“Po e përdorin gjykatën si “kamzhik” karshi meje”, shpërthen juristi Kara, letër autoriteteve të larta të vendit dhe trupit diplomatik

juristi Kara

Juristi Romeo Kara, i cili është në betejë ligjore me familjen  Berisha iu ka nisur një letër  të gjithë autoriteteve të larta të vendit, trupit diplomatik si dhe organizatave ndërkombëtare prezente në Shqipëri, ku i informon mbi akte arrogante, të paligjshme dhe tërësisht të papranueshme të gjykatës karshitij, si shenjë hakmarrje dhe kërcënimi, në pergjigje të dy kallezimeve penale për korrupsion të dorëzuara prej meje në Prokurorinë e Përgjithshme.

Me një vendim absurd të gjyqtarit Ahmet Metaliaj, ai është shpallur fajtor për shpifje, karshi Shkëlzen Berishës, pse ka cituar në vitin 2017 një fakt të njohur botërisht prej vitit 2014, nga një tjeter person, ndaj të cilit kurrkush deri më sot nuk ka bërë padi për shpifje.

“Ky është mesazhi i radhës që unë mora, për arsye të qëndrimit tim karshi dy aferave, asaj të privatizimit të OSSH-së, me dëm mbi 400 milionë euro si dhe kontratës DIA-CEZ, me dëm mbi 39 milione euro, dhe me objekt përfitimi mbi 215 milione euro, ku janë përfshire midis të tjereve edhe Sali Berisha së bashku me Ilir Metën. Unë mund të zgjidhja konformizmin, por me bindje zgjodha përballjen, rrugen e së drejtes, bazuar në të vërteta absolute. Unë zgjodha rrugën e lirisë, lirisë për të menduar, për t’u shprehur dhe për të vepruar. Liri do të thotë të mbjellësh virtyte morale, sepse janë ato që e ruajnë lirinë dhe drejtësinë”, shprehet juristi Kara.

Më tej ai i bën thirrje ish kryeministrit Sali Berisha,”ti shohësh në sy të vërtetat e tua, t’i pranosh ato dhe të pendohesh. Së paku, shpëto shpirtin tënd. Vetëm kështu edhe ti do të ndjehesh i lirë dhe i qetë, se je një mjeran dhe peng i së kaluarës tënde, të cilën ti, paratë e tua dhe shërbetoret e tu, nuk e zhbëni dot”.

Letra e plotë:

Tiranë, më 05.12.2018

Drejtuar: Z. Edi RAMA

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Z. Gramoz RUÇI

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Znj. Arta MARKU

Prokurore e Përgjithshme

Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Znj. Erinda BALLANCA
Avokate e Popullit

Znj. Genta TAFA (BUNGO)

Kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit

Z. Luigi SORECA

Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri

Z. Daniel KOSKI

Zv. Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, në detyrë.

Znj. Susane SCHÜTZ

Ambasadore e Republikës Gjermane në Shqipëri

Z. Duncan NORMAN

Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri

Znj. Christina VASAK

Ambasadore e Republikës Franceze në Shqipëri.

Z. Bernd Borchardt
Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Shqipëri.

Komitetit Shqiptar të Helsinkit

Lënda: Vënie ne dijeni dhe kërkesë për sensibilizim.

Të nderuar autoritete të larta të Republikes së Shqipërisë;

Të nderuar ambasadorë të USA, EU, Republikës Gjermane, Mbretërisë së Bashkuar,

Republikës Franceze, OSBE-së dhe Këshillit të Europës,

1. Përgjatë ushtrimit të detyrës sime, si ekspert ligjor i OSHEE-së, në dy raste:

a. Në procesin e privatizimit të OSSH-se nga CEZ, në vitet 2008- 2009;

b. si dhe në lidhjen e kontratës DIA-CEZ, në vitet 2010 – 2011, me objekt mbledhjen e borxheve të CEZ-it, të krijuara nga viti 2007 e më pas,

unë kam konstatuar probleme shumë të rënda si: “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” etj.

