Aktualitet27 Shtator 2018, 16:18

Politikanët e korruptuar dhe krerët e krimit të organizuar të trembur si para djallit, vjeshta po jep sinjalin e tronditjes

Shkruar nga Pamfleti
Politikanët e korruptuar dhe krerët e krimit të organizuar

Politikanët e korruptuar dhe krerët e krimit të organizuar janë të paralizuar nga frika. Ndërkombëtarët tashmë kanë vendosur për vije këshillimin, trajnimin dhe pajisjet për BKH. Prokurorët federalë, të cilët kanë mbërritur prej kohësh në vendin tonë kanë lëvizur gurët e duhur për krijimin e SPAK. Dhe të dy këto institucione duket se do të jenë funksionale këtë vjeshtë.

Kryeprokurorja Arta Marku intensifikoi dje lëvizjet për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky organ i ri momentalisht ndodhet në ngërç sepse mungojnë kandidatët për shkak të shkarkimeve të shumta nga vetingu.

 Sipas ligjit, KLP përbëhet nga 11 anëtarë, 5 nga të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi, ndërsa 6 të tjerë duhet të zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve. Ligji përcakton se nga 6 emrat, 3 duhet të jenë prokurorë të Shkallës së Parë, ku duhet të ketë përfaqësues edhe nga Prokuroritë e Tiranës. Dy kandidatë duhet t’i përkasin Prokurorive të Apelit, ku një duhet të jetë nga Prokuroritë e Tiranës dhe një nga rrethet. Po ashtu, një anëtar duhet të jetë përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme. Ngërçi qëndron tek Prokuroria e Apelit Tiranë sepse nuk ka asnjë kandidat. I vetmi që kandidonte nga Apeli i Tiranës ishte Luan Kaloçi, por ai u shkarkua nga vetingu. Për këtë arsye Prokuroria e Përgjithshme vendosi që të hapte edhe një herë garën për kandidatë nga prokurorët e Apelit për KLP.

Sapo të mbyllet faza e aplikimit dhe të zgjidhet ngërçi, pritet që të ngrihen KLGJ dhe KLP. Kjo do të thotë që është afër edhe dita e ngritjes së SPAK dhe BKH. Ligji përcakton që këto dy struktura ngrihen 2 muaj pasi janë ngritur KLGJ e KLP.

Me ngritjen e SPAK dhe BKH pritet që të fillojë “furtuna e tronditjeve” antikorrupsion e antikrim në nivele të larta. Elementë e subjekte të përfshira në korupsion e veprimtari të tjera antiligjore i tremben njësisë së re si djalli, ndaj po bëjnë çfarë është e mundur për t’i venë gur në rrota ngritjes dhe funksionimit të këtij institucioni kryesor të Reformës në Drejtësi.

E ngjashme me FBI-në amerikane, SPAK do të sjellë pastrimin e skenës shqiptare nga të inkriminuarit e të gjitha niveleve.

 

Aktualitet vjeshta po jep sinjalin e tronditjes