Kosova11 Dhjetor 2022, 17:00

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Policia e Kosovës ka demantuar mediat serbe të cilat kanë raportuar se njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë ndaluar dhe maltretuar te Ujmani një punonjës serb.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e ka vlerësuar si të brishtë situatën në veri të vendit.

Derisa i ka përgënjeshtruar këto pretendime, organet e rendit të Kosovës kanë bërë me dije se njësitet e saj janë vendosur në rrugën kryesore që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut dhe nuk është vendosur në ndonjë objekt të caktuar si dhe nuk ka maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media.

“Vetëm ka legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Pikërisht në këtë lokacion mbrëmë grupet kriminale në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore që kanë qenë në detyrë zyrtare, e të cilat në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale”, thuhet më tej në reagimin e PK-së.

Sipas Policisë, përderisa edhe të dielën vazhdojnë bllokimet e rrugëve në drejtim të dy pikëlalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si masë paraprake të sigurisë ka mbyllur përkohësisht për qarkullim këto dy pika kufitare, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot.

“Një situatë e brishtë ka vazhduar edhe gjatë natës, e tillë vazhdon të jetë edhe sot, andaj Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare po vazhdon fuqishëm angazhimet e saja me njësitet policore, në ofrim të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar të involvuar në veprimtari kriminale”, thuhet tutje në njoftim.

Prishtine Policia e Kosovës Ujmani veriu i Kosovës