2. Për sa më sipër, unë kam kryer një investigim të plotë, kam vënë në dijeni strukturat përkatëse të shtetit, dhe kam kontribuar për zbardhjen e këtyre dy aferave si dhe zbatimin e ligjit, duke dhënë dëshminë time të parë, në datën 23 Nëntor 2016, përpara Komisionit hetimor parlamentar “Për të hetuar dhe verifikuar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimit të marrëveshjes së shitjes së aksioneve miratuar me ligjin nr. 10 116, datë 23.04.2009, “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s, si dhe evidentimi i efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, duke ofruar një dosje të plotë prej disa qindra faqesh me prova dhe fakte në mbështetje të dëshmisë sime, ku unë kam provuar se, procesi i privatizimit të OSSH-se ka qënë:

– i nxituar;

– legjislacioni i duhur për këtë lloj privatizimi nuk ka qënë i përgatitur;

– vendimet e qeverisë janë rrëzuar çuditërisht nga një komision negocimi;

– është hyrë në këtë proçes pa u zgjidhur problematika e titujve të pronësisë midis “OSSH” SH.A dhe “KESH” SH.A si dhe pa zgjidhur detyrimet midis tyre;

– janë shkelur tërësisht procedurat e këtij procesi privatizimi;

– është paguar dy herë studioja e konsulencës IFC;

– nuk janë kompensuar ish subjektet e shpronësuara të truallit të ndërtesave, të persekutuarit, ish-punonjësit e OSSH etj, sipas ligjit nga të ardhurat e këtij privatizimi;

– nuk u vendos një çmim dysheme,

– u bë qëllimisht një zhvlerësim i aseteve me rreth 70.000.000 (shtatëdhjetë milion) $ vetëm me qëllim për të përfituar CEZ-i, dhe në dëm të shtetit shqiptar;

– u ndryshuan specifikimet teknike, që ishin shpallur me ligj, si të panegociueshme: si miratimi i nivelit të borxhit të keq nga 4% në 14% duke krijuar një dëm tjetër prej 70.000.000 (shtatëdhjetë milion) $ për shtetin shqiptar dhe që ndikoi negativisht në koston e çmimit të energjisë elektrike;

– nuk është mbajtur një protokoll i rregullt siç e kërkon ligji në lidhje me këtë procedurë;

– komisionet e vlerësimit të ofertave dhe të negocimit janë ngritur në kundërshtim me ligjin,

kanë shkelur kompetencat dhe kanë shkelur hapur afatet që vendoste ligji në lidhje me këtë procedurë privatizimi.

– mbi të gjitha ka patur prova të mjaftueshme që faktojnë atë që procedura e hapur e tenderit lidhur me këtë privatizim të zhvilluar në vitin 2008, ishte tërësisht një farsë, pasi në realitet kemi një marrëveshje të paligjshme midis qeverisë shqiptare dhe CEZ të cilët kanë punuar së bashku disa vite përpara se të shpallej dhe të realizohej procedura e tenderit 2008 për të realizuar ndarjen e ish-korporatës shtetërore “KESH” SH.A si dhe shitjen e “OSSH” palës çeke, sipas interesave të diktuara prej saj dhe në dëm të shtetit shqiptar.

3. Atë çfarë unë thashë në datë 23.11.2016, e vërtetoi me fakte Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili në fillim të vitit 2017, mori konfirmim nga bankat e Shqipërisë, se pala çeke, ka derdhur për llogari të personit Nuel Kalaj (sekseri i kësaj afere), nga Janari i vitit 2008 e në vazhdim, rreth 6.8 milion Euro, të cilat janë tërhequr totalisht prej tij, në disa raste dhe në mënyrë të paligjshme, deri në Qershor të vitit 2009, shumë pak kohë pas miratimit të kontratës në Parlament, në Prill të vitit 2009 (ligji nr. 10 116, datë 23.04.2009) dhe njëkohësisht shumë pak ditë para se të realizoheshin zgjedhjet e 28 Qershorit 2009.

4. Për sa më sipër, kam konstatuar se, i gjithë procesi i privatizimit është menaxhuar nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet dy vendimeve të saj:

– VKM Nr. 487, date 16.04.2008 “Për kriteret e përzgjedhjes së investitorëve strategjikë, të interesuar për blerjen e aksioneve të shoqërisë “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” sha”

– VKM Nr. 835, date 11.06.2008 “Per përcaktimin e madhësisë së paketës së aksioneve të kapitalit, të shoqërisë anonime “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”, që u ofrohet investitorëve strategjikë”,

të cilat janë shkelur po nga vetë qeveria dhe komisionet përkatëse që janë marrë me këtë procedurë.

