Editorial10 Shkurt 2024, 17:19

Kush do të jetë shefi i ardhshëm i NATO-s?

Shkruar nga Shairee Malhotra

  

Kush do të jetë shefi i ardhshëm i NATO-s?
NATO /

 Shumëkush në Evropë, druhet se posti do të shndërrohet një trofe ngushëllues, në kuadërtë konkurrencës së madhe për rolet më me ndikim në krye të institucioneve të BE-së. Këto shqetësime shoqërohen me një frikë më të madhe nga një fitore e mundshme e Trump në SHBA, teksa dihet tashmë përbuzja e tij ndaj NATO-s, e shoqëruar me kërcënimet për një tërheqje nga aleanca...

Për një dekadë, që nga viti 2014, ish-kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Teksa ishte zgjatur tashmë 3 herë më parë, edhe vitin e kaluar, u vendos që mandati i tij të zgjatej edhe me një vit, deri në tetor të këtij vitit.

Kjo nxori në pah vështirësitë dhe mungesën e konsensusit brenda NATO-s për caktimin e një pasuesi. Duke qenë jo më “në gjendje kome”, siç i referohej dikur aleancës presidenti francez Emmanuel Macron, lufta e Rusisë kundër Ukrainës i ka dhënë NATO-s një arsye për t’u përtërirë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Stoltenberg ka ruajtur unitetin e aleancës dhe ka krijuar konsensus në përgjigjen e saj ndaj Rusisë. Si fytyra e NATO-s, roli i Sekretarit të Përgjithshëm është shumë i rëndësishëm edhe pse ka më pak fuqi ekzekutive.

Ashtu si Bashkimi Evropian, edhe NATO vepron përmes konsensusit, dhe vendimet kërkojnë miratimin e të gjitha shteteve anëtare. Ndaj prania në të e vendeve plan-prishëse si Hungaria dhe Turqia e ndërlikon jo pak vendimmarrjen. Kësisoj, një kandidat i mundshëm duhet të jetë i aftë të krijojë konsensus midis 31 vendeve anëtare, menaxhojë kërkesat e tyre, të komunikojë, adresojë shqetësimet e tyre dhe të menaxhojë një burokraci të madhe.

Me lodhjen e vazhdueshme nga lufta, detyrimet ndaj politikës së brendshme dhe zhvillimet shpërqendruese si lufta Izrael-Hamas, ky post është i rëndësishëm për të siguruar mbështetjen e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe projektuar fuqinë nëpër botë. Ndërkohë, shefi i ri i aleancës do të merrte detyrën në një moment shumë kritik.

Ndërsa aleanca është zgjeruar nga 12 vende themeltare në vitin 1949, në 31 aktualisht me pranimin e mundshëm të Suedisë në të ardhmen e afërt, e tillë është shtrirja dhe natyra e kërcënimeve.

Ndonëse lufta kundër Rusisë mbetet detyra e saj thelbësore, lidhjet e sigurisë në ato që më parë konsideroheshin teatro të veçantë - Euro-Atlantiku dhe Indo-Paqësori - e kanë zgjeruar ambicien për të përfshirë zona të tilla si Deti i Kinës Jugore. Për më tepër, teknologjitë në zhvillim, fushatat e dezinformimit dhe përdorimi gjithnjë e më shumë si armë i varësive tregtare, po krijojnë të epokës së re të krizave.

Shumë kandidatë, s’ka konsensus

Muajt e fundit në skenë janë shfaqur disa emra për këtë post, së bashku me një listë të gjatë kriteresh dhe preferencash. Meqë të gjithë shefat e mëparshëm kanë qenë burra, këtë herë preferohet që këtë post ta marrë një grua.

Vendet në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë qenë në ballë të mbështetjen e Ukrainës, nëpërmjet paralajmërimeve të tyre ndaj Rusisë që u dëshmuan të sakta. Për këtë arsye, shumë njerëz po kërkojnë një shef të NATO-s nga ky rajon. Në këtë kontekst, është përfolur shumë emri i kryeministres estoneze Kaja Kallas, vendi i së cilës shpenzoi në vitin 2023, 2.85 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzimet ushtarake.

Rekordi i vendit nga vjen kandidati mbi shpenzimet në mbrojtje, është një faktor i rëndësishëm në këtë përzgjedhje, sidomos pasi vetëm 8 nga 31 anëtarë të aleancës e përmbushin aktualisht objektivin prej 2 për qind të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, të dakorduar që në samitin e NATO-s së vitit 2014 në Skoci.

Megjithatë, zyrtarët në Evropën Perëndimore mund ta cilësojnë si shumë të ashpër qasjen e vendit baltik ndaj Rusisë, që nuk dëshiron të krijojë një marrëdhënie të ardhshme me Moskën. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, i përshtatet një pjese të kritereve përmes mbështetjes së saj të fortë të aleancës, por jo si mbështetëse shumë e madhe ndaj Ukrainës.

