Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Shijak, ku hapi edhe thesin e premtimeve. Bëhet fjalë për të njëjtin “thes”, që të politikanët e përdorin prej 30 vitesh, ku thonë se me anë të qeverisjes do garantojnë furnizimin me ujë në 24 orë.
“Me buxhetin e ri që kemi marrë, ujit i është dhënë një vëmendje e veçantë, pasi ne na është miratuar nga Ministria e Financave rreth 85% e nevojës që ne kërkuam dhe kjo është një shifër shumë e lartë. Ne do jemi eficent dhe të gjitha kantieret do dorëzohen para afatit dhe kjo është e rëndësishme”, premton Balluku.
Ministrja vazhdoi duke thënë se kantieret për ndërtimin e ujësjellësve të rinj janë shtrirë në të gjithë vendin, ndërsa me buxhetin e ri, duke nisur nga pranvera e vitit të ardhshëm, do të hapen edhe 70 kantiere të rinj. “Përfundimi i të gjithë këtyre investime, do të garantojë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha zonat urbane në vend, si dhe për 200 zona rurale”, janë premtimet që çdo shqiptar i di përmendesh.
Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana tha se mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm ka qenë një shqetësim për banorët e kësaj bashkie. Ai është i bindur se me Belinda Ballukun ky problem do marrë zgjidhje dhe banorët e tij nuk do ankohen më për ujë.