Më shumë se katër muaj më parë Erald Çinari mori një goditje të rëndë, duke u dënuar me 4 muaj pezullim nga aktivitetet zyrtare për shkak të parregullsive në transferimin e tij te Partizani.
Por fatmirësisht ditët e vështira për sulmuesin shkodran kanë përfunduar dhe sot ai ka marrë lejen nga FIFA për të luajtur në ndeshje zyrtare.
Njoftimi i klubit:
FK Partizani njofton se pas korrespondencave të vazhdueshme me FIFA-n, kjo e fundit ka pranuar kërkesat e klubit për të lejuar aktivizimin e lojtarit Erald Çinari, me efekt të menjëhershëm. Për sulmuesin e kuq periudha e pezullimit konsiderohet e shlyer dhe tashmë Çinari ka rifituar të drejtën për të luajtur ndeshje zyrtare me Partizanin.
Në orët në vijim klubi pritet të japë njoftimin e rikthimit të sulmuesit, i cili deri para dënimit ishte një nga më të mirët e Partizanit, ndërsa tashmë do të duhet të rikthehet në formë dhe të luftojë për majën e sulmit me të sapoardhurin Stenio Zhunior.