Kosova17 Dhjetor 2022, 14:37

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Sindikata e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se policët janë bllokuar nga barrikadat në Leposaviq dhe Jarinjë.

Me këtë rast, kjo sindikatë ka kërkuar që të intervenohet menjëherë nga organet e vendit dhe ato ndërkombëtare.

“Sindikata e Policisë dhe të gjithë pjesëtarët e policisë janë duke i përcjellur nga afër këto zhvillime si dhe janë shumë të shqetësuar për fatin e kolegëve të bllokuar, prandaj u bëjmë thirrje urgjente Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policor t’ju bëhet ndërrimi”, thuhet në njoftimin e saj.

Zyrtarët policor në këto dy lokacione të bllokuara po rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën e tyre për shkak të kushteve të vështira të krijuara nga rrethanat dhe ambienti në të cilin qëndrojnë, është thënë më tej në komunikatë.

“Duhet të kuptojmë se edhe durimi e ka fundin e vet edhe për ata që janë atje edhe për ne. Në këtë rast është tejkaluar gjithçka nga normalja sepse kemi të bëjmë me rrezikun e jetës nga sëmundje të ndryshme të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve që banojnë në atë pjesë, tani më kemi të bëjmë me krizë humanitare, prandaj duhet të intervenohet urgjentisht”.

Sindikata, mes tjerash, thotë se policët janë duke kryer detyrat në mënyrë të ligjshme duke mbrojtur jetën, sigurinë dhe kontrollin e kalimit kufitar.

“Policia e Kosovës ushtron autorizimet e tyre dhe kryejnë detyrat në mënyrë të ligjshme, të bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës,në ligjeve tjera në fuqi dhe në Kodin e Etikës, duke vepruar në mënyrë të paanshme për të mbrojtur jetën, pronën,sigurinë , kontrollin e kalimit kufitar për të gjithë pa dallim etnie apo nacionaliteti”.

Bllokimi i rrugëve ka hyrë në ditë në tetë dhe si pasojë është cenuar lëvizje e lirë e qytetarëve dhe organeve të rendit dhe zyrtarët policorë në Leposaviq dhe Jarinjë kanë mbetur të bllokuar pa pasur mundësi t’ju bëhet ndërrimi sipas rregullave për funksionim normal.

Prishtine Barrikadat në veri Policia e Kosovës veriu i Kosovës

Kosova