Politike22 Qershor 2024, 21:03

Dëshmi, dokumente dhe e-maile/ OLAF e ka kopsitur dosjen, pse SPAK po zvarrit hetimet për vjedhjen e fondeve të “IPARD”?

Shkruar nga Pamfleti
Dëshmi, dokumente dhe e-maile/ OLAF e ka kopsitur dosjen, pse SPAK po
Frida Krifca

Vetë BE ka dhënë disa herë alarmin për zvarritje me hetimet. Në mars, drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i është dërguar një letër-kujtesë nga OLAF, lidhur me kallëzimin penal në fjalë.

Bashkimi Europian ka dhënë alarmin mbi abuzimin me fondet e dhëna prej tyre për bujqësinë në Shqipëri. Dje u publikuan disa nga të dhënat e auditimit të OLAF mbi fondet IPARD dhe janë miliona euro që dyshohet se janë dhënë në mënyrë abuzive.

Në raportin vjetor OLAF zbulon se gjatë hetimit u vu re se fermerët ishin të detyruar të ndanin një përqindje të madhe të grantit të tyre me kompaninë e konsulencës, e cila do të bënte ndërmjetësin me AZHBR. Gjithashtu në dokument thuhet se u gjetën dhe disa parregullsi të tjera gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.

OLAF është Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit dhe ata kryen një hetim shumë të thellë, teksa në fund dosjen e dorëzuan në SPAK. Dosja është thujse e kopsitur dhe pyetja që ngrihet është se pse SPAK nuk po lëviz. Vetë prokuroria në mënyrë zyrtare konfirmon se hetimet janë në fazën e verifikimit paraprak, por nuk e kemi parë ende ish-ministren e asaj kohe, Frida Krifca të merret në pyetje.

Vetë BE ka dhënë disa herë alarmin për zvarritje me hetimet. Në mars, drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i është dërguar një letër-kujtesë nga OLAF, lidhur me kallëzimin penal në fjalë.

Kallëzimin penal në SPAK, OLAF e ka bërë më 13 qershor 2021, për 134 milionë Euro grande të fondit “IPARD-II” të BE, të cilat nuk u janë dhënë fermerëve, por janë vjedhur me projekte false, u janë dhënë ndërtuesve të kullave, pushtetarëve e trafikantëve, me vendime të ish-Drejtores së AZHBR, Frida Krifca në bashkëpunim me vartësit e saj.

Më 22 qershor 2021, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Evropian, njoftoi kryeministrin Edi Rama, ish-Ministren e Bujqësisë, Milva Ikonomi dhe ish-Drejtoren e AZHBR, Frida Krifca, se BE do ndërpriste fondet bujqësore për Shqipërinë.   

Kundër Frida Kircës dhe 7 vartësve të saj, OLAF depozitoi 74 dosje abuzimesh me fondet e fermerëve, duke kërkuar hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale, të autorëve të krimit financiar dhe detyrimin e përfituesve të paligjshëm, për të ri-kthyer milionat  që kanë marrë. Por SPAK fle. Ndërkohë faktet janë të pastra, ku ka dëshmi dhe dokumente.

Dosja e OLAF

5 përfaqësues të OLAF në datën 15 shkurt 2021 kanë zbarkuar befas në zyrat e AZHBR dhe kanë njoftuar se do të kryejnë auditim. Ata kanë sekuestruar dosje, kompjutera dhe madje celularë, kjo pasi ka pasur shumë denoncime në adresë të tyre se kishte abuzime me fondet. Ata kanë qëndruar aty deri në datën 19 shkurt dhe kanë shqyrtuar çdo dokument, file dhe të dhëna sa i takon shpërndarjes së fondeve IPARD.

Dyshimet kryesore në atë kohë drejtoheshin mbi stafin e zyrës juridike dhe asaj të auditimit. Madje, ata kanë marrë në pyetjeje në mënyrë zyrtare dhe jo zyrtare shumë punonjës të AZHBR, mbi informacionet që kishin për denoncime që fermerë të ndryshëm kanë bërë në lidhje me 15-20 % të vlerave të disbursuara të skemave IPARD që pretendohej se u janë kërkuar/paguar funksionarëve të lartë në AZHBR.

Ata kanë pasur një listë me rreth 50 subjekte përfituese dhe sipas tyre të konfirmuara, por të mbajtura sekret sepse abuzuesit konsideroheshin si punonjës me mbështetje dhe lidhje shumë të forta politike.

Punonjësit u pyetën sidomos edhe për raportet politike të drejtorisë juridike, dhe asaj të auditimit me drejtoreshën e asaj kohe Frida Krifca. Informacioni i siguruar, nga punonjësit, si dhe ai i disa punonjësve të larguar nga puna disa kohë më parë, mbi lidhjet dhe funksionimin e skemës, ka qenë shumë i dobishëm për të kuptuar më mirë rrethanat. Ata zbuluan se ishin shumë individë dhe agjenci që ishin kthyer në ndërmjetës për të marrë shërbimet e AZHBR.

Pra OLAF ka marrë dëshmi, dokumente, e-maile dhe çdo gjë tjetër që tregon se çdo fond është dhënë në mënyrë klienteliste dhe janë miliona e miliona të vjedhura. Të gjitha janë në SPAK dhe tani e ka në dorë Dumani të tregojë se nuk ndikohet nga askush. /Pamfleti