Dosja e zezë24 Shtator 2023, 10:22

Po po, edhe Belinda e ka ngrënë rrushin e Edi Ramës

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Po po, edhe Belinda e ka ngrënë rrushin e Edi Ramës
Edi Rama dhe Belinda Balluku

Nuk i besuan as Ezopit, as Fredi Belerit, as Sali Berishës, se pjergullën e Edi Ramës, duhet vetëm ta shikosh, të lëpihesh pak, të ngjeshësh bishtin ndër shalë e të largohesh me bindjen se rrushi është i papjekur...

Olta Xhaçka dhe Frida Krifca ikën si ‘qeni në rrush’, për një devijim të vogël, nuk hëngrën ‘rrush qeni’.

Po rrushin e kujt hëngrën këto dy zonja të nderuara, pasi Perëndia kishte prodhuar rrush për të gjithë; rrush pjergulle, rrush qeni, rrush qyqe, rrush lepuri, rrush qelbës dhe rrush të egër?!

Nuk i besuan as Ezopit, as Fredi Belerit, as Sali Berishës, se pjergullën e Edi Ramës, duhet vetëm ta shikosh, të lëpihesh pak, të ngjeshësh bishtin ndër shalë e të largohesh me bindjen se rrushi është i papjekur.

Edhe dhelpra e Ezopit e komandoi kujdesin, e frënoi guximin të kërcente, se vlerësonte humbjen e ekuilibrit dhe dëmtimin. Madje, dhelpra mendoi të na lërë si medalion të mençurisë edhe fjalën aguridhe.

Historia me vreshtën e pushtetit është e bukur.

Kush nuk e lexoi dhe nuk e besoi Ezopin, gaboi.

Në fakt, Olta e shkretë, nuk u rrit shterpë, pa lexuar libra si Belinda; as kërceu si Lali Eri nga dega e fikut në gem të hardhisë; as lejoi shoqen e vet Yuri Kim të këputë ndonjë vilëz rrush, as u rrit më shumë se një dhelpër, por guxoi.

Aventura e shkëqyer e saj, është se përkuli kurrizin elegant poshtë një Gomari arrogant.

Po mirë ja bëri. Kështu, me duart e burrit të vet, investitor strategjik, u këputi ca veshë rrushi investimeve publike.

Frida pra, nuk bëri gjynahe që nuk mund t’i falë Shën Dumani i Yuri Kim.

Frida, tek e fundit, ‘zuri për rrushi’ dikë që jeton jashtë fshatit të vet, Europën.

Edhe kjo ka lexuar, se hardhia e Ezopit, për fatin e historisë sonë, nuk e rrit në vreshtën e Europës, ndaj këputi andej rrush të bardhë e rrush të kuq, ragazi e rrush të zi.

Po, Europa lindi më vonë se hardhia dhe sytë i hapi vetëm kur kandari i Luigi Sorecës nisi të peshojë edhe rrush.

Hardhinë e Ezopit e kishte mbjedhur Fredi Beleri, siç dhelprën e fabulës e ka rritur e ushqyer Edi Rama, prandaj edhe guximet e sotme nuk shihen si mëkate të mëdha.

Me rregullat e reja në kurriz të dogmës, Belinda artiste, estravagante, as u largua me buzët e lëngëzuara e epshin e pa shuar për rrush, as e thartoi gojën me aguridhe.

Guxoi heroina ta perkulë një degë pushteti, të vjelë veshë rrushi me të dyja duart dhe t’i thotë publikisht Altin Dumanit, “t’i këpus duart si vilëza rrushi, po ma preke me gisht hardhinë”.

Asnjë rregull nuk thyhet pa guxim.

Megjithatë, ne sot shkruajme më lehtë se ata që vazhdojnë të vjedhin përmes sakrificave, pasi Edi Rama është lehtësuar nga pesha dhe rënduar nga truri.

Peshën Bablokut ja kanë zvogëluar Tony Blair, Charles McGonigal, Yuri Kim që ja njeh mirë çdo kokërr rrushi dhe ca rusë, turq e kinez, që janë zgërlaqë duke ngrënë rrush nga pjergulla e tij.

Por fabula për sot është, se fshatarët janë të uritur, të zemëruar, pasi fidanët po mbarojnë në këtë cep të Ballkanit, dhe janë të bindur se po po, edhe Belinda e ka ngrënë rrushin e Edi Ramës./Pamfleti

belinda ka ngrënë rrush edi rama