Politike13 Qershor 2024, 21:02

"Rikthimi i Berishës dëmton opozitën", Kadilli: Krijimi i partisë së re nga Basha nuk sjell asnjë dobi

Shkruar nga Pamfleti

"Rikthimi i Berishës dëmton opozitën", Kadilli: Krijimi

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli tha se Sali Berisha dëmton opozitën ndërsa Lulzim Basha është i padobishëm.

Duke komentuar mundësinë e krijimit të një partie të re nga Basha, pas Apeli i dha vulën e PD-së Berishës, Kadilli tha se ky hap nuk do t’i sjellë asnjë dobi Partisë Demokratike.

Kadilli u shpreh se krijimi i një partie të re do të ishte një zgjidhje për hallin personal të Bashës por jo një mundësi e mirë për qytetarët. Ai shtoi se opozitës i duhet një propozim i ri, me një figurë që nuk është e konsumuar për vite në politikë.

“I kam parë që kur ishin bashkë dhe kur u ndanë. Dhe sot gradualisht provohet ajo që kam ndjerë dhe ua kam thënë në të dy kuvendet e tyre, që njëri është i dëmshëm dhe tjetri i padobishëm. Kthimi i Berishës është i dëmshëm për opozitën sepse i vret të ardhmen dhe Basha ka provuar se është i padobishëm si kryetar. Kështu që bën apo jo partinë, nuk do të krijojë dobi për sa kohë partia bëhet për të gjetur një zgjidhje situatës personale të Bashës. Situata e opozitës kërkon një propozim të ri, dhe nuk mund të jetë propozim i ri nga njerëz që e kanë konsumuar veten kaq gjatë me të gjitha instrumentat e nevojshme politike. Kishte një parti të madhe, i rrëshkiti si rërë nëpër gishta. Si mund të bëjë dobi për publikun. Se qytetari i thjeshtë nuk do të dijë a do të ketë një mandat të ri Kadilli apo tjetri.

Qytetari do të dijë a do të ketë një shans që të ketë një Shqipëri më të mirë dhe më të drejtë. Si bëhet? Ka një zgjidhje të re politike dhe kjo nuk vjen dot nga ai që ka kontribuuar që të jetë këtu ku është për 33 vjet apo ai tjetri që ka 20 vjet. Gati 11 vjetësh në krye të PD, Basha nuk ka çfarë të japë më dhe e shkërmoqi. Iu shkri si akullore në dorë. Nuk e lëpiu dot”, tha Kadilli për “Abc News”.