Politike22 Maj 2024, 13:40

Frika për të firmosur tenderat, Altin Dumani qetëson administratën: Rrini të qetë, SPAK nuk ka një target konkret

Shkruar nga Pamfleti
Frika për të firmosur tenderat, Altin Dumani qetëson
Altin Dumani

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani thotë se punonjësit e administratës të rrinë të qetë dhe të bëjnë detyrën e tyre.

Por ai i paralajmëroi ata që nëse shkelin ligjin, SPAK do të ushtrojë të drejtën që i jep ligji për t’i ndjekur ata penalisht.

Dumani tha se “SPAK nuk ka një target konkret”, por theksoi se kanë burimet e tyre që i japin sinjalizime.

“Administrata të rrije e qetë, të përmbushe detyrimet ligjore dhe funksionale dhe sa kohë që janë në respektim të ligjit le të punojnë të qetë. Në rast se nga hetimet tona konstatojmë sjellje në kundërshtim me ligjin ashtu si dhe ligji na detyron do ushtrojmë ndjekjen penale. 

Por administrata të vazhdojë e qetë, ne nuk kemi target konkret, ne kemi burime tona të informacionit, hetuesit, institucionet etj, që mund të sinjalizojnë, por administrata të vazhdojë të punojë e qetë”, tha ndër të tjera Altin Dumani gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve.

Ka një frikë të përgjithshme në administratën publike për të firmosur tenderë apo zhvillimin e projekteve të ndryshme pas arrestimeve të bujshme të SPAK duke rezultuar në një ulje të ritmeve të shpenzimeve në buxhetin e shtetit. Kjo u reflektua edhe në fund të vitit 2023 ku në buxhet tepruan rreth 400 milion euro të pashpenzuara, për shkak edhe të frikës për të firmosur.

altin dumani spak