Politike24 Shkurt 2024, 19:15

Cilët janë "gylenistët" që Erdogan i kërkon me kaq ngulm Edi Ramës?

Shkruar nga Pamfleti
Cilët janë "gylenistët" që Erdogan i kërkon
Rama-Erdogan dhe emrat që kërkon Turqia

Nga Klodjan Allajbeu e Bujar Spahiu i KMSH, te mbyllja e mbi 14 shkollave e organizatave, çfarë kërkon Erdogan nga Rama?!

Erdogan duket se nuk ja fal dot Edi Ramës faktin se organizatat dhe individët e lidhur me armikun e tij Fetullah Gylen, operojnë në Shqipëri. Sa herë që i jepet mundësia atij dhe ministrave të tij, ata gjënë e parë që thonë është lufta ndaj të ashtuquajturës  organizata “FETO”. E njëjta gjë ndodhi dhe gjatë vizitës së Ramës në Ankara, ku Erdogan ja tha copë Ramës se pret luftë më të ashpër. Rama i mbylli një kolegj dhe një kopsht Erdoganit, por sulltani turk nuk mjaftohet me kaq.

Kur ndodhi grushti i shtetit në Turqi, Erogan i solli Ramës një listë me institucione që duhen mbyllur dhe individë që duhen ekstraduar në Turqi. Ajo listë nuk është finalizuar, madje është përditësuar dhe Erdogan ja kujton Ramës sa herë që vjen rasti.

Por çfarë kërkon Erdogan nga Rama?

Turqia ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të mbyllen mbi 14 organizata dhe institucione arsimore dhe shëndetësore, pasi financohen nga Fetullah Gylen. Mediat turke kanë nxjerrë detaje nga kërkesat e Ankarasë dhe padyshim në krye të listës qendrojnë dy emra: Bujar Spahiu i Komunitetit Mysliman dhe Klodjan Allajbeu i Spitalit Amerikan. Spahiu cilësohet si gylenist nga Erdogan dhe për këtë arsye është bllokuar inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë. Erdogan i ka kërkuar disa herë Ramës të ndërhyjë për largimin e tij nga kreu i KMSH.

Allajbeu po ashtu cilësohet si një ndër personat me lidhje më të fortë me gylenistët. Madje ka pasur kërkesa për të mbyllur rrjetin e spitaleve që ai drejton. Po ashtu Erdogan do “kokën” e tij në Turqi dhe kur nisi lufta ndaj atyre që ai i quan puçistë, Allajbeu ka qendruar i fshehur dhe me truproja.

Sa u takon institucioneve, sipas mediave turke, sot në Shqipëri operojnë afro 14 organizata të financuara nga fondacionet e Gylen, duke përfshirë 2 universitete (Universiteti Beder, Universiteti EPOKA), 5 kolegje (arsim parashkollor dhe parauniversitar), 5 medrese dhe 2 institucione të kursit të gjuhës. Sipas mediave turke, "FETO" privatizoi dhe mori medresetë e KMSH në qytetet e Kavajës, Korçës, Beratit, Elbasanit dhe Tiranës në kuadër të Fondacionit SEMA.

“Turgut Özal është një nga organizatat ombrellë e shkollave të "FETO" në Shqipëri, e cila përfshin Universitetin EPOKA, Kolegjin Turgut Özal në Tiranë, Kolegjin Turgut Özal në Durrës dhe Shkollën Ndërkombëtare Memoriale”, shkruajnë mediat turke.

Sipas tyre, duke kontrolluar Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, anëtarët e "FETO"-s dominuan median duke punësuar në universitetet e tyre figurat më me ndikim në universitetet shtetërore. Mediat shkruajnë se të lidhura me "FETO" janë dhe organizatat: Horizonte të Reja, ACITAD dhe Fondacioni SEMA. Po ashtu kërkohet të mbyllet një portal dhe një bankë.

Shumica e institucioneve të përmendura nga mediat turke janë aktive dhe Ergoganin kjo e shqetëson. Sipas informacioneve, arsyeja se përse Rama nuk i mbyll janë amerikanët. Të ishte për të ai i dërgonte të gjithë në Turqi që të dergjeshin burgjeve, por në lojë është Uashingtoni. Sa herë që Rama tenton të marrë masa ndaj tyre futet në lojë Uashingtoni, pasi ata mbajnë të strehuar Gylenin dhe po ashtu nuk pranojnë rritjen e ndikimit turk në Shqipëri. Pra edhe këtë herë, Rama mund t’i bëjë ndonjë nder të vogël Erdoganit me ndonjë shkollë a kopsht, por goditjet “big” që kërkon sulltani turk janë shumë të vështira të ndodhin. /Pamfleti