, janë gjykatat në të gjithë Shqipërinë.

“Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve.”- tha Bardhi.

Ndërkohë Bardhi i vendosi gjyqtarët edhe para përgjegjësisë profesionale duke u thënë se përsa kohë Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për zgjedhjet dhe dekretet e Metës është i jashtëligjshën dorëzimi i mandateve tek kryebashkiakët e zgjedhur nga 30 qershori antikushtetues sipas tij

“Sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur, Dekretet e Presidentit të Republikës janë në fuqi dhe të detyrueshme për zbatim. Kushdo që pohon të kundërtën, nxit anarkinë, nxit vetëgjyqësinë, nxit anormalitetin. Këta gjykatës kanë dorë të vendosin nëse shqiptarët do të kenë mundësi të nisin së shpejti bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian apo do të jenë njerëz të izoluar, që jetojnë në një diktaturë të re në shekullin e 21.” – përfundoi Bardhi. /Pamfleti

Politike