Politike22 Prill 2024, 08:01

Lindita Nikolla zgjidh ngërçin mes PS e PD, rikthen në funksion Komisionin Hetimor të Shëndetësisë

Shkruar nga Pamfleti

Lindita Nikolla zgjidh ngërçin mes PS e PD, rikthen në funksion

Komisioni Hetimor për koncesionet në Shëndetësi do të mblidhet sërish nesër, pas 4 mbledhjeve të dështuara për shkak të bojkotit të mazhorancës. Palët duket se kanë gjetur dakordësinë për t’u kthyer në tryezën e komisionit, pas bojkotimit që PS i bëri me argumentin se kryetarja Albana Vokshi e ka kthyer në komision hetimor partiak dhe se vendimet për mbledhjet I merr në mënyrë të njëanshme.

Nesër në orën 13:00 deputetët do të mblidhen për ta vijuar punën aty ku e lanë, me tentativën e parë për të gjetur dakordësinë për planin paraprak të hetimit e kërkesat e dakordësuara për informacion.

Zhbllokimi i punës në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi vjen pasi opozita kërkoi ndërhyrjen e Lindita Nikollës dhe pas një takimi që kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi pati me kryeparlamentaren, takim në të cilin u informua se nuk ka një vendim politik të PS për të bojkotuar punën e komisioneve hetimore, por se palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët brenda komisionit.

Partia Socialiste refuzonte të merrte pjesë në Komision prej 4 mbledhjesh, me argumentin se kryetarja Albana Vokshi e kishte kthyer në një proces partiak hetimi dhe se merrte vendime për të thirrur mbledhjen, në mënyrë të njëanshme.

Komisioni Hetimor i Koncesioneve në Shëndetësisë ka hartuar deri më tani vetëm listën e dëshmitarëve, ku do të thirret si dëshmitar kryeministri Edi Rama ish ministrat Beqaj e Manastirliu, ministrja Albana Koçiu e të tjerë funksionarë apo ish funksionarë të lartë të ministrisë së shëndetësisë.

komisioni hetimor per shendetesine lindita nikolla ps pd albana vokshi