Aktualitet22 Korrik 2018, 10:25

Përpjekja e fundit e Thaçit për ta ndarë Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
Përpjekja e fundit e Thaçit për ta ndarë Kosovën

Përpjekja e fundit e Thaçit për ta ndarë Kosovën

Tashmë nuk ka dilemë. Presidenti i vendit po negocion, po hap rrugë për ndarjen e Kosovës. Mjafton të lexohet e dëgjohet gjuha pothuaj identike e tij me presidentin e Serbisë, me të cilin «negocion» pa i dhënë llogari gati askujt, më së paku parlamentit të Kosovës. Ky nuk është faji i Thaçit, është faji i parlamentit të tanishëm dhe legjistlaturave të mëhershme – fund e krye të papërgjegjshme.

Shkruan Enver Robelli

Një deklaratë e ambasadorit amerikan në Prishtinë, dhënë gjatë një interviste në emisionin «Rubikon», u interpretua jo vetëm në opinionin kosovar si heqje dorë nga qëndrimi i deritanishëm se Washingtoni nuk mbështet ndarjen e Kosovës. Interpretimi më eksplicit ishte ky: SHBA-të përkrahin ndarjen territoriale të Kosovës. Ambasadori u ngut që menjëherë të thotë se ky ishte një lajm i rrejshëm, por nuk tha diçka më shumë, për shembull: do të mund të përsëriste qëndrimet e mëhershme se SHBA-të nuk përkrahin ndryshimin e kufijve në Ballkan. Ndoshta Greg Delawie as që mund të thoshte më shumë kur dihet kush është shef tani në Shtëpinë e Bardhë dhe çfarë tollovie ekziston në administratën e Donald T.

Idenë (e interpretuar) të ndarjes së Kosovës e përqafoi menjëherë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Një një «debat» me studentë të Universitetit të Prishtinës ai tha: «Çdoherë, këshillat, sugjerimet e SHBA-së kanë qenë të mirëseardhura për ne.

Mendoj dhe vlerësoj se edhe deklarimi i sinqertë dhe shumë i përgjegjshëm i ambasadorit të SHBA-së, duhet të merret seriozisht nga të gjithë, pa dallim. (…) Një gjë duhet kuptuar: kur të flet ambasadori i një vendi, flet shteti. E kësaj radhe ka folur ambasadori i SHBA-së, shtetit më të fuqishëm në botë, prej të cilit i kemi të gjitha të mirat ne». Domethënë: ambasadori, i cili është në fund të mandatit, paskësh folur në emër të Shtëpisë së Bardhë. Kjo do të shihet së shpejti.

Tashmë nuk ka dilemë. Presidenti i vendit po negocion, po hap rrugë për ndarjen e Kosovës. Mjafton të lexohet e dëgjohet gjuha pothuaj identike e tij me presidentin e Serbisë, me të cilin «negocion» pa i dhënë llogari gati askujt, më së paku parlamentit të Kosovës. Ky nuk është faji i Thaçit, është faji i parlamentit të tanishëm dhe legjistlaturave të mëhershme – fund e krye të papërgjegjshme.

Aleksandar Vuçiqi thotë se kompromisi do të jetë i dhimbshëm, Hashim Thaçi nënvizon, po, kompromisi do të jetë i dhimbshëm. Njëri thotë se të dy palët duhet të ndihen komode me zgjidhjen, tjetri pohon. Për nevoja të brendshme nganjëherë prej tyre apo vartësve të tyre përdoret edhe retorika më e ashpër, përmendet edhe lufta, por pastaj që të dy dalin dhe bëhen «burra të përgjegjshëm» dhe thonë se konfliktet i takojnë të kaluarës, kjo tingëllon bukur në Bruksel. Muzikë ballkanike. Sidoqoftë, debati i këtyre ditëve është me gjasë përpjekja e tretë dhe e fundit e Hashim Thaçit për të ndarë territorin e Kosovës. Gjatë karrierës së tij politike Thaçi ka tentuar ta ndajë Kosovën dy herë – dhe nuk ka pasur sukses.