5. Ne zbatim te ligjit, unë kam kallëzuar penalisht më 31 Mars 2017:

– Sali Berisha (ish Kryeministër),

– Nuel (Nue) Kalaj (sekser),

– Genc Ruli (ish Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës/Kryetar i Komitetit të Konsulencës dhe Transparencës),

– Mimoza Vokshi (Anëtare e Grupit të Negocimit/Ish Drejtor i METE),

– Suzana Guxholli, (ish-Këshilltare e Kryeministrit Berisha),

– Neritan Alibali, (ish Zv. Ministër i METE/Kryetari i Grupit të Negocimit me CEZ dhe Kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave),

– Alfred Rushaj (ish Zv. Ministër i Financave/ Anëtar i Grupit të Negocimit me CEZ),

– Fatjon Tugu (Anëtar i Grupit të Negocimit me CEZ/ Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave),

– Sherefedin Shehu(Anëtar i Grupit të Negocimit me CEZ),

– Asllan Sherra (Anëtar i Grupit të Negocimit me CEZ),

– Viktor Gumi (Anëtar i Grupit të Negocimit me CEZ),

– Miran Kopani (Anëtar i Grupit të Negocimit me CEZ),

– Bujar Nepravishta (ish Kryetar i ERE),

– Durim Kraja (ish Sekretar i Përgjithshëm i METE/Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave),

– Engjëll Qorlaze (Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave),

– Vasil Pano (Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave).

6. Për çudi, vetëm pak ditë pas dhënies së dëshmisë sime në Parlament, më 23 Nëntor 2016, aksidentohet gruaja dhe vajza ime, duke u rrezikuar seriozisht jeta e tyre.

7. Ndërsa pas kallëzimit që unë bëra më datë 31 Mars 2017, kërcënohen dhe dy djemtë e mi, dhe kjo gjë pikërisht, në ditën kur, unë po jepja deklarime të hollësishme rreth kallëzimit, në Prokurorinë e Përgjithshme.

8. Njëkohësisht prej Janarit të vitit 2017 e deri më sot janë një numër jo i vogël padishë penale për shpifje, të cilat ngrihen nga djali i ish Kryeministrit Berisha ndaj meje.

9. Në të gjitha rastet kur janë ngritur këto padi, për çudi, për gjykimin e tyre, caktohen gjyqtarë, të cilët njihen publikisht, që janë njerëz të afërt me familjen Berisha dhe klanin e tij. (Nuk bëhët fjalë për gjyqtarë të caktuar me short).

10. Kur kam kërkuar ligjërisht përjashtimin e gjyqtarëve, të lidhur me familjen Berisha, gjykata ka caktuar gjyqtarë të tjerë, edhe ata të lidhur me Berishën, për të gjykuar dhe vendosur për përjashtimet e kërkuara prej meje, dhe sigurisht, që ata i kanë rrrëzuar kërkesat e mia.

11. Në qershor të vitit 2017, kërkova përjashtimin e gjyqtarit Gerd Hoxha, pasi familjarë të tij (motra e tij ), kishin punuar në studion ligjore, të vajzës së Berishës dhe unë ofrova mbi 200 (dyqind) faqe prova, për të mbështetur kërkesën time.

12. Nuk kërkova asgjë, përveçse të drejtën time, për t`u gjykuar nga një gjyqtar i paanshëm, por, me arrogancë të pahasur kurrë më parë, brenda 1 (një) minute nga dorëzimi i mbi 200 (dyqind) faqeve prova, gjyqtari Ahmet Metaliaj, rrëzoi kërkesën time.

13. Jam skandalizuar kur pashë se, ky gjyqtar i njohur publikisht gjithashtu për lidhje me familjen Berisha, në mënyrë arrogante përpara meje, që jam vetë pjesë e sistemit të drejtësisë, guxoi dhe dha një vendim, jo vetëm pa marrë fare parasysh provat, por pikërisht vetëm pak sekonda pas dorëzimit të tyre.

14. Përse ky gjyqtar, duhet të bëjë një veprim të tillë, me një kosto të lartë ligjore, me arrogancë dhe fare hapur?

15. Përse ky gjyqtar duhet të sillet e të veprojë si një kamikaz i Berishës?

16. Ajo që unë ndjej dhe besoj, eshte përcjellja e një mesazhi, se për atë që unë kisha bërë dhe po bëj, do të përballem këtëj e tutje, me arrogancë dhe se sistemi nuk funksion sipas rregullit, por sipas urdhrit të Berishës.

