Politike15 Qershor 2024, 22:58

Sali Berisha, me sytë te Grenell dhe Trump!

Shkruar nga Pamfleti

Sali Berisha, me sytë te Grenell dhe Trump!

Berisha shpreson se me zgjedhjen e Trump president do të ndryshojë dhe qasja e amerikanëve ndaj drejtësisë dhe do t'i hiqet “non grata”.

Sali Berisha ja doli të marrë kreun e PD, pas një beteje të gjatë me Bashën dhe Amerikanët. Vendimi i Apelit duket se ndryshon shumë balancat në politikë, teksa godet dhe qëndrimet e amerikanëve, të cilët luftuan fort që Berisha të dilte nga politika.

Por pavarësisht se mori vulën, Berisha ka shumë halle të tjera: Djegia e mandatit, arresti shtëpiak, hetimet e SPAK dhe mbi të gjitha “non grata” amerikane. Pra, janë një sërë elementesh që e penalizojnë në zgjedhjet e 2025, nëse ai vendos të jetë pretendonte për kryeministër.

Por sipas informacioneve, Berisha i ka varur shpresat te zgjedhjet në SHBA. Në nëntor të këtij viti, amerikanët do të votojnë për presidentin e tyre dhe dy emrat kryesorë janë Joe Biden dhe Donald Trump. Berisha shpreson të fitojë ky i fundit.

Që kur u shpall i padëshiruar nga amerikanët, Berisha ka sulmuar administratën e Biden, me në krye Blinken. Ndërkohë disa herë ka ardhur në Tiranë Richard Grenell, i cili i ka dalë në mbrojtje Berishës. Grenell shpreson që të zgjidhet Sekretar Shteti nëse Trump fiton zgjedhjet dhe nëse ndodh kjo, i ka premtuar Berishës se do të anulojë “non gratën”.

Po ashtu, Berisha shpreson se me zgjedhjen e Trump president do të ndryshojë dhe qasja e amerikanëve ndaj drejtësisë. Edhe pse kjo ka shumë pak gjasë të ndodhë, pasi reforma nisi kur Trump ishte president, Berisha pret që falë ndikimit amerikan t’i shpëtojë ndëshkimit.

Mësohet se kjo do të jetë dhe skema që do të ndiqet nga Berisha dhe të besuarit e tij, për të bindur demokratët se Trump do të fitojë dhe Berisha do të rikthehet si “shpëtimtar”. Të shohim se çdo të ndodhë në SHBA, por Berisha duhet ta dijë se edhe nëse fiton Trump, ai e merr detyrën në mes të janarit dhe administrata nuk ka gjasë të ndryshojë para zgjedhjeve të 2025. /Pamfleti