Petullat me ujë të politikës dhe gostia e BE-së

Petullat me ujë të politikës dhe gostia e BE-së

Javën e ardhshme, Komisioni Europian pritet të shqyrtojë çështjen e zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor e, me këtë rast, më 17 prill, Shqipëria mban frymën e pret me shpresë të marrë një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

 

Por, pikërisht një javë përpara kësaj date të rëndësishme të axhendës shqiptare, Kuvendi i Shqipërisë, ku presupozohet se është ajka e elitës së vendit, dëshmoi edhe një herë se çfarë është në gjendje të gatuajë edhe për kësi rastesh, kur duhet të shtrojë gosti, si për popullin, edhe për miqtë e Brukselit.

 

Mielli i Opozitës dhe Uji i Qeverisë ishin perfekt për petullat me ujë që ofron kjo politikë në vazhdimësi, por edhe në rastin e eventeve të tilla, për të dëshmuar, edhe kësaj here, se sa herë ndodhemi para ngjarjesh të rëndësishme për popullin e kombin tonë, klasa drejtuese është e aftë të zhgënjejë në mënyrë të shkëlqyer, si të interesuarit brenda vendit, edhe miqtë tanë strategjikë e dashamirës në botë.

 

Këto shfaqje groteske, ku palët nuk prodhojnë asgjë serioze, veçse rezultate boshe, si petullat me ujë, kur hera-herës shtojnë miell e ujë, nuk janë të parat dhe as të rastit. Edhe këtë herë nuk kishte asnjë arsye serioze që politika të performonte në të tillë mënyrë, kaq të papëlqyer dhe që nuk lidhet me asnjë nga pritshmëritë e publikut.

 

Në shkurt, kur BE afishoi strategjinë për zgjerimin e Unionit me vendet e Ballkanit nuk dha një datë të qartë se kur mund të ndodhnin hapat e tjerë të mëdhenj, dhe kjo solli njëfarë zhgënjimi nga njëra anë. Por, nga ana tjetër, ishte rasti që politika t’u vihej punëve për të rritur shpejtësinë, për t’u vendosur të parët në radhë përpara derës gjysmë të hapur të anëtarësimit. Siç duket, kjo as nuk ndodhi e as po ndodh.

 

Megjithatë, ne mbetemi me shpresë se edhe BE duhet të jetë mësuar me këtë menu, mbushur me brumë bajat, që ofron politika shqiptare dhe prandaj nuk i ka kushtëzuar marrëdhëniet me ne sipas lojës së ditës, por është orientuar nga produkti strategjik afatgjatë.

 

Kjo ka ndodhur për të paktën dy arsye: së pari, se BE ka kuptuar se nga vonesat në procesin e integrimit, i dëmtuari i vetëm është qytetari shqiptar dhe se shpejtimi i procesit duhet të zhvillohet në favor të tij. Dhe, së dyti, ka parë se, pas çdo guri kilometrik të arritur në këtë rrugë të gjatë të anëtarësimit, shqiptarët janë nxitur më shumë drejt përparimit.

 

Kujtojmë këtu dy shembuj, veçanërisht domethënës, në historikun e marrëdhënieve me Perëndimin, ku dëshmohet qartë se vendimet e organizmave perëndimore për të na përfshirë apo për të na përafruar me strukturat e tyre, kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm e të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, por edhe të sigurisë afatgjatë të kombit tonë.

 

Në të dyja rastet, si kur u mor vendimi për të na pranuar në NATO, edhe kur vendet e Bashkimit Europian vendosën regjimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, elitat politike në vend nuk ofronin ndonjë klimë suksesesh të papara, përkundrazi, në njërin rast vinim pas ngjarjes famëkeqe të Gërdecit, në rastin tjetër, pas ngjarjeve të 21 Janarit.

 

Ne shqiptarët optimistë mbetemi shpresëplotë se miqtë tanë perëndimorë në BE e jo vetëm, e kanë verifikuar se sa pozitivë kanë qenë për popullin e kombin tonë të dy këto hapa të hedhura me ndihmën e tyre drejt Perëndimit, demokracisë dhe tregut të lirë.

 

Jemi dëshmitarë se, pas çdo dere të hapur nga BE, vendi është ndier më i sigurt, përfitimi nga investimet e huaja e të mëdha ka qenë edhe më i lartë dhe besimi e optimizmi i ngjallur ka nxitur Shqipërinë të ecë më tej e të jetë më e angazhuar, pavarësisht skenave të papëlqyera të ofruara, jo rrallë nga klasa politike e drejtuese e vendit.

 

Prandaj, edhe në këtë vigjilje vendimesh të rëndësishme, ne urojmë e lutemi fort që komisioni të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe vota e vendeve anëtare të jetë, po ashtu, pozitive dhe sa më e shpejtë.

 

Koha ka treguar se, në procesin e gjatë të integrimit, përgjigjet pozitive të Brukselit ndaj vendit tonë kanë shërbyer si ingredienti i vetëm që i përmirëson shijen publikut shqiptar, të ngopur me petullat me ujë të politikës lokale./Monitor

Loading...

Loading...

more recommended stories

WhatsApp Denonco tek Pamfleti