Për të argumentuar këtë duhet të kthehemi në vitin 1989, kur «babai i kombit serb» dhe urrejtësi i madh i shqiptarëve, Dobrica Qosiqi, i dha një intervistë gazetës italiane «Il Tempo», ku zgjidhjen e çështjes së Kosovës e shihte përmes dy alternativave: «…Ose do t’ua japim territorin, që do të thotë po ashtu të humbasim edhe gjysmën e Maqedonisë, e kjo do të sillte dezintegrimin e Jugosllavisë, ose përndryshe do të përdorim forcën si Izraeli».

Më vonë, pasi NATO çliroi Kosovën, Qosiqi propozoi hapur ndarjen e Kosovës. Në një intervistë për revistën «Nedeljnik» pak para vdekjes së tij, ai deklaroi se para atentatit kundër kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiqit, që të dy ishin marrë vesh që Gjingjiqi të dilte në opinion me idenë për ndarjen e Kosovës.

Kryeministri serb e kishte bërë këtë dhe llogariste sidomos në mbështetjen e qeverisë së atëhershme gjermane, që kryesohej nga kancelari Gerhard Schröder, i cili bashkë me shumë socialdemokratë udhëheqës në Gjermani kishte simpati të mëdha për Gjingjiqin. Ndarja e Kosovës do t’u shkonte për shtat edhe francezëve, të cilët pas vitit 1999 me trupat e tyre ushtarake betonuan ndarjen e Mitrovicës dhe për t’i qetësuar shqiptarët e dëbuar nga shtëpitë e tyre i shfrytëzuan dy figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të etura për pushtet me çdo çmim.

Ata quhen: Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Ky duet me gjasë u (keq)përdor nga shërbimet sekrete franceze dhe një gjë e tillë është dokumentuar edhe me incizime filmike, që janë bërë publike në mediet kosovare. Aty shihet një veturë e KFOR-it francez duke e sjellë dyshen Thaçi-Veseli në Mitrovicë derisa protestat kundër ndarjes së qytetit po rriteshin. Ata u premtojnë protestuesve se Mitrovica një ditë do të bashkohet, por sot të mos provojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Masa shpërndahet. Dhe Mitrovica nuk u bashkua, u nda, me gjasë përgjithmonë.

Në një intervistë për emisionin «Rubikon», në shtator 2013, akivisti i atëhershëm politik Ilir Deda tha se idenë për ndarjen e Kosovës Hashim Thaçi e kishte diskutuar në vitin 2002 me kryeministrin serb Zoran Gjingjiq. Hashim Thaçi nuk e ka demantuar këtë kurrë. Në vitin 2002 Thaçi ishte shef i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila përfaqësonte rreth 20 për qind të elektoratit, një forcë politike e urryer nga shumica e qytetarëve për shkak të jo pak krimeve që lidheshin me këtë parti sidomos pas luftës – për shembull vrasjet politike të aktivistëve të LDK-së.

Atëbotë Thaçi ishte vetëm kryetar i një partie politike pa asnjë mandat që të merret me temën e ndarjes së Kosovës. Por, ai që ia ka vënë Thaçit nofkën e luftës «gjarpër» duket të ketë qenë njeri shumë i mençur: gjarpri ka aftësi të zvarritet pothuaj pavërejtshëm dhe të ndërrojë lëkurën sipas nevojës.

Duke përqafuar idenë për ndarjen e Kosovës ai, i frustruar nga humbjet elektorale pas luftës, synonte të paraqitej si partner fleksibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe si alternativë kundër Ibrahim Rugovës «kryeneç», i cili edhe kur ishte në jerm insistonte në pavarësinë e Kosovës. Në atë kohë në vazhdën e përpjekjeve për t’i pëlqyer sa më shumë bashkësisë ndërkombëtare hyn edhe propozimi i Thaçit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për një moratorium (shtyrje të afatit) për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që në fakt ishte propozim për shtyrjen e shpalljes së pavarësisë.

