Politike22 Prill 2024, 10:51

A do të vdisnit vërtet për vendin tuaj? Shërbimi ushtarak rikthehet në vëmendje

Shkruar nga Pamfleti

A do të vdisnit vërtet për vendin tuaj? Shërbimi ushtarak

Të ulesh dhe punosh në një tavolinë është më mirë sesa të zvarritesh nëpër baltë. Gjithsesi, në disa vende të pasura, gatishmëria e të rinjve për të luftuar mbetet e lartë...

E shtrirë barkas në një zonë pyjore plot baltë në Holandë, Sabrina Van den Goorbergh qëllon mbi tabelat e qitjes me një pushkë sulmi të tipit Colt c7. Studentja e vitit të tretë mjekësi, po merr pjesë në Dienjaar (viti i shërbimit), një program i ri që i lejon të rinjtë holandezë të regjistrohen për një trajnim 1-vjeçar në forcat e armatosura në vend të shërbimit të rregullt 4-vjeçar.

Programi ka rezultuar i suksesshëm, duke tërhequr 3 aplikantë për çdo vend vakant, ndërsa vitin e ardhshëm qeveria planifikon të shtojë nga 625 në 1.000 numrin e kursantëve. Gjithsesi, vështirë se ky program mund të nisë të zgjidhë problemet që ka vendi me rekrutimin ushtarak. Forcat e armatosura holandeze numërojnë në total 49.000 trupa, më pak se një e pesta e madhësisë së tyre gjatë Luftës së Ftohtë. Një në 10 pozicione është vakant. Vitin e kaluar, rekrutimi solli vetëm 3.600 nga 5.000 ushtarë që shpresohej. Aktualisht kur jemi përballë luftës më të madhe në kontinent që nga viti 1945, shumë vende evropiane synojnë të zgjerojnë forcat e tyre të armatosura.

Deri në vitin 2030, Gjermania shpreson të zgjerojë ushtrinë nga 182.000 në 203.000 trupa, ndërsa Franca nga 240.000 në 275.000. Edhe Polonia planifikon të shkojë nga 197.000 në 220.000 trupa deri në fund të këtij viti, dhe më vonë në 300.000.

Por problemi është se të rinjtë e sotëm, individualistë dhe të orientuar drejt karrierës, ngurrojnë t’i bashkohen ushtrisë. Dhe nuk është vetëm Evropa ajo që po has vështirësi me rekrutimin. Në shumë vatra të nxehta të konfliktit në botë, është bërë jetike çështja se si të përfshihen më shumë njerëz në uniformë.

Madje disa vende po i kthehen metodës së vjetër: shërbimit të detyrueshëm ushtarak për të rinjtë, dhe më shpesh për ata që e kanë lënë shkollën. Sigurisht, ndryshon terminologjia. Zakonisht rekrutimi nënkupton joshjen e civilëve për t’u regjistruar në forcat e armatosura. Ndërsa shërbimi ushtarak i referohet shpesh urdhërimit të të rinjve që të bëhen pjesë e ushtrisë.

Në fillim të shekullit XX 20-të rreth 80 për qind e vendeve kishin një formë shërbimi. Nga mesi i viteve 2010, norma ishte më pak se 40 për qind. Kjo praktikë arriti kulmin e saj gjatë luftërave botërore dhe shumë vende vazhduan të mbështeten tek shërbimi ushtarak i detyrueshëm gjatë gjithë Luftës së Ftohtë.

Më pas, fokusi i Perëndimit u kthye tek fushatat anti-rebelim të teknologjisë së lartë, si ato në Afganistan dhe Irak. Ushtritë e rekrutimit masiv u zëvendësuan kryesisht nga forca vullnetare më të vogla dhe më profesionale. Që nga viti 1995, 13 anëtarë të OECD-së, klubi i vendeve më të pasura të botës, e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm.

Të gjithë, përveç 8 nga 32 anëtarët e NATO-s, e kanë hequr atë. Por vendet autoritare si Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia e vazhdojnë këtë praktikë. Diskutimi më urgjent rreth shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rekrutimit, po zhvillohet në vendet që përballen me një kërcënim serioz lufte, apo që janë tashmë në një të tillë.

Marrim Ukrainën. Më shumë se dy vjet pas pushtimit të Rusisë, mijëra burra po emigrojnë jashtë vendit ose po fshihen brenda vendit, për të shmangur fletë-thirrjen nga ushtria. Më 2 prill, mungesa e trupave e detyroi Ukrainën të ulte moshën minimale të rekrutimit nga 27 në 25 vjeç.

Rusia ka dërguar në front qindra mijëra burra të mobilizuar me forcë. Në Izrael, shërbimi ushtarak i detyrueshëm është një nga shtyllat qendrore ku bazohet shteti. Pas sulmeve të 7 tetorit, rreth 300.000 izraelitë lanë jetën civile dhe nxituan t’i bashkoheshin njësive të tyre.

Tani ky vend dëshiron ta zgjasë në 3 vite shërbimin e rekrutëve meshkuj (të rejat shërbejnë aktualisht për 24 muaj, ndërsa të rinjtë për 32 muaj) dhe të zgjasë deri në 45-vjeç moshën e thirrjes në shërbim për rezervistët.

