Politike22 Qershor 2024, 15:55

Ithtarët e Berishës përgatiten për dhunë dhe kaos nëse i hiqet mandati, Rama sfidë të hapur Uashingtonit!

Shkruar nga Pamfleti

Ithtarët e Berishës përgatiten për dhunë dhe kaos

Berisha duket se i ka bërë gati të vetët. Dje dhe sot janë dhënë sinjale se militantët e tij mund të sulmojnë Kuvendin dhe të provokojnë kaos e dhunë nëse i hiqet mandati...

Sali Berisha nga sot është në kushtet e humbjes së mandatit. Dje u bënë fiks 6 muaj që ai nuk shkel në Kuvend dhe Kushtetuta përcakton fare qartë se një deputet humbet mandatin kur mungon për 6 muaj rresht pa arsye. Berisha është në arrest shtëpie dhe nuk i është lejuar të marrë pjesë në seancat plenare. Ndërkohë mbi të njëjtin përcaktim Lindita Nikolla nxitoi t’i hiqte mandatin Arben Ahmetajt.

Mirëpo, tani ka një hezitim nga ana e mazhorancës. Pas pazarit për komisionet hetimore dhe dhënien e vulës, duket se Rama, po përgatit dhe dhuratën e radhës për Berishën. Sipas informacioneve, PS mund të mos ndërmarrë veprimin e heqjes së mandatit, duke u kapur te pjesa “pa arsye”. Duke qenë se Berisha po mungon për shkak të arrestit, socialistët mund ta tolerojnë duke konfirmuar dhe një herë pazarin e pistë.

Ndërkohë Berisha duket se i ka bërë gati të vetët. Dje dhe sot janë dhënë sinjale se militantët e tij mund të sulmojnë Kuvendin dhe të provokojnë kaos e dhunë nëse i hiqet mandati. I pari që dha sinjalet ishte deputeti më besnik i Berishës, Flamur Noka. “Do të thotë, se nëse regjimi bën eskalimim mbi ligj dhe Kushtetutë, atëherë demokratët do japin sinjale që situata do të eskalojë. Asnjë rrugë tjetër s’ka. I them Lindës së Parlamentit si instrument në duart e sulltan Surrelit bëni kujdes”, tha Flamur Noka dje.

Të njëjtin paralajmërim ka dhënë edhe Ervin Salianji sot në një intervistë. Sipas Salianjit, nëse shumica ndërmerr një akt të tillë “antikushtetues” do të çonte në ekstrem përplasjen mes zgjedhësve të Berishës dhe kundërshtarëve politik të tij.

Kushtet e zotit Berisha nuk jemi në kushtet që parashikon Kushtetuta për mbarimin e mandatit. Zoti Berisha nuk po mungon pa arsye në Kuvend për 6 muaj. I është kufizuar liria me një vendimmarrje, në këndvështrimin tim të padrejtë”, theksoi ai.

Tani duket se topi është në portën e Ramës dhe Nikollës. A do të zbatojë Kryeministri Kushtetutën, apo do të vijojë me nderet ndaj Berishës duke sfiduar hapur amerikanët. SHBA ka luftuar fort që Berisha të mbet jashtë politikës dhe Rama po e mban në lojë. /Pamfleti