Pas vrasjes së Gjingjiqit propozimi për ndarjen e Kosovës mori një goditje të rëndë. Rrjedhimisht, përpjekja e parë e Thaçit për ndarje dështoi. Por, sipas një aktivisteje për të drejtat e njeriut nga Beogradi, e cila është mjaft e njohur në Kosovë, shërbimet sekrete serbe në marrëveshje «me shërbimet sekrete partiake» të shqiptarëve të Kosovës inskenuan ngjarjet e 17 marsit të vitit 2004, si përpjekje të radhës për ndarjen e Kosovës.

Masat euforike të shqiptarëve u manipuluan keq, u dogjën shtëpi e kisha të serbëve dhe kështu u krijua përshtypja në opinionin perëndimor se shqiptarët janë po aq barbarë sa shtypësit e tyre që i kishte përzënë NATO-ja. Në mediat gjermane sulmet ndaj serbëve u quajtën «pogrom», një shprehje nga kohërat e errëta naziste. Shqiptarët e humbën pafajësinë dhe statusin pothuaj ekskluziv të viktimës. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare nuk lejoi ndarjen e Kosovës.

Ndarja, sipas diplomatëve, do të hapte Kutinë e Pandorës dhe Perëndimi do të ballafaqohej me kërkesa për shkëputje të serbëve të Bosnjës, boshnjakëve (myslimanëve) të Sanxhakut, shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve të Maqedonisë perëndimore. Bashkësia ndërkombëtare sapo e kishte zgjidhur disi konfliktin në Maqedoni me Marrëveshjen e Ohrit dhe nuk ishte fare e interesuar të hapte diskutime mbi skicimin e kufijve në Ballkan. Kështu dështoi përpjekja e dytë e Thaçit për ndarjen e Kosovës.

Tani Thaçi po bën përpjekjen e tretë për ndarjen e Kosovës. Frika thellësisht personale nga ndonjë aktakuzë e Gjykatës Speciale, frika se edhe nëse nuk akuzohet vetëm paraqitja si dëshmitar në Hagë mund ta diskreditojë përfundimisht te partnerët e tij ndërkombëtarë, frika nga ndonjë zhvillim i papritur politik në Kosovë dhe largimi nga pushteti i partisë së tij, e kanë shtyrë Thaçin të bëjë sallto pothuaj të përditshme politike. Në këtë sport ai i lë në gjumë konkurrentët e tij politikë dhe po të punonte mbarë ndoshta edhe do të merrte duartrokitje nga opinioni. Por, jo, veprimet e tij politike lidhen thellësisht me fatin e tij politik dhe personal.

Andaj, ai bën manovra të mëdha: njëherë i detyron gati me dhunë deputetët e partisë së tij për të votuar ligjin për Gjykatën Speciale, pastaj, kur merr sinjale se edhe vetë mund të jetë cak i kësaj gjykate, inskenon dramën e madhe të Krishtlindjeve: me shpresën se diplomatët janë në pushime duke u marrë me hapjen e dhuratave, Thaçi mbledh deputetët në Kuvend për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Kur kjo nuk funksionon, i kthehet rolit të tij si negociator i pashmangshëm me Serbinë. Disa zhvillime i ndihmojnë: Ramush Haradinaj e pranon rolin e statistit, duke thënë se nuk është i aftë t’i drejtojë negociatat me Serbinë, ndarja e Vetëvendosjes si pasojë e papërgjegjësisë së të dy krahëve është gjashtëshe në loto për Thaçin dhe partinë e tij, sepse tani mileti argëtohet me polemikat «a është Dardan Molliqaj teveqel» apo «Albin Kurti i rrezikshëm për Kosovën», ndërkohë që LDK, përkundër retorikës, nuk tregon gatishmëri të marrë pushtetin në një kohë kur nga bisedimet me Serbinë nuk fitohet asgjë.

Ka edhe një arsye tjetër që LDK qëndron anash: nuk dëshiron të qeverisë për aq kohë sa nuk është mbyllur kapitulli i ekstradimeve në Gjykatën Speciale. Këtë e bën për të shmangur kritikat nga militantët e PDK-së, të cilët nesër do të thonë se ishte LDK që i dorëzoi «çlirimtarët» – ndërsa e vërteta është se Kosova nuk ka asnjë nevojë për asnjë «çlirimtar» që ka kryer krime të luftës dhe krime ndaj oponentëve shqiptarë.

