Politike19 Prill 2024, 11:04

Vuçiç - një person i jashtëligjshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës

Shkruar nga Sadri Ramabaja

Vuçiç - një person i jashtëligjshëm në

Ku dallon presidenti serb nga Cari rus?

Ka dymbëdhjetë vite që Perëndimi e ka imponuar të ashtuquajturin dialog mes Kosovës dhe Serbisë, madje pa përfillur as vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që përmes opinionit të saj, kishte mirëpritur të drejtën e Kosovës për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe rrjedhimisht të drejtën që të bënte jetë aktive si shtet sovran.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga 117 subjekte të të drejtës ndërkombtëare – anëtarë të OKB-së, nga shumica e demokracive liberale perëndimore, sikur nuk po bënte përshtypje tek një lagje shtetesh që shihnin tek Serbia faktorin stabilizues në rajon!

Përgjatë krejt farsës së dialogut, Brukseli ia kishte arritur, sidomos me Marrëveshjet e vitit 2013 dhe asaj të 2015-ës, të krijonte rrethana për rikthimin e Serbisë në Kosovë, respektivisht imponimin e pranimit gradual të ndarjes së veriut, si zgjidhje racionale dhe si kompromis i duhur!

Diplomatët perëndimor duket se së fundmi kanë filluar ta kuptojnë se sentenca që kishte shprehur ekspertja franceze mbi Rusinë, për Putinin, Françoise Thom se “armiku i tij është universalizmi: Putini është një i jashtëligjshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës”, vlen edhe për Vuçiç.

Vuçiç natyrisht nuk mund të luante arrogancën e Putinit me diplomatët perëndimor, presidentë e shtetarë perëndimor, duke i lënë të prisnin gjatë në zyrë ose tek zbatonte protokollin përbuzës, duke i ulur në fundin e “pa fund” të tavolinave të tij ovale, e duke i shpërfaqur këto tallje para publikut botëror. Përkundrazi, Vuçiç do të aplikonte filozofinë tradicionale tipike serbe të mashtrimit, komunikimit me kode të dyfishta dhe premtimeve pa mbulesë. Perëndimorët të cilët nuk e njohin kulturën e mashtrimit e vajtimit serb, sjelljet tipike bizantine të saj, e vetëkuptueshme se nuk do të arrinin asnjëherë të deshifrojnë mesazhet, prandaj bien vazhdimisht pre e saj, e lajthiten.

Vuçiç duke mos i zbatuar kurrë marrëveshjet e arritura në Bruksel, madje duke përshkallëzuar edhe publikisht objektivin për krijimin e “Botës serbe” dhe rishikimin e plotë të hartës politike të rajonit, duket se po rrezikon ndërhyrjen e rreptë të Perëndimit për parandalimin e një lufte të re në Ballkanin Perëndimor.

Krerëve të shtetit mafioz serb ju pëlqen megjithatë ta prezantojnë Serbinë sy e faqe botës si demokraci parlamentare me orientim evropian, madje nuk ngurrojnë që të hartojnë strategji e të

bëjnë kërkesa për aderim në BE!

Në këtë kuadër nuk e fshehin përkushtimin për gjoja shtet ligjor, demokraci parlamentare… Prandaj organizojnë aq shpesh zgjedhje parlamentare, simulojnë shkëmbimin e lirë të mendimit... Megjithatë, vendimet e rëndësishme nuk merren në Parlament e organe ligjore, në gjykata apo shoqëri civile, por në Vilat pushtetare e private në Dedinje apo në ato si ajo e Radojçiqit – si marrëveshje joformale.

Në Perëndim, tani, pas sa e sa viteve që shenohen masakrat serbe në Bosnjë e Kosovë, hartohen rezoluta për gjenocidin serb! Gjatë luftës në Kosovë qytetarët evropian reaguan me indinjatë ndaj krimeve shtetërore të Serbisë, duke imponuar e përligjur madje edhe ndërhyrjen e NATO-s. Pavarësisht kësaj në këtë çerek shekulli pas luftës në Kosovë, Shërbimi sekret serb [BIA] me tortura monstruoze pengon vetëdijësimin e qytetarëve serb për gjenocidin në Kosovë. Rasti si u trajtua në torturë opozitari Nikolla Sanduloviç, flet shumë për këtë stil veprimi të shtetit mafioz serb./Pamfleti

vuçiç një person i jashtëligjshëm putin