Aktualitet30 Gusht 2019, 19:30

Prapaskenat oligarkiste të marrëveshjes Hysenbelliu-Balla dhe kontrata 380 mijë euroshe shpërblim si pagë vjetore për gaze

Shkruar nga Pamfleti
Prapaskenat oligarkiste të marrëveshjes Hysenbelliu-Balla dhe kontrata

I paprecedent rasti i News 24 dhe pronarit të saj, Irfan Hysenbelliu, për të dhënë publikisht shpjegime në lidhje me ndryshimet, shitjet dhe blerjet televizive sezonale, lëvizje, normalisht, krejt të zakonta për një televizion në prag sezoni të ri, qoftë ai edhe televizion informativ. Sot News 24 publikoi një deklaratë në të cilën thuhej pak a shumë, se ato çfarë po përfliten pas largimit të Adi Krastës nga News 24 nuk janë as më shumë e as më pak, por “sulme mediatike”. Sulme mediatike të kujt dhe për çfarë qëllimi? Këtë përgjigje deklarata zyrtare nuk e ka cekur asfare, por është mjaftuar me një hartim mbi kontratën që ky televizion ka me shikuesit dhe mbi faktin se reagime të tilla e kanë burimin me interesat e ngushta politike të biznesit apo logove të tjera në konkurrencë me ta.

Pra News 24 është sulmuar për shkak të xhelozisë!

Mirëpo fakti i pandryshueshëm është se Adi Krastës iu pre kontrata dhunshëm dhe pa shpjegime. E vërteta është se përgjatë gjithë sezonit të kaluar, ish-drejtori i News 24, Andi Tela, ka bërë tratativa të vazhdueshme (por të pasuksesshme) me moderatorin e njohur, par exellence, ndofta më i miri në vend, për ta zbutur gjuhën kundër qeverisë e për të ndenjur urtë. Adi është munduar të kompromentohet me të gjitha mënyrat, por pa sukses, dhe ky është veç  njëri prej faturimeve që pronari i këtij televizioni i ka adresuar tashmë ish-drejtorit Tela. Por ndërkohë që Tela vazhdon të jetë pjesë e grupit mediatik të Irfan Hysenbelliut, Adi u përcoll ashtu siç përcillen zërat kundër në një vend diktatorial. Dhe siç e dini, ai nuk është rasti i parë.

Por cilat janë arsyet e gjithë kësaj situate?

Çfarë ndodhi që ia ndryshoi mendjen Irfan Hysenbelliut që deri para pak muajsh televizionin e vet e kishte absolutisht një zë kundër qeverisë së Ramës. Butë dhe nga pak çdo ditë, por ishte kundër.

Ndodhi zbatimi i një skeme aspak të panjohur në fakt. Irfani hidhte helm herë pas here kundër qeverisë në mënyrë që të përgatiste terrenin për të marrë mbrapsht një bakshish të majmë nga e njëjta qeveri. Doli kundër për tu thënë, “më fusni në listën e të shpërblyerve” dhe kur kushtet u poqën, kur Rama vendosti ta fuste në rrethin e vet të oligarkëve, Irfani ndryshoi flamur. Ndërmjetësi është prezantuar bujshëm pikërisht sot. Shoqëruar me foto pompoze, vetë Irfani u shfaq në mediat e tij, nëpër foto duke prezantuar Sokol Ballën si “blerjen” më të mençur të këtij sezoni. E pra Balla nuk është rastësisht aty, pikërisht në këtë vend dhe pikërisht në këtë kohë.

Sokol Balla do të jetë banka e sigurisë së Irfan Hysenbelliut, një bankë që do të mbushet pak e nga pak nga ish-bashkëshortja e gazetarit, një nga ministret më me pushtet në qeverinë Rama, Belinda Balluku. Dhe prova e parë për këtë është paga që Irfan Hysenbelliu i ka ofruar blerjes së tij të fundit: 380 mijë euro pagë vjetore ka firmosur Sokol Balla për një emision që deri më sot nuk ka qenë ndonjëherë më i shikuari. Një shumë kurrë e dëgjuar më parë. Para që do të shkojnë në llogarinë e Ballës, por jo vetëm si fitim i tij personal. Kjo është forma që dyshja Balluku-Hysenbelliu kanë vendosur për shpërblimet me tendera dhe PPP që qeveria do ti japë biznesmenit, në këmbim të ndryshimit të politikës editoriale të mediave të tij.

Hysenbelliu do t’ia paguajë ish-burrit një pjesë të rryshfetit për ato që i janë premtuar të marrë nga paratë publike. Një skemë e menduar mirë në mënyrë që askush të mos ketë dyshime, edhe pse petët e lakrorit do të hapen një nga një kur të dëgjojmë në të ardhmen lajmet për një tjetër oligark në Shqipëri, ylli i të cilit sapo ka filluar të ndriçojë.

Kjo është arsyeja që Irfani gaboi me deklaratat krejt të panevojshme shpjeguese për lëvizjet e tij. Ai po mundohet të mbulojë gjurmë që nuk i mbulon dot duke kontribuar kështu në vendosjen e një tjetër guri në shtetin diktatorial të Ramës, që ka 6 vjet i instaluar tashmë.

Një zë i lirë është goditur këtë sezon, ai është zëri i Adi Krastës që nuk bënte tjetër veçse tregonte publikisht disa të vëreta. U shua një zë dhe lindi një oligark ndërsa gazetari Sokol Balla do të mundohet të fitojë lavdinë e një suksesi profesional që nuk ka mundur ta shijojë kurrë./Pamfleti   

Dossier kontrata 380 mijë euroshe shpërblim si pagë vjetore për gazetarin Prapaskenat oligarkiste të marrëveshjes Hysenbelliu-Balla