Aktualitet12 Gusht 2019, 07:12

Politika uron çuditshëm Bajramin; Meta nga Prevalla, Rama nga plazhi, Berisha nga “ngujimi” në Lalz, Basha me një cjap

Shkruar nga Pamfleti

Politika uron çuditshëm Bajramin; Meta nga Prevalla, Rama nga plazhi, Berisha nga “ngujimi” në Lalz, Basha me një cjap

Shqipëria është një vend i çuditshëm. Të kundërtat e arësyes janë e përditshmja jonë. Në raste festash në vend që çmimet të ulen, shtrenjtohen. Kështu ndodhi edhe këtë Bajram. E në këtë budallaki, siç i thonë në Kosovë, nuk mbeti mbrapa as politika. Politikanët tanë me rastin e Bajramit (!) i  dyfishuan  apelet dhe mesazhet e koduara nga vendet ku ndodhen. Presidenti i “pasaportizuar” në Prevallë; Rama që po “piqet” në Dhërmi; Berisha, mbyllur në kuvlinë (vilën) e tij në Gjirin e Lalzit  dhe Basha nga Holanda, kërkojnë të lajnë sakrilegjet e tyre para Zotit me urime të çuditshme dhe qesharakei

Krerët e politikës shqiptare janë me të vërtetë të çuditshëm, kur vjen puna për të fituar kredo mbështetjeje tek militantët dhe elektorati i tyre.

Dhe këto specifika, të pangjashme me asnjë vend në botë, politika shqiptare nis dhe i shfaq pikërisht në rast festash, e sidomos në ato fetare.

Duke qënë një vend i çuditshëm, pasi dhe çmimet e ushqimeve me të cilat festohet, gjithnjë dyfishohen në rastin e festave duke i vënë konsumatorët përballë detyrimit për t’i blerë, dhe politika nuk mbetet pas, duke dyfishuar apelet dhe mesazhet.

Përtej urimit të besimtarëve myslimanë për festën e Bajramit, politikanët shqiptarë kanë patur luksin të bëjnë thirrje dhe për dialog, të dërgojnë mesazhe të koduara nga vendi ku ndodhen.

Ilir Meta, presidenti ynë, ka kohë që e ka bërë “pasaportizimin” në Prevallë, ku kalon thuajse 6 muajt e vitit, herë nën shoqërinë e miqve e herë herë dhe të familjes, pa zbardhur asnjëherë faktin se kush ia paguan shpenzimet, sa kushton ruajtja dhe siguria e tij etj.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh të shkurtër që nga plazhi në Dhërmi ku gjendet, me një foto nga xhamia e Gjirokastrës e rikonstruktuar duke ngjallur sërish debat, për shkak se është ndryshuar kupola, dhe një shoqatë ka konteste.

Sali Berisha është i ngujuar në Gjirin e Lalzit nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga ana e njerëzve që u ka punuar qindin në tërë vitet e qëndrimit në pushtet ose opozitë, apo nga familjarët e djemve të vrarë që akuzojnë Berishën si urdhërdhënës.

Dhe nuk janë pak ata që nuk e duan Berishën në këtë dynja, duke filluar nga Haklajt e përfunduar tek familjarët e viktimave të 21 janarit të vitit 2011, të cilët u vranë nga Garda e Republikës, në mes të Bulevardit tek protestonin përballë kryeministrisë.

Ndërsa Lulzim Basha ka uruar nga Holanda, por i uruari në përpjekje për të bërë një gjë të madhe, ka shoqëruar postimin e urimit për Bajram me një kokë cjapi, si simbol të kurbanit për këtë festë.

Duke parë këtë përpjekje të lidershipit politik për të qënë prezent me deklaratat e tyre para qytetarëve, nuk ka se si të mos bjerë në sy mënyra qesharake e këtij prezantimi, pasi janë të gjithë mëkatarë dhe kërkojnë të lajnë gjynahet para Zotit thjeshtë me një mesazh urimi./Pamfleti

codramol
smile

Kryesore Basha me një cjap Berisha nga “ngujimi” në Lalz Politika uron çuditshëm Bajramin; Meta nga Prevalla Rama nga plazhi