Por shpenzimet ushtarake të Danimarkës në 1.38 për qind të PBB-së, janë shumë poshtë nivelit që kërkon NATO. Dhe në kushtet kur ish-kryeministri Anders Fogh Rasmussen ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në vitet 2009-2014, mundësia e një danezi tjetër (apo e një lideri tjetër nga vendet nordike pas Stoltenberg) në krye të NATO është shumë e vogël.

Një grua tjetër e cilësuar si pretendente për këtë post, është zëvendëskryeministrja e Kanadasë dhe ish-Ministrja e Jashtme Chrystia Freehand, e cila e ka mbështetur me vendosmëri Ukrainën, dhe është në listën e individëve që u ndalohet hyrja në Rusi.

Por Kanadaja mbetet prapa me nivelin e shpenzimeve në mbrojtjes, dhe si një kandidat jo anëtar i BE-së, do të përballej ndoshta me veton e Francës dhe vendeve të tjera. Kjo duke pasur parasysh se 22 nga 31 anëtarët e NATO-s janë vende të BE-së, dhe Stoltenberg ka ardhur nga një vend jo anëtar i BE-së.

Për këtë arsye, edhe pse Britania pas Brexit, është ndër mbështetëset kryesore të Kievit dhe po përmbush objektivin e shpenzimeve në mbrojtje siç e kërkon NATO, kandidatura e ish-Sekretarit britanik të Mbrojtjes Ben Wallace po përballet me jo pak rezistencë.

Dhe kjo na sjell tek një kandidaturë e preferuar në mesin e shumë vëzhguesve, asaj të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, për shkak të përvojës së saj të madhe në krijimin e konsensusit në nivelin e BE-së për çështjet më të rëndësishme, përfshirë mbështetjen ndaj Ukrainës.

Megjithatë, vendi i saj i origjinës, Gjermania, me gjithë statusin e saj si fuqia ekonomike kryesore e Evropës, është shumë prapa me nivelin e shpenzimeve në mbrojtje, dhe qëndrimi i saj i mëparshëm si Ministre e Mbrojtjes rezultoi jo popullor për shkak të akuzave për nepotizëm.

Për më tepër, mbetet të shihet nëse Von der Leyen do të synojë apo jo një mandat tjetër si presidente e KE, një pozicion shumë më i fuqishëm se ai i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Një nga favoritë kryesorë për këtë post është edhe ish-kryeministri i Holandës

Mark Rutte, me lidhje të ngushta me SHBA-në, dhe me 13 vite përvojë si kryeministër deri në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 2023.

Megjithatë, anëtarët e tjerë të NATO-s mund të mos jenë dakord me kandidaturën e tij, këtë herë në interes të një diversiteti rajonal, pasi NATO ka pasur tashmë 3 krerët e mëparshëm holandezë. Për më tepër, pavarësisht se ka dhuruar jo pak ndihma dhe armë për Ukrainën, shpenzimet e pakta të vendit të tij për mbrojtjen - vjet vetëm 1.7 për qind e PBB-së, janë në disfavor të kandidaturës së Rutte.

Përzgjedhja është më e ndërlikuar këtë vit, për shkak të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe ato presidenciale në SHBA. Kështu, pavarësisht nga disa kandidatë të mundshëm për kreun e NATO-s, shumica plotësojnë disa kritere, por jo të tjerat. Përveç kësaj, nuk është as e qartë nëse disa nga këta kandidatë të supozuar, janë të interesuar apo të disponueshëm për këtë post.

Shumëkush në Evropë, druhet se posti do të shndërrohet një trofe ngushëllues, në kuadër të konkurrencës së madhe për rolet më me ndikim në krye të institucioneve të BE-së. Këto shqetësime shoqërohen me një frikë më të madhe nga një fitore e mundshme e Trump në SHBA, teksa dihet tashmë përbuzja e tij ndaj NATO-s, e shoqëruar me kërcënimet për një tërheqje nga aleanca.

Duke pasur parasysh ndikimin e SHBA-së si mbajtëse e përhershme e rolit Komandës Suprem të Aleatëve në Evropë (SACEUR), shefi i NATO-s ka nevojë për miratimin e Uashingtonit, dhe që të jetë në gjendje të balancojë lidhjet e ngushta transatlantike.

Me zgjerimin e vazhdueshëm të numrit të kërcënimeve, dhe fakti që lufta në kontinentin evropian po vazhdon, vendet anëtare të NATO-s duhet të bëjnë një zgjedhje vendimtare./ Përshtati Pamfleti “Observer Research Foundation”

shefi i ri i natos