Politike15 Qershor 2024, 10:10

Argita Malltezi në krye të PD-së? Gazmend Bardhi: Nuk kemi vakancë për drejtimin e partisë

Shkruar nga Pamfleti

Argita Malltezi në krye të PD-së? Gazmend Bardhi: Nuk kemi

Nënkryetari i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, ka kërkuar t’i jepet fund teorive me pasardhës politikë të kryetarit Sali Berisha, qoftë edhe kur flitet për vajzën e tij, Argita Malltezi.

Duke vlerësuar profilin e saj intelektual dhe profesional, zoti Bardhi tha së është koha për të punuar dhe për të fituar zgjedhjet.

“Përsa kohë PD e ka kryetarin e saj, refuzoj të flas për teorinë e pasardhësit. Në këtë moment nuk ka vakancë në drejtimin e partisë. Kryetar i partisë është Berisha. Secili prej nesh ka aq shumë punë brenda partisë, sa nuk duhet të mendojë se cili do të jetë pasardhësi i Sali Berishës, por të ketë në mendje vetëm një gjë: Se si me kryetarin e PD, Berisha, PD fiton zgjedhjet 2025. Nëse ne flasim për pasardhësin është një energji e çuar dëm dhe patjetër që flasim sikur do të humbim në 2025.

Ne duhet të përqendrohemi sesi me këtë strukturë, me këtë lidership, me këtë kryrtar, ta çojmë PD-në drejt fitores së ardhshme”, tha Bardhi.

Megjithëse u përpoq t’i shmanget kësaj teme, ai nuk hezitoi jo vetëm të japë vlerësim maksimal për profesionalizmin e Argita Malltezit, por edhe të mbështesë hipotezën se ajo do të ishte një vlerë e shtuar brenda grupit parlamentar të PD.

“Malltezi është një profesioniste e shkëlqyer, një pedagoge e së drejtës dhe ky format do të ishte vlerë për PD-në, qoftë edhe si anëtare e grupit parlamentar të PD. Në parim, zonja Malltezi do të ishte një figurë intelektuale dhe vlerë e shtuar për PD”, u shpreh Gazmend Bardhi.

Nga pozicioni i kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi bëri një paralajmërim për strukturat e Kuvendit në lidhje me mandatin e kryetarit të opozitës. Deri tani nuk ka asnjë diskutim zyrtar nëse Kuvendi do të nisë procedurat për ndërprerjen e mandatit të deputetit për zotin Berisha, por zoti Bardhi mbajti një qëndrim të prerë.

“Do të ishte një provokim i rëndë jo vetëm për grupin parlamentar të PD, ;por për këdo që beson tek kushtetueshmëria dhe demokracia në vend. Prandaj, çdo abuzim me kushtetutën, çdo shkelje e kushtetutës, që prek të drejtat jo vetëm të një deputeti, por të kryetarit të partisë më të madhe të opozitës do të ishte një provokim i rëndë ndaj PD-së, ndaj opozitës, ndaj mbështetësve të PD-së", përfundoi ai.