Aktualitet19 Qershor 2019, 08:14

PD-LSI skenar për djegien e kutive të votimit në Lundër, policia në alarm

Shkruar nga Pamfleti
PD-LSI skenar për djegien e kutive të votimit në Lundër,

PD-LSI skenar për djegien e kutive të votimit në Lundër, policia në alarm

Zbulohet një nga skenarët e ‘Komiteteve të Shpëtimit’ të PD për sabotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, përgatitje për të sulmuar magazinat e Lundrës

Javën e kaluar, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal. Aktualisht, Lulzim Basha ka shpërndarë bashkëpunëtorët e tij në rrethe, për të përzgjedhur anëtarët e këtyre grupeve për prishjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Aleanca përbëhet nga grup militantësh dhe njerëzish me precedentë penalë, të ngjashme në Komitetet e Shpëtimit në 1997, me qëllim sabotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, gjithnjë nëse palët nuk do të arrijnë një pazar për shtyrjen e tyre. Pjesë e këtyre grupeve po bëhen militantët më radikalë dhe njerëz me precedentë kriminalë, të cilët kanë përvoja në shkeljen e ligjeve dhe në burg. Grupet do të veprojnë para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve të 30 qershorit, për sabotimin e tyre.

Një nga skenarët më të lakuar në korridoret e selisë së Partisë Demokratike për goditjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, është përgatitja e një sulmi në magazinat e Lundrës, aty ku ruhen kutitë e votimit për zgjedhjeve. Sipas këtij skenari, për të cilin është në dijeni edhe Polica e Shtetit, një grup i madh militantësh të Partisë Demokratike do të sulmojnë magazinat në Lundër pak para se kutitë e votimit të shpërndahet nëpër zonat zgjedhore. Sipas burimeve sulmi është planifikuar fillimisht që të nisë në formë proteste. Militantët e PD dhe LSI më pas synojnë që të përplasen me policinë dhe të hyjnë në magazina, për t’u vënë flakën kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore. E informuar për këtë skenar, Policia e Shtetit ka shtuar sigurinë rreth magazinave të Lundrës.

Edi Rama ka kërcënuar me burg këdo që pengon zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Por, Lulzim Basha ka deklaruar se opozita nuk frikësohet nga pushteti kriminal i Ramës. Megjithatë, mesazhin më të fortë PD-LSI e kanë marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë paralajmëruar se do të fusin në listën e zezë këdo që përpiqet të ushtrojë dhunë dhe të pengojë zgjedhjeve e 30 qershori. Nga ana tjetër, ditët e fundit, në lojë ka hyrë edhe Ilir Meta, e cili anuloi datën e zgjedhjeve, veprim për të cilin Edi Rama kërkon që ta shkarkojnë nga detyra. Rama dhe grupi i tij nuk e kanë njohur dekretin e Metës, ndaj edhe skenari i PD-LSI për të djegur kutitë e votimit në lundër mbetet në fuqi./Pamfleti/

Kryesore PD-LSI skenar për djegien e kutive të votimit në Lundër policia në alarm