17. Megjithatë unë kam vazhduar në rrugën time dhe në datën 18 Tetor 2017, depozitova pranë Prokurorisë së Përgjithshme, një tjetër kallëzim penal për shtetasit:

– Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë,

– Sali Berisha, ish Kryeministër i Republikës së Shqipërisë,

– Kastriot Ismailaj,

– Martin Roman, ish Drejtor Ekzekutiv i CEZ Group,

– Tomas Pleskash, z/kryetar i Bordit të Drejtorëve të CEZ-Group,

– Josef Hejsek, ish kryetar i Bordit të Drejtorëve të CEZ-Shpërndarje,

– Bujar Nepravishta, ish Kryetar i Entit Rregullator të Energjisë,

me objekt: “Shpërdorim detyre”, “Korrupsionit pasiv”, dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, lidhur me kontratën DIA – CEZ, ku unë kam konstatuar një dëm jo më pak se 39.000.000 (tridhjetë e nëntë milion) Euro.

18. Vlen të theksoj se lidhur me këtë kallëzim penal, përveç fakteve të tjera të zbuluara nga unë, unë kam ofruar edhe një dëshmi të dhënë nga ish Kryetari i Bordit të Drejtorëve të CEZ, Josef Hejsek. Në këtë dëshmi të dhënë më datë 26 Tetor 2014, Josef Hejsek pohon se, Kastriot Ismailaj, person i cili sot është dënuar me vendim penal të formës së prerë, është prezantuar nga ish-ambasadori i Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, si personi me të cilin CEZ-i duhej të bashkëpunonte lidhur me mbledhjen e borxheve (430.000.000 Euro). 50% e kësaj shume do t’i kalonte kompanisë të administruar nga Ismailaj, i cili ishte i rekomanduari i qeveritarëve shqiptarë.

Arsyeja për të cilin ai ishte ofruar, ishte se ishte një aleat i ngushtë i Ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta dhe Kryeministrit Sali Brisha.

Josef Hejsek pranon se Qazim Tepshi, më prezantoi me Kastriot Ismailaj në Tiranë, duke thënë se, ai kishte lidhje të mira me Ilir Meta dhe gëzonte besimin e tij. Në këto kushte CEZ-i, e trajtoi Ismailajn si kandidatin e qeverisë shqiptare për të mbledhur borxhet.

19. Në mbështetje të këtij kallëzimi, unë kam arritur të siguroj dhe një video, të realizuar më datë 12 Shkurt 2016, nga gruaja e Ismailajt në një nga hotelet e Vjenës, përballë gazetarit investigativ Fatos Mahmutaj, ku ajo implikon tërësisht dhe pa ekuivok Ilir Metën, si frymëzues dhe bashkëpunëtor të Ismailajt në aferën DIA-CEZ.

Këtë video unë e kam dorëzuar në cilësinë e provës, pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

20. Pak javë pasi kam bërë kallëzimin e mësipërm, si kundërpërgjigje, klani Berisha shtoi paditë e tij penale për shpifje kundra meje.

Jam paditur penalisht për shpifje edhe për fakte të njohura botërisht, të thëna shumë kohë më përpara sesa të citoheshin nga unë.

21. Në 20 Tetor 2017, në debatin publik, lidhur me ish ministrin Tahiri, unë i drejtohem publikisht djalit të Sali Berishës me pyetjen: “Atë heroinën që çoje me makinën e babit dhe karburantin e shtetit tek Landi Jasharit Vlorë, nuk e ke harruar besoj”?

22. Lidhur me këtë pyetje, unë i jam referuar ekzaktësisht intervistës së dhënë më datë 12.09.2014 gazetares Mira Kazhani, dhe botuar në Gazetën Dita ne daten 15.09.2014, nga ish bodigardi i Sali Berishës dhe i familjes së tij, Izet Haxhia. Kjo intervistë është dhënë me video dhe e printuar, e realizuar në Kusadasi, të Turqisë, krejtësisht larg ndikimit apo ndonjë manipulimi tjetër prej meje.

23. Është e pabesueshme sesi merret guximi, të shpërdorosh të drejtën e padisë, për të ngritur një padi penale për shpifje, lidhur me fakte të njohura botërisht, me të cilat publiku është njohur 3 (tre) vjet përpara se unë ti citoja ato.

24. Fakti, që lidhur me këto thënie, nuk është paditur as burimi i tyre Izet Haxhia, as gazetarja Mira Kazhani, televizioni apo gazeta “Dita”, që i kanë transmetuar dhe botuar ato, por paditem vetëm unë si citues i tyre, flet qartë dhe pa ekuivok se, e drejta për të ngritur padi, po përdoret si presion i hapur kundër meje, për të vetmen arsye se, unë mora guximin të investigoj dhe denoncoj ligjërisht dhe publikisht 2 (dy) nga aferat më të mëdhaja të korrupsionit, ku janë përfshirë Sali Berisha dhe Ilir Meta, si dhe një numër jo i vogël ish qeveritarësh të tjerë pas tyre.

