Politike30 Nëntor 2023, 10:11

Amerikanët po përgatisin goditjen përfundimtare ndaj Sali Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Amerikanët po përgatisin goditjen përfundimtare ndaj Sali
Foto Ilustruese: Antony Blinken dhe Sali Berisha /

Një delegacion i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, i kryesuar nga shefja e kabinetit të Sekretarit Blinken, Suzy George, ka zbarkuar në Tiranë...

Amerikanët po përgatisin një goditje të re e të fortë ndaj Sali Berishës. Burime diplomatike, i thanë Pamfletit, se ka disa kohë që amerikanët, por edhe zyrtarë të BE-së, kanë zhvilluar e po zhvillojnë takime të rëndësishme me disa nga figurat e njohura në vite të opozitës dhe Partisë Demokratike.

Intelektualë, por edhe ish-zyrtarë të lartë të kohës së PD-së, duke përfshirë ministra, deputetë, profesorë universitetesh etj, pritet që së shpejti të dalin në publik për të kërkuar hapur që Sali Berisha nuk duhet të ketë punë më me politikën e opozitës shqiptare.

Emra të rëndësishëm, të cilët janë larguar prej vitesh nga PD-ja, pikërisht nga Berisha, janë bërë gati që të dalin në frontin publik për të treguar të gjitha të vërtetat e tyre të historisë së 33 vjetëve, ku njeriu që sot është nën hetim dhe i pandehur nga SPAK, ka spastruar PD-në për të ruajtur pushtetin e tij.

Deri tani, i vetmi që del në publik dhe është aktiv herë pas here është ish-Presidenti Bamir Topi, i cili së bashku me disa prej emrave të njohur të PD-së ka zhvilluar takime e biseda me disa intelektualë, me synimin për të ringjallur opozitën shqiptare.

Siç mësohet, disa prej këtyre figurave, kanë shprehur gjatë takimeve të zhvilluara edhe me diplomatë, se ata janë në punën e tyre, dhe nuk kanë asnjë ambicje për t’i rihyrë jetës politike as për vete, as për familjarët e tyre. Në takime të ndryshme, ata kanë thënë se ndjehen të lodhur me një politikë që nuk heziton t’i gjykojë apo sulmojë, nëse japin një qëndrim apo opinion. E kanë bërë ndër vite por kanë hasur në sulme të forta, deri edhe në kërcënime.

Por siç mësohet, nga ana tjetër, thuajse të gjithë këto personazhe kanë shprehur mbështetje për një rithemelim real të opozitës shqiptare, duke artikuluar edhe vërejtje të mëdha për aksionin politik të Lulzim Bashës apo lidershipit aktual të PD zyrtare.

Ndërkaq, mësohet se me ndërmjetësimin e diplomatëve të rëndësishëm, vetë Lulzim Basha ka zhvilluar takime me emra dhe personazhe të njohur të PD-së ndër vite dhe ka shprehur gatishmërinë dhe nevojën për të dëgjuar mendimin e tyre.

Madje, Basha ka kërkuar mbështetje për nismën e tij të reformës kushtetuese që ka hartuar edhe me asistencën e disa ish-drejtuesve të shtetit të kohës së PD-së. Të cilët kanë kundërshtuar që në fillim ndryshimet e vitit 2008, ku Shqipëria u kthye në një republikë kryeministrore dhe një kryetarokraci politike.

Bamir Topi, siç dihet, ka qenë një nga mbështetësit e parë të idesë që opozita duhet të inicojë reformat kushtetuese që t’i heqë kryeministrit fuqinë monarkike dhe të hapë listat e deputetëve, në atë mënyrë që të zgjidhen jo ata që kanë mbështetje nga kryetarët, por kush fiton më shumë vota popullore.

Ndërkaq, zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli, mësohet se së shpejti do të kthehet në një kauzë publike në vend, ku përveç Lulzim Bashës e krerëve të PD-së zyrtare, pritet të dalin krah tij edhe mjaft ish-drejtues të Partisë Demokratike në vite që sot janë intelektualë e profesorë universitetesh.

Zgjedhja e kreut të shtetit nga populli, pritet ndërkaq të marrë edhe një mbështetje të rëndësishme diplomatike nga aleatët perëndimorë, të cilët më pas do të bëjnë presion mbi Edi Ramën që të pranojë propozimin e opozitës.

Këto ditë ka mbërritur në Tiranë një delegacion i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, i kryesuar nga shefja e kabinetit të Sekretarit Blinken.

Suzy George, Shefe e Kabinetit të Departamentit të Shtetit të SHBA, shoqërohet nga Rena Bitter, Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Çështjet Konsullore, Mara Tekach, Koordinatore mbi Përpjekjet për Zhvendosjen e Afganëve) si dhe Daniel Forbes, Shef i Kabinetit të CARE.

Zonja George pritet të ketë takime të rëndësishme politike me aktorë të opozitës, duke mos pasur natyrisht kontakt me të gjithë njerëzit që bashkëpunojnë me Sali Berishën në Parlament. Ajo pritet që të japë edhe një intervistë, ku do të ripërsërisë qëndrimet e SHBA për hetimet e SPAK dhe personat që janë ndëshkuar me Non Grata. Ku përveç Sali Berishës, do të theksojë se çdo kontakt me të tjerët të shpallur Non Grata do të konsiderohen njëjtë si në rastin e doktorit. Bëhet fjalë për izolimin përfundimtar të Tom Doshit dhe Aqif Rakipit, që janë aleatët më të ngushtë të Edi Ramës./Pamfleti

amerikanët sali berisha goditja përfundimtare