Politike18 Maj 2024, 20:55

Berisha akuza Ramës: Po plaçkit pasuritë e shqiptarëve, baxhanaku dhe thjeshtra e tij kanë marrë qindra tendera

Shkruar nga Pamfleti

Berisha akuza Ramës: Po plaçkit pasuritë e shqiptarëve,

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur fjalimin e tij në tubimin e përnatshëm poshtë banesës së tij.

Berisha tha se sot shqiptarët kanë përballë armikun më të egër, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.

Ish-kryemistri akuzoi Ramën se bashkë me familjarët e tij, po plaçkit dhe grabit pasuritë publike të shqiptarëve.

Sipas Berishës, baxhanaku i tij dhe thjeshtra e tij kanë marrë qindra tendera nga paratë publike të shqiptarëve, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

"Të dashur qëndrestarë dhe qendrestare, misonarë të vërtetë të kauzës së madhe të shqiptarëve, të kauzës së shpëtimit, lirisë dhe dinjitetit. Të dashur miq, çdo orë dhe çdo ditë bëhet e qartë si drita e diellit se sot qytetari shqiptar në çdo zyrtar të lartë ka një armik të egër të qenies së tij.

Se sot tek kreu i qeverisë shqiptarët kanë armikun më të egër që kanë njohur në historinë e tyre. Kanë hajdutin që gjatë kohës si kryetar bashkie u akuzua zyrtarisht në raportin e OSBE-së se ka fshehur 200 milionë euro në bankat offshore. Se ndërtoi sarajet e Surrelit me themelet 57 metra të gjata dhe oborr-park 5 mijë metra, në një kohë kur kishte të deklaruar gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë në ILDKP.

Tek kreu i qeverisë shqiptarët kanë armikun e egër të qenies së tyre, sepse për të vjedhur 100 përqind paratë e inceneratorit të Tiranës me Erion Veliajn, firmos, i jep bonusin 8 përqind kompanisë së tij pa pronar, pa seli, pa bilanc, pa administrator dhe pa regjistruar askund tjetër veçse në mendjen e tij si hajdut.

Shqiptarët që i thonë vjedhësit armik i qenies së tyre, kanë te Edi Rama armikun më të egër të kohërave, njeriun që portin shekullor, portin e Durrësit po e shndërron në Dubai City-n e tij për sojin dhe sorollopin me arabin e vet, si e si t’u vjedhë shqiptarëve vetëm tokë publike truall rreth 4 miliardë euro vlerë.

Miqtë e mi, sot zyrat e regjimit janë të mbushura me armiq të egër tuaj.

Tek Edi Rama ju keni armikun, i cili me sojin dhe sorollopin e tij familjar, plaçkit dhe grabit pasuritë publike të shqiptarëve. Qindra tendera baxhanaku i tij i pangopur ka marrë nga paratë publike të shqiptarëve. Me dhjetëra e dhjetëra tendera merr thjeshtra e tij në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën", tha Berisha.

berisha rama qindra tendera thjeshtra baxhanaku