25. Për çudinë e rradhës, gjyqtarit të cilit i ra “shorti” lidhur me këtë padi penale, ishte përsëri Ahmet Metaliaj, i cili jo vetëm që nuk dha dorëheqjen, që u kërkua nga unë, por vetëm pak sekonda pasi iu dorëzuan konkluzionet përfundimtare, fare pa i parë ato, nxorri të shkruar një vendim të parapërgatitur, ku më shpalli mua fajtor për shpifje dhe më dënon me pagimin e shumës prej 500.000 (pesëqind mijë) lekësh, brenda një periudhë 6 (gjashtë) muaj, nga marrja e vendimit formë të prerë.

26. Si qytetar dhe si avokat, unë konstatoj se, ky vendim është dhënë tërësisht në kundërshtim me ligjin shqiptar si dhe konventat e ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, të cilat prevalojnë mbi ligjet e vendit.

Ky vendim është dhënë në kundërshtim të hapur me nenet 9 dhe 10 të Konventës Europiane të të Drejtave te Njeriut, e cila garanton të drejtën e kujtdo, për lirinë e mendimit dhe të shprehjes.

27. Lidhur me rastet e citimeve, Manuali për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut, sqaron qartë, në faqen 301, pika 9, se cdo njeri, ka të drejtën e lirisë së citimit, dhe sidomos në rastet, kur vetë burimi i thënies, nuk është akuzuar për shpifje.

28. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, ka përcaktuar qartë, që në vitin 2013 se, nuk mund të ketë procedime penale për shpifje, lidhur me raste te tilla. (Stojanovic vs Croatia, No. 23160/09).

29. Përse atëherë, ky gjyqtar, veproi kaq hapur me arrogancë, antiligjërisht dhe antiprofesionalisht kundër meje?

30. Ajo që unë ndjej dhe kuptoj, është se tashmë të bindur qe, unë nuk kthehem pas nga rruga të cilën kam nisur, personat të cilët unë kam kallëzuar, natyrisht Berisha i pari, në pamundësi për të goditur arsyetimin e kallëzimeve të mia, po mundohen maksimalisht të godasin arsyetuesin, në këtë rast mua.

31. Me anë të kësaj letre, kërkoj t`iu sensibilizoj ju, t`iu vë në dijeni, apo t`iu rifreskoj disa rrethana kyçe të këtyre proceseve të iniciuara prej meje, dhe për të cilat unë po paguaj taksën e këmbënguljes për vendosjen e drejtësisë.

32. Jam i bindur, që edhe për akuzat e tjera për shpifje, të ngritura nga i biri i Berishes kundër meje, unë do të shpallem përsëri fajtor, dhe klani Berisha-Meta, përveç përbaltjes sime, do të vazhdojë deri në fund, me atë që dinë të bëjnë më mirë, në këtë rast, kur kanë përballë njerëz si puna ime, të ushtrojnë presion politik, publik, ekonomik, jetik etj.

33. Kërkoj me forcë, që të hetohet ky rast i pastër dhe flagrant, presioni, kërcënimi dhe hakmarrje karshi meje, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së ligjit, nga ana e gjyqtarit Ahmet Metaliaj.

34. Është i paimagjinueshëm dhe tërësisht i papranueshëm, një shpërndorim i tillë i ligjit dhe i pushtetit, që të cilësosh si shpifje, citimin e një fakti të njohur publikisht, dhe për më tepër, kur nuk ngrihet padi penale, për vetë personin, që është burimi i thënies.

35. Shpresoj që këto fakte, që unë i rendita para Jush, të cilat fatkeqësisht gjykata nuk i mori parasysh, të zgjojnë interesimin tuaj, për të dhënë kontributin tuaj, lidhur me sensibilizimin e duhur dhe rivendosjen e drejtësisë.

36. E kam të pamundur të pranoj, që të pajtohem me këtë situatë, me atë që ligji kurrë nuk do të funksionojë tek ne, dhe të përqafoj dëshpërimin që i ka mbuluar shumicën e shqiptarëve, për këtë arsye.

Bashkëlidhur keni 2 (dy) kallëzimet penale të bëra nga unë më datë 31.03.2017 dhe 18.10.2017.

Nëse jeni të interesuar për provat bashkëlidhur këtyre kallëzimeve, mund t`iu vendos në dispozicion më vonë, për shkak të kapacitetit të tyre të madh.

Me konsideratë,

Romeo KARA

Loading...

Loading...
WhatsApp Denonco tek Pamfleti