Politike19 Prill 2024, 13:49

Bombat molotov para Bashkisë së Tiranës, reagon ambasada e SHBA: Në demokraci nuk ka vend për dhunë!

Shkruar nga Pamfleti
Bombat molotov para Bashkisë së Tiranës, reagon ambasada e SHBA:
Protesta e opozitës para Bashkisë Tiranë

Ambasada e SHBA ka dënuar dhunën dhe heqjen e bombave molotov para Bashkisë Tiranë paraditen e sotme nga grupi i Rithemelimit.

Ambasada thekson se e drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët.

'Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme.', njofton Ambasada.

Për ngjarjet para bashkisë reagoi edhe delegacioni i BE në Shqipëri.

“Na vjen shumë keq për dhunën gjatë protestës në qendër të Tiranës sot, gjatë së cilës u hodhën edhe mjete zjarrvënëse të improvizuara drejt godinës së bashkisë”, thuhet në reagimin e BE.

“Këto veprime nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore”.

Gjatë protestës të premten paradite, ku u kërkua dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, protestuesit, të mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Rithemelimit, u përplasën me efektivët e policisë si dhe hodhën koktej molotov.

Protestuesit kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe akuzojnë SPAK-un se po e mbron. Kjo nuk është hera e parë që opozita, pjesa e Rithemelimit ka protestuar në derën e Bashkisë. Ky aksion i tyre ka nisur pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për abuzim me detyrën për dosjen ‘5D’.

Me megafon Tedi Blushi, këshilltar bashkiak i Partisë së Lirisë të cilin Meta e ka propozuar për ta bërë dhe sekretar të përgjithshëm të kësaj partie sulmoi sërish SPAK. Duke akuzuar prokurorinë e posaçme se po bashkëpunon me Erion Velinë i kërkoi këtij të fundit të largohet.

Më pas protestuesit kanë hedhur bomba molotov para godinës së Bashkisë së Tiranës.

Dhjetëra forca policie rrethuan godinën për të siguruar rendin para bashkisë.

bombat molotov para bashkisë së tiranës