Në të njëjtën kohë, përjashtimi i hebrenjve ultra-ortodoksë nga shërbimi është objekt i një beteje politike të ashpër. Ndërkohë në Azi, Tajvani po përpiqet të përgatitet për një luftë të mundshme me Kinën, ndërsa vazhdojnë tensionet Kinë-SHBA. Në vitin 2022, Tajvani e zgjati nga 4 muaj në 1 vit kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak.

A do të vdisnit vërtet për vendin tuaj? Shërbimi ushtarak

Ishulli ka vetëm 169.000 ushtarë aktivë (ndërsa Kina ka rreth 2 milionë). Koreja e Jugut, ku shërbimi ushtarak ka një reputacion të keq, po përpiqet ta bëjë më tërheqës atë. Shërbimi është reduktuar në vetëm 18 muaj, pagat në ushtri po rriten ndërsa janë pakësuar rastet e komandantëve sadistë ndaj rekrutëve të rinj.

Po ashtu, qeveria dëshiron të punësojë më shumë gra. Në shumë vende, rekrutuesit e forcave të armatosura po përballen me sfidën që vjen nga ndryshim i vlerave: të rinjtë e sotëm janë rritur duke urryer luftën, madje edhe kur ajo është mbrojtëse.

Për dekada, Anketa e Vlerave Botërore, një projekt kërkimor akademik, u ka bërë njerëzve në mbarë botën të njëjtën pyetje: “A do të ishit të gatshëm të luftonit për vendin tuaj?”. Në sondazhin më të fundit, midis viteve 2017-2022, vetëm 36 për qind e holandezëve 16 deri në 29 vjeç thanë po.

Rekrutuesit përpiqen që t’i kundërvihen kësaj tendence me retorikën e patriotizmit, vetë-përmbushjes dhe vlerave të përbashkëta. Slogani i forcave të armatosura gjermane, Bundeswehr, është “Wir. Dienen. Deutschland.”(Ne. I shërbejmë. Gjermanisë.) Po ashtu drejtojnë fushata sensibilizimi përmes influencuesve në TikTok dhe Instagram.

Por duket se kjo nuk mjafton për të arritur objektivat e tyre. Por kjo sjellje është pjesërisht e pritshme. Ndërsa vendet bëhen më të pasura, qytetarët e tyre priren të bëhen më pak të etur për të sakrifikuar veten për kombin. Politologu gjerman Herfried Münkler, i quan demokracitë perëndimore si shoqëri “post-heroike”, në të cilat “vlera më e lartë është ruajtja e jetës njerëzore” dhe mirëqenia personale.

Sigurisht, një rol luan edhe historia. Gatishmëria për të luftuar është e ulët në vendet që humbën në Luftën e Dytë Botërore (Gjermani, Itali dhe Japoni). Në Spanjë dhe Portugali, dekadat e diktaturës ushtarake, kanë lanë shumë qytetarë dyshues ndaj forcave të armatosura.

Por gjërat mund të ndryshojnë kur afrohen konfliktet. Sipas një studimit të fundit Wolfgang Wagner dhe Alexander Sorg të Universitetit Vu në Amsterdam dhe Michal Onderco i Universitetit Erasmus në Roterdam, afërsia me luftën i bën qytetarët më të gatshëm për të luftuar. Në Evropë, kjo ndihmon për të shpjeguar arsyen pse vendet afër Rusisë janë më pak paqësorë.

Ndërkohë afërsia ideologjike është një parashikues i dobët i vullnetit për të mbajtur armë. “E djathta radikale nuk është aq e etur për të luftuar”- thotë Wagner, të paktën në Gjermani dhe Holandë. Vitin e kaluar ai dhe kolegët e tij kryen një studim në ato vende, që zbuloi çuditërisht se ata që mbështetën partitë e qendrës, si socialdemokratët dhe kristiandemokratët në Gjermani, ishin më të përgatitur për të shkuar në luftë.

Përveç ndryshimit të vlerave, rekrutuesit përballen me një pengesë tjetër serioze: të rinjtë kanë aktualisht shumë punëdhënës që bëjnë oferta për shërbimet e tyre. Në shumicën e vendeve të pasura, Gjenerata Z ka zgjedhjet e veta të punës. Papunësia midis 15-24-vjeçarëve në Bashkimin Evropian ishte 14.5 për qind vitin e kaluar, nga 22.4 për qind në vitin 2015.

Në Gjermani norma ishte vetëm 5.8 për qind. Në këto kushte, ushtritë e kanë të vështirë të konkurrojnë me sektorin privat. Përveç kësaj, të ulesh dhe punosh në një tavolinë është më mirë sesa të zvarritesh nëpër baltë. Gjithsesi, në disa vende të pasura, gatishmëria e të rinjve për të luftuar mbetet e lartë.

Në Francë ajo është 58 për qind. Shifra është akoma më e lartë në Singapor, Tajvan dhe Korenë e Jugut. Në Danimarkë, Finlandë, Norvegji dhe Suedi, 4 nga vendet më të pasura dhe më paqësore në botë, 2/3 e qytetarëve thonë se janë të gatshëm të luftojnë për vendit i tyre (këto vende janë pranë Rusisë)./Përshtati Pamfleti nga “The Economist”

shërbimi ushtarak lufta