Duke pasur para vetes një opozitë të dobët Thaçi luan poker politik. Shkon për vizitë në SHBA në të njëjtën kohë me Vuçiqin dhe shumë burime thonë se atje edhe janë takuar në një përpjekje të përbashkët për të bindur palën amerikane për të ndarë Kosovën.

Më parë të dy, njëri pas tjetrit, kishin takuar në Paris presidentin Emmanuel Macron dhe një deputet francez të Parlamentit Europian, për të cilin burime kredibile thonë se ka lozur rol në afrimin e Thaçit dhe Veselit me shërbimet franceze, ndërsa në vitin 2008 kishte luajtur rol vendimtar që Vuçiq të braktiste Partinë Radikale të Vojislav Sheshelit dhe të themelonte Partinë Progresive Serbe (SNS), e cila përqafoi «agjendën proeuropiane» dhe erdhi në pushtet.

Pas vizitave në SHBA dhe Europë Vuçiqi nuk e fshehu dëshpërimin. Tha se për shtetet e rëndësishme çështja e Kosovës është e mbyllur. Por, drama personale e Hashim Thaçit ka bërë që tema e ndryshimit të kufijve të hapet. I ballafaquar me një ngarkesë të tmerrshme psikike Thaçi nuk zgjedh mjet për të mbetur ky që është: faktor i pazëvendësueshëm. Vetëm kjo është garanci që ai të ketë jo vetëm pushtet politik, por edhe të ruajë atë që ka krijuar: një piramidë financiare që dyshohet të jetë ndërtuar me para nga korrupsioni masiv.

Përparësia e Thaçit në këtë dramë publike është se për dallim nga shumica e kundërshtarëve të tij politikë ai nuk e ka mendjen vetëm te paraja, por edhe te veprimet e pandërprera politike për ta bërë veten të pashmangshëm në skenën politike. Për këtë s’meriton respekt, por njëfarë admirimi habitor për gjeturinë e tij nuk mund ta fshehin as vëzhguesit e paanshëm.

Ramush Haradinaj mund të çelikos muskujt orë e çast në palestër, Kadri Veseli mund të bëjë spote televizive për t’u dukur «smart», siç thonë anglezët – por ndërsa këta dy bëjnë plane të marrin pjesë në gjysmë-maratonën e Prishtinës, Thaçi thashmë e ka kaluar maratonën e New Yorkut. Kjo nuk është lojë pa rreziqe për Thaçin, por jeta e tij jo vetëm politike nuk ka kuptim pa rreziqe. Ndoshta edhe në përpjekjen e tij të tretë për ta ndarë Kosovën ai do të ketë sukses, duke pasur parasysh amullinë, anarkinë dhe amnezinë e shoqërisë kosovare.

Shpresat Thaçi i ka varur te administrata aktuale e Donald Trumpit. Këshilltari i tij i ri për siguri kombëtare ka qenë kundërshtar i pavarësisë dhe ndoshta tani mund të jetë i hapur për vizatim të kufijve të rinj në Ballkan. Por, në këtë lojë ende ka akterë që kundërshtojnë – Gjermania, për shembull. Por, ky shtet nuk është vetëm. Ndarja nuk do të ishte bërë sërish temë po të mos hapej nga vetë presidenti i Kosovës.

Nëse e thjeshtësojmë muhabetin, atëherë kjo domethënë: për 40 mijë serbë në veri të Kosovës duhet të prishet një shtet, ndësa gjymsë milioni shqiptar në Maqedoni duhet të ulin kokën dhe të jetojnë brenda një shteti fiktiv multietnik. Garancë se Kosova do të marrë së paku Preshevën nuk ka. As nuk ka garancë se do të bashkohet me Shqipërinë.

Por, me këso cikërrimash nuk merret Thaçi. Njëherë ai me Vuçiqin po merret me punime në urën e Ibrit. Pas atyre punimeve mund të flitet se kujt i takon Trepça dhe a do të bëjë Serbia sevap dhe të na japë ujë nga Liqeni i Gazivodës?

Forum Enver Robelli Hashim Thaçi