Editorial10 Prill 2024, 12:00

Sinjali i fortë i BE ndaj Edi Ramës dhe ‘cunami’ që pritet të trondisë Tiranën në fund të prillit

Shkruar nga Pamfleti
Sinjali i fortë i BE ndaj Edi Ramës dhe ‘cunami’ që
Sivio Gonzato dhe Altin Dumani /

Mesazhet politike kundër SPAK-ut, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, kanë vënë në alarm Perëndimin…

Takimi i djeshëm i ambasadorit të Bashkimit Europian Silvio Gonzato me Altin Dumanin, ishte një sinjal i fortë diplomatik i Perëndimit, pas miratimit të amnistisë nga allish-verishi Rama-Berisha.

Amnistia e sapomiratuar është një karshillëk i hapur ndaj SPAK dhe Perëndimit, pasi nxjerr nga burgu dhe paraburgimi, një numër të rëndësishëm zyrtarësh që janë arrestuar dhe nën hetim për vepra penale të korrupsionit.

Janë më shumë se 6 nene të Kodit Penal që lidhen me korrupsionin që janë amnistuar nga Parlamenti, e si pasojë pritet që javën e ardhshme të dalin nga burgu një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të nivelit të ulët.

Edhe pse nuk prek ‘kokat e larta’, ky është një mesazh politik që i bëhet SPAK-t nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, se dosjet penale mund të zhbëhen nga vendime politike.

E pikërisht në këtë atmosferë, ambasadori Gonzato ka takuar Altin Dumanin, duke i dhënë një shuplakë të fortë Edi Ramës.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, ku ka ndarë edhe foto nga takimi, Gonzato thekson se SPAK duke hetuar korrupsionin e nivelit të lartë, është një lojtar kyç në progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve të zgjerimit të BE-së.

“Duke hetuar dhe ngritur padi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar në Shqipëri, SPAK është një lojtar kyç në përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve të zgjerimit të BE-së”, ka shkruar Gonzato.

Pra në mënyrë direkte, BE i bën të ditur Edi Ramës se nuk është as qeveria, as Kuvendi, e as administrata faktori që ndikon në përparimin drejt BE-së, por vetëm SPAK. Një institucion që financohet, mbrohet e monitorohet direkt nga SHBA dhe Evropa.

Manovra e Ramës dhe Berishës, duket qartë se është një lëvizje që ka përfituar nga mungesa e një ambasadori fuqiplotë të SHBA në Tiranë, i cili siç e kemi parë në vite, ka fuqi të forta nga Presidenti i SHBA për të shpërndarë mesazhe politike të nivelit të lartë.

I ngarkuari me punë, siç është diplomati i njohur David Wiznesr, nuk e ka mundësinë që të përçojë me të njëjtën fuqi, siç kanë bërë Donald Lu edhe Yuri Kim. Ndaj në këtë vakum deri në miratimin e ambasadorit nga Senati i SHBA, që mund të vonojë edhe disa muaj, Edi Rama e Sali Berisha po përfitojnë që të shantazhojnë SPAK.

Një burim diplomatik europian i tha ‘Pamfleti’-t, se “ka të dhëna shqetësuese se mbi prokurorë të veçanë të Prokurorisë Speciale, po bëhet një presion i hapur”. Raportet mbi këtë presion janë dërguar si në Uashington, e Bruksel, ashtu edhe në Londër e Berlin.

Javën e ardhshme mbërrin në Tiranë një zyrtar i rëndësishëm gjerman, i cili do të sjellë një mesazh të drejtëpërdrejtë nga kancelari Olaf Schols për kryeministrin Edi Rama.

Një mesazh, që do t’i vijë Bablokut nga Uashingtoni në fund të muajit, prill, kur pritet të hapë SPAK një hetim të fortë ndaj zyrtarëve të lartë.

Javën e ardhshme ka mbërritur gjithashtu në Tiranë një ekip special i FBI, i cili po punon së bashku edhe me DEA-n për gjetjen e parave të lidhura me mafien ndërkombëtare të kokainës. E ky mësohet se do të jetë bumi i radhës i SPAK që do të shkaktojë ‘cunami’ në Tiranë./Pamfleti