Politike18 Prill 2024, 11:11

"Deputetët që do flasin do marrin leje", Felaj zbulon paktin e Bardhit me Çuçin në zyrën e Nikollës

Shkruar nga Pamfleti
"Deputetët që do flasin do marrin leje", Felaj zbulon paktin
Bardhi dhe Çuçi

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj ka zbuluar sot një pakt të arritur dje në zyrën e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla mes Gazment Bardhit dhe Bledi Çuçit.

Nënkryetarja e Kuvendit, tha në seancë se dy kryetarët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord që kur kërkohet fjala për procedurë, ta vendosin ata të dy se cilët deputetë do të flasin në mënyrë që debati për procedure të mos zgjasë pa mbarim.

Sot gjatë seancës kur Felaj tha se fjalën e kanë kërkuar Dashnor Sula, Flamur Noka dhe Asllan Dogjani dhe Bardhi duhet të zgjedhë se cili do flasë, ky i fundit nuk e mohoi paktin e arritur një ditë më parë, por tha se të tre deputetët duhet të flasin.

Debati në Kuvend:

Felaj: Dje kryetarja e Kuvendit ka zhvilluar një takim me kryetarët e grupeve kryesore parlamentare dhe ka pasur një dakordësi që të mos abuzohet me çështjet për kërkimin e procedurës.

Rregullorja përcakton formimin e grupeve parlamentare. Çdo grup ka kryetar grupi dhe jo rastësisht kryetarja e kuvendit këshillohet me kryetarët e grupeve në mënyrë që qëndrimet e anëtarëve e grupeve të ndryshme parlamentare të mund të njëhsohen dhe të përcillen në sallë nëpërmjet kryetarit të grupit. Mbi këtë bazë ka ndodhur edhe marrëveshja e djeshme dhe çdo kolegë që nuk do respektojë kërkesën kur kërkohet fjala për procedurë, do ta ndërpres.

Sula, Noka dhe Dogjani kanë kërkuar fjalën, kujt do t’ia jepni fjalën? Kjo është dakordësia që keni vendosur dje mes kryetarëve të grupeve parlamentare kështu që une duhet ta pyes zotin Bardhi.

Bardhi: Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, të tre kolegët që kanë kërkuar fjalën do të duhet të marrin fjalën për procedurë meqenëse e vendos unë.

Felaj: Meqenëse konsensusi zoti Bardhi nuk vlen as 24 orë, unë do ndjek radhën.

Sula: Kjo që deklaroni këtu është skandal, ky nuk është më Parlament, por është shtojcë e republikës kryeministrore. Çdo deputet ka të drejtën sipas rregullores të flasë.

 

bardhi çuçi