Politike13 Prill 2024, 12:18

SPAK po i heton pasurinë, Ilir Meta 'i hap rrugë' arrestimit të Monikës: Kjo nuk përbën asnjë interes për mua!

Shkruar nga Pamfleti
SPAK po i heton pasurinë, Ilir Meta 'i hap rrugë' arrestimit
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Kryetari i Partisë Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat ditën e sotme tha se hetimet e SPAK për pasurinë e Kryemadhit, nuk kanë interes për të.

Me këtë deklaratë Meta i ka dhënë shtysë fjalëve të ditëve të fundit, se bashkëshortja e tij mund të arrestohet.

“Kjo nuk përbën asnjë interes për mua. Ajo është një zonjë e mrekullueshme dhe gjithçka tjetër është politikë dhe asgjë tjetër. Nuk kam asnjë informacion. Sa herë kam qenë në SPAK, kam dalë para gazetarëve. Sa herë të më ftojnë do u bëj dhe disa pyetje serioze prokurorëve. Kanë kërkuar dhe një mandat tjetër”, tha Meta.

Vetë Kryemadhi dha një mesazh në dukje të çuditshëm në Parlament teksa fliste për mandatin e Olta Xhaçkës këtë javë.

“Më vjen keq si grua që ne gratë ndonjëherë bëhemi “mish për top” për burrat por ‘Karma is a bitch’ Olta. Çfarë të mbjellim do të korrim”, tha ajo teksa fliste për aferën e burrit të Olta Xhaçkës, Artan Gaçi.

Deputetja e Partisë së Lirisë, ka pranuar se është në hetim pasuror nga Prokuroria e Posaçme. Nisjen e hetimeve nga SPAK për pasurinë, Kryemadhi e ka justifikaur për shkak të denoncimeve që ajo ka bërë për aferën e inceneratorëve.

Pasuria e Metës dhe Kryemadhit

Nëse shohim deklarimet në ILDKP rezulton se ata kanë pasuri sheikësh. Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Vlera në atë kohë është deklaruar 60 mijë dollarë, ku thuhet se janë marrë kredi. Por ajo që u ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi.

Edhe pse në deklaratën pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit. Ndërkohë në deklarimin më të fundit, Kryemadhi ka shitur 3 prej apartamenteve të saj.

Po ashtu Meta e Kryemadhi kanë deklaruar një banesë në kryeqytet me sipërfaqe 200 metër katror me vlerë 400 mijë euro.

Pjesë e deklarimit është dhe 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Nuk duhet harruar shtëpia te Gjiri i Lalëzit. Shtëpia e tyre në bregdet është bërë gjithmonë objekt debati dhe sipas deklarimeve në ILDKP, bëhet fjalë për një banesë dy katëshe me sipërfaqe 317 metra katrorë në Gjirin e Lalzit. Sipas deklarimit, burimi është këmbimi me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrorë, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën Agi-Kons shpk, si përfitues 33% të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli. Edhe 13 apartamentet janë përfituar po nga kjo kompani. 

Nëna e Kryemadhit në SPAK

Fatime Kryemadhi, nëna e deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi këtë javë është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.

E pyetur nga gazetarët në lidhje me atë se çfarë ka deklaruar, Fatime Kryemadhi tha se është pyetur për një shtëpi.

Kryemadhi është marrë në pyetje si person që ka dijeni, dhe gjatë përgjigjeve për gazetarët la të kuptohej se i është sekuestruar edhe telefoni celular.

"Unë jam mamaja e Monikës, sqarova për pronën. Jam krenare për vajzën që kam. Se mohoj edhe sikur për lehtësi, e di pse është kjo punë, që kur filluan të merren me djegësat ajo këta filluan duke bërë...

Një lutje kam për gazetarët... Kam shumë respekt, mos shkruani se çfarë u thonë njerëzit që blihen apo që bëjnë luftë politike, verifikoni gjërat", tha ajo.

Dosjet e Metës dhe Kryemadhit në SPAK

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta kanë disa dosje volumizone në SPAK. Dosja e cila tremb më shumë ish-presidentin është padyshim ajo e aferës CEZ-DIA. Ndaj tij ka pasur një padi nga juristi Romeo Kara dhe SPAK pak kohë më parë e mori dhe në pyetje.

Një dosje tjetër që po hetohet është ajo e lobimeve në SHBA. Dyshimet janë se kur Meta ishte kryetar i LSI ka shpenzuar afro 500 mijë dollarë për lobime në SHBA, para që nuk janë deklaruar askund. Madje kjo shumë ka shumë mistere se nga e ka prejardhjen.

Po ashtu SPAK po heton Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për ndërhyrjet e shumta estetike. Faturat e publikuara tregojnë se ata kanë shpenzuar afro 300 mijë euro për dobësim dhe ndërhyrje të tjera, por që nuk janë deklaruar në ILDKP shumat në fjalë.

Ndaj tyre ka dhe dy padi, një për fshehje pasurie dhe një për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Padi të bëra nga ish-deputeti Halit Valteri dhe gazetari Adriatik Doçi.

Ndërkohë ishte po Halit Valteri që bëri një padi për dokumentet që qarkulluan se Monika Kryemadhi ka marrë para nga rusët. Janë shumë dokumente dhe shumë fatura bankare që ngrenë mjaft pikëpyetje./Pamfleti

meta kryemadhi