Politike25 Maj 2024, 21:16

Pse është trembur sërish Berisha dhe a po i hap Altin Dumani tjetër dosje?

Shkruar nga Pamfleti
Pse është trembur sërish Berisha dhe a po i hap Altin Dumani

Ka frikë në familjen Berisha se dosja e Kompleksit Partizani është maja e ajsbergut. Mund të ketë shumë çështje të tjera që prekin fëmijët e ish-kryeministrit dhe kjo është frika e tij më e madhe...

Sali Berisha ka rinisur luftën nga shtëpia me Altin Dumanin. Pas zbutjes së retorikës, ose ndoshta lodhjes me të njëjtat akuza. Berisha këtë herë duket se ka shkuar më thellë, duke gërmuar tek e shkuara e Altin Dumanit.

Ashtu si për Irena Gjokën, mësohet se Berisha ka pajtuar njerëz për të kërkuar gjithë karrierën e Dumanit, madje që kur ai ka qenë student. Irena Gjokës i gjetën një defter nga Greqia dhe përmes tij po tentojnë ta largojë nga procesi gjyqësor. Mirëpo tek Altin Dumani u ka ngecur sharra në gozhdë. Dumani nuk ka asnjë cen në karrierën e tij dhe Berisha duket se ka filluar t’i bëjë atij bilancin e punës.

Për herë të parë, Berisha sot e pranoi se dikur e vlerësonte Dumanin, por tani që ai e ka izoluar në banesë, nuk është më i mirë.

Kur Berisha ishte kryeministër, në vitin 2008, Kryeprokurori i asaj kohe Dhori Sollaku ngriti një Task Forcë Antikorrupsion dhe në krye të saj u vendos Altin Dumani. Task-Forca u ngrit për të rritur bashkëpunimin me qeverinë. Sot Sali Berisha doli në një konferencë shtypi nga shtëpia dhe i bëri bilancin e punës Dumanit, kur punonte gjatë qeverisë së tij dhe sot.

Në vitin 2008 u dërguan në gjykatë gjithsej 154 çështje. Në vitin 2023 u dërguan në gjykatë gjithsej 38 çështje. Pra 4 herë më pak. Kurse të marra së bashku, në dy vitet 2022-2023, u dërguan në gjykatë 95 çështje, kundrejt 365 çështjeve që u dërguan në gjykatë në vitet 2008-2009. Normale është të dini se sa u dënuan, sa persona u dënuan për veprën e korrupsionit për vitin 2008-2009, u dënuan gjithsej 630 punonjës, kundrejt 199 punonjësve që u dënuan në vitet 2022-2023. Pra një rënie prej 300% të penalizimeve nga gjykatat për korrupsion, siç ishte dhe rënia me dërgimin e dosjeve”, tha ai.

Por pse ky rifillim i sulmeve? Pse Berisha riaktivizoi armatën e goditjeve?

Në korridoret e SPAK po flitet se ka shumë dosje të reja të hapura dhe po ashtu janë thelluar hetimet ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij. SPAK ka në dorë Gërdecin, ku del djali i Berishës. Po ashtu kemi dosjen e CEZ dhe kemi disa padi të tjera kundër Berishës. Më e forta është ajo e familjes Haklaj. Mos ndoshta SPAK shumë shpejt mund të ketë surprizë për Berishën apo familjen e tij?

Sulmet e tij janë të rakorduara me nxjerrjen në skenë të Argita Berishës. Dje ajo doli në një konferencë për mediat dhe deklaroi se nëse ja nxjerrin babanë nga politika, do hyjë ajo në parti. Pra PD do vijojë të përdoret si mburojë.

Me pak fjalë, ka frikë në familjen Berisha se dosja e Kompleksit Partizani është maja e ajsbergut. Mund të ketë shumë çështje të tjera që prekin fëmijët e ish-kryeministrit dhe kjo është frika e tij më e madhe. Për vite me radhë, Berisha ka luftuar për të mbajtur fëmijët larg burgut, pasi vetë e di se është i moshuar dhe nuk merret kush me të. /Pamfleti