Politike23 Maj 2024, 11:51

Debat te 'Ligjet'/ Ndreca: Prokurorët nuk zbatojnë vendimet e gjykatave; Metani: Nuk jam SPAK-u, ILD përformon me standarde

Shkruar nga Pamfleti

Debat te 'Ligjet'/ Ndreca: Prokurorët nuk zbatojnë vendimet
Në Komisionin e Ligjeve është ftuar për t’u pyetur kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.

Me debate është zhvilluar seanca në Komisionin e Ligjeve mes Plarent Ndrecës dhe Artur Metanit.

Deputeti i PS-së Plarent Ndreca tha se shumë prokurorë nuk zbatojnë vendimet finale të gjykatave. Ndreca theksoi gjithashtu se nuk kuptohet nga raporti që është përpiluar nga ILD se çfarë pune është bërë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

“ILD nuk ka komunikim me Dhomën Kombëtare të Avokatëve. Nuk zbatohen rekomandimet e PP nga prokuroritë. Ka numër të lartë të mospranimeve të rekurseve. Ka raste kur prokurori nuk zbaton vendimin e formës së prerë të gjykatës. Ka sekuestrime pa vlera ekonomike. Nuk ka hetime penale për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka nivel të lartë të marrjeve të vendimit në dhoma të mbyllura, jashtë vëmendjes së publikut. ILD, nga sa shohim në raport, nuk shohim se çfarë rezultatesh ka”, u shpreh Ndreca.

Nga ana tjetër, Artur Metani ka theksuar se ILD nuk është SPAK, duke shtuar se Inspektorati i Lartë i Drejtësisë bën kontrolle dhe vepron me standarde.

“ILD është institucion me transparencë të lartë. Problematike për ILD është mosshqyrtimi i ankesave. Unë nuk jam SPAK e nuk do bëhem ndonjëherë prokuror apo gjykatës. ILD përformon me standarde, që janë konfirmuar. Problematikat që ka sistemi i zgjidh vetë sistemi përmes shkallëve që ka. Këto janë standarde që vihet për punën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Janë trajtuar mbi 2300 ankesa. Problematika ka dhe po ndiqen me kujdes. ILD ka kryer edhe inspektime sistematike”, theksoi Metani.

artur metani plarent ndreca