Anti-Mafia16 Prill 2024, 15:23

PS “dënoi me kusht” Kushtetuesen: Mos e zgjat më çështjen “Xhaçka” dhe kujdes me të tjerat!

Shkruar nga Pamfleti
PS “dënoi me kusht” Kushtetuesen: Mos e zgjat më
Rama-Xhaçka

Tregues të pazarit Berisha-Rama, janë këto dy qëndrime të Foltores: Gazmend Bardhi, deklaroi se nuk do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e PS për mandatin e Olta Xhaçkës; dhe nuk po e kallëzon në SPAK, për përfitim në konflikt interesi e bashkëpunim me burrin, në vjedhjen e tokës me dokumente false...

Me urdhër të Edi Ramës, mazhoranca rrëzoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke mos i hapur rrugë shqyrtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, lidhur me konfliktin e interesit dhe papajtueshmërinë ligjore, në përfitimin pronës publike dhe statusit “Investitor Strategjik”.

Deputetët dhe mediat e Foltores, po e trajtojnë mbrojtjen e Olta Xhaçkës dhe shpëtimin e mandatit të saj, si shërbim brenda llojit në PS, ngaqë ajo është ish-bashkëjetuese e Olsi Ramës dhe mbesë e një ish-drejtuesi të lartë të PS, i cili ka dhe djalin deputet.

Ndërsa PS po e servir mbrojtjen e Olta Xhaçkës, si zbatim korrekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese; madje ditën e hënë, të njëjtën gjë e përsëriti kreu i grupit parlamentar, Bledar Çuçi.

Kjo është fasada e qëndrimit të PS e Foltores, por përmbajtja ka lidhje me marrëveshjen Rama-Berisha, që me këtë rrëzim vendimi, kanë nisur goditjen e institucioneve të drejtësisë së re, për t’i trembur dhe tjetërsuar mekanizmat në duart e tyre.

Këtë skenar e nisën me Gjykatën Kushtetuese, duke mos i zbatuar vendimin: Foltorja në rolin e aktorit që gjoja kërkon bindjen ndaj drejtësisë; dhe PS që gjoja zbaton çdo vendim të drejtësisë.

Në këtë rast, nuk është thjeshtë çështja e mandatit të Olta Xhaçkës, sepse ajo ikte nga parlamenti me një mesazh të Edi Ramës; ose në të kundërt, Edi Rama do të detyrohej ta çonte në Kushtetuese, me ri-nisje të rebelimit të Foltores në parlament.

Por Foltorja nuk ka do të hedhë më tymuese në Parlament, gjë që dëshmoi, me votimin në grup të gjithë projekt-ligjeve të tjera në seancën e mandatit të Olta Xhaçkës; ndërsa pas votimit kundër vendimit të Kushtetueses, Foltorja “uli veshët” dhe bënte lojëra fjalësh para mediave.

Me këtë aktrim, PS dhe Foltorja, zbatuan marrëveshjen Rama-Berisha, për t’i dhënë goditjen e parë Gjykatës Kushtetuese, duke e “dënuar me kusht” që të mos merret më tej me dosjen “Xhaçka” dhe me asnjë çështje tjetër, që prek interesat e klaneve partiake-mafioze.

Ndryshe, Parlamenti që po krijon Komisionin Special për kontrollin e institucioneve të drejtësisë dhe ka fuqinë e emërim-shkarkimeve, paralajmëron se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, mund të shkarkohen me një mocion të kërkuar nga një grup deputetësh e shumicë votash.

Ose i nxjerrin jashtë loje, me “kartën rezervë” që Edi Rama e Sali Berisha kanë në dorë, duke kaluar në vetting, 6 anëtarë të Kushtetueses, që janë emëruar pa kaluar fare në proces vetingu, ndërsa për të gjithë të tjerët, kanë dokumente për zullumet e bëra gjatë drejtësisë së vjetër.

Pra, PS shpërfilli e goditi Gjykatën Kushtetuese që është drejtësia sipërore e shtetit, si mesazh konkret për SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, KLGJ, KLP e ILD, se për këtë sundim politik, ata janë “kurbanë” të mundshëm nëse nuk i binden sundimtarëve të politikës.

Tregues të pazarit Berisha-Rama kundër drejtësisë së re, për ta futur nën kontroll duke e goditur, janë dy qëndrime të Foltores:- Nuk do ta çojë në Kushtetuese vendimin e PS për mandatin e Olta Xhaçkës; dhe nuk po e kallëzon në SPAK, për përfitim në konflikt interesi as burrin e saj, për vjedhjen e tokës me dokumente false, madje nuk po flet më për Jorgo Goron. /Pamfleti