Anti-Mafia23 Mars 2018, 12:36

Përdhosja e arsimit/ Çudia! Humbi në konkurs, por kërcen si drejtoreshë para Sadri Abazit  

Shkruar nga Pamfleti

Si u emërua Ermioni Cekani në krye të zyrës Arsimore Kamëz duke u ngjitur pas këpucës së partisë. Doli humbëse, por partia e bëri fituese. Më vonë e ktheu zyrën e shtetit në hapësirë për biznesin e saj familjar dhe nisi duke kërcyer nëpër ballot e partisë. Zonja Lindita Nikolla, kështu po e rrisni cilësinë e arsimit në standardet evropiane?!  

Shkruan Adriatik Doçi

E vërteta e thjeshtë është se në Shqipëri partia bën çudira. Partia të zhvesh nga dinjiteti dhe çdo normë njerëzore, por në këmbim, si një magjistar që shndërron shaminë në pëllumb apo korb, partia e shndërron humbësin në fitues dhe ngre paaftësinë mbi profesionalizimin. Zgjedhja është e thjeshtë, e qartë dhe vetme. Mjafton të ngjitesh pas këpucës së partisë. Një ndër shembujt e zbatimit në praktikë të kësaj formule është Ermioni Cekani, përgjegjëse e Zyrës Arsimore Kamëz, tashmë simbol i abuzimit dhe paligjshmërisë. (Rama e futi në listën e 100 zyrtarëve më abuzues në Shqipëri).

Të ndalemi tek faktet. Pas zgjedhjeve parlamente të 2013, Ministria e Arsimit, hapi garën për pozicionin e drejtuesit në Drejtoritë Arsimore Rajonale. Kishte pritshmëri të mëdha për largimin e dallaveraxhinjve dhe kamikazëve të Partisë Demokratike dhe zëvendësimin e tyre me njerëz profesionalë dhe integritet. Në 21 nëntor të 2013, Ministria e Arsimit shpalli renditjen e kandidatëve, sipas pikëve, që kalonin në fazën finale.  (https://arsimi.gov.al/al/neësroom/lajme/lista-e-kandidateve-per-pozicionin-drejtor-e-te-dar-ve-qe-kalojne-ne-fazen-finale).

Nga vlerësimi që komiteti ad hoc u bëri kandidaturave, kandidatja Ermioni Cekani, rezultoi e katërta në listë nga shtatë kandidatë gjithsej, për pozicionin e DAR Tiranë. Lista u publikua nga Ministria e Arsimit në kuadër të transparencës dhe në respekt të besimit që shqiptarët i dhanë Partisë Socialiste. Në 7 dhjetor të 2013, Ermioni Cekani njoftoi: “Ju falënderoj të gjithëve pafund për sms-t, telefonatat, mesazhet e komentet mbështetëse e vlerësuese në Facebook! Unë ndihem fituese moralisht dhe falë kësaj “humbjeje” kuptova sesa miq të rinj e të vjetër kam”.

Këtu nis kthesa. Nga ky moment nis errësira, misteri dhe magjia e partisë. Pas tre javësh, befas, Ermioni Cekani, nga humbëse në konkurs, emërohet përgjegjëse e Zyrës Arsimore në Kamëz, të cilën më pas e ktheu në shërbim të biznesit të saj familjar (Kërkoni në google faktet ‘Ermioni Cekani, drejtoresha që përdor postin publik për biznesin e bashkëshortit’). Për këtë zyrë arsimore, ku u katapultua Cekani, ishte hapur një tjetër garë, ku renditeshin, sipas pikëve, pesë kandidatë. Arsyet e këtij kapërcimi arbitrar, secili nga ju, i merr vetë me mend.

Nuk mbaron me kaq. Pasi u katapultua në krye të zyrës Arsimore Kamëz, Ermioni Cekani na shfaqet në krah të Sadri Abazit, i njohur për ‘nivelin e lartë intelektual’ dhe si ‘mendja më e ndritur’ e parlamentit. Zonja, jo vetëm shfaqet në krah të deputetit Sadri Abazi, por nganjëherë, ja merr edhe valles. Pasi vë për vijë punët me emërimet e paligjshme në shkollat e Kamzës, zonja Cekani, kyç zyrën dhe shfaqet në ballot e partisë. Por ky është vetëm raporti i dukshëm mes saj dhe Sadri Abazit. Nuk keni parë gjë akoma!

Gara për drejtuesit e DAR sipas Ministrisë së Arsimit në 2013

TIRANË

Aida Serjani

Arjola Byzyka

Elmaz Lala

Ermioni Cekani

Majlinda Ziu

Mimoza Kuqi

Rozina Kollcaku

TIRANA QARK

Aida Nova

Eglantina Metani

Fran Cara

Uzri Alku

Xhevahir Hoxha

Në datën 22 tetor 2013, kryeministri Edi Rama, publikoi në Facebook, njoftimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Zonja ministre, ndër të tjera shkruante: “Ju nuk meritoni Drejtori Arsimore që ishin kthyer në çerdhe paaftësie, ku politika e korrupsioni vendosnin në emër të gjithçkaje dhe ku mungojnë të gjitha sistemet rregullatore dhe procedurat menaxhuese, madje edhe dokumentet themelore të mbarëvajtjes së punës. Të dashur mësues, prindër e nxënës. Sot lajmërojmë fillimin e procedurave të konkurrimit, sipas dispozitave ligjore për pozicionin e Drejtor në Drejtoritë Arsimore Rajonale në të gjitha qarqet e vendit. Lajmërimet do të bëhen në shtyp dhe në faqen online të MAS. Seleksionimi do bëhet duke u bazuar në kritere të qarta të shpallura publikisht dhe në transparencë publike të plotë. Bashkërisht, me mish e me shpirt e angazhuar që, nëpërmjet një partneriteti të ri strategjik, mes mësuesve, prindërve dhe shtetit, të ndërtojmë modelin e ri të shkollave si qendra të komunitetit; t’i japim shkollës një rol që shkon përtej mësimdhënies, formimin e qytetarisë së re evropiane; ta bëjmë shkollën, pikë referimi të komunitetit dhe pikë rëndese të bashkëjetesës demokratike. Pasi për ne, ngritja e cilësisë së arsimit në standardet evropiane dhe mbrojtja e tyre janë parakushte që do të garantojnë cilësinë e gjeneratës tjetër”.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

codramol
smile

Anti-Mafia Ermioni Cekani Sadri Abazi