Bota16 Maj 2019, 19:27

Prishtina e zhgënjyer nga mungesa e unitetit në BE për proceset në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti
Prishtina e zhgënjyer nga mungesa e unitetit në BE për proceset

Prishtina e zhgënjyer nga mungesa e unitetit në BE për proceset në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi me ambasadorët dhe shefat e misioneve ndërkombëtare, kërkoi unitet ndërkombëtar për Kosovën.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, takoi sot të gjithë ambasadorët dhe shefat e zyrave të BE-së në Kosovë duke iu shprehur atyre shqetësimin për mungesën e unitetit të BE-së kundrejt Kosovës. Presidenti u kërkoi ambasadorëve unitet për Kosovën, ndërsa e vlerësoi lart dhe e mirëpriti siç thotë “kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”, tha Presidenti Thaçi. Megjithatë sipas tij, “takimi i Berlinit as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”, pos kërkesës që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “në kërkim të një marrëveshjeje paqësore, që për Kosovën duhet të jetë marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese, që sjell njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Marrëveshje me të cilën ruhet substanca dhe karakteri shumetnik i vendit dhe shoqërisë, si dhe që hap rrugë integrimit në NATO dhe në BE”, u shpreh presidenti Thaçi.

Thaçi kërkon unitet tek ndërkombëtarët për Kosovën

“Shtetet anëtare të Bashkimit Europian, shtetet perëndimore në përgjithësi, të jenë më unike dhe më të qarta në këtë proces, në veçanti 5 shtetet e QUINT-it SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia”, tha Presidenti Thaci duke u shprehur ambasadorëve habinë e tij se “ishte i befasuar për të keq kur ka mësuar që për takimin e Berlinit nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Për takimin e radhës që do të mbahet me një korrik në Paris, Presidenti tha se ai shpreson që takimi në Paris do të jetë më mirë i përgatitur dhe vendet anëtare të BE-së të jenë më unike dhe takimi të ketë substancë.

“Kosova në këtë takim do të jetë unike dhe do të përfaqësohet nga liderët e institucioneve, nga Delegacioni Shtetëror për Dialogun dhe se platformë e delegacionit kosovar në këtë takim do të jetë rezoluta e Kuvendit të Kosovës”.

Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt ndërkaq, e thekson qartë se “kushti i Kosovës është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave me Serbinë, “do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”.

Platforma e Prishtinës për dialog që ka 11 parime paraqet edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës, ku thuhet se “marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi”.

“Qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në rezolutë që më vonë u shndërrua në ligj për dialogun.

Haradinaj nuk ka besim tek Mogherini

Ndërmjetësuese në dialogun me Serbinë, ishte BE-ja përkatësisht shefja e diplomacisë evropianec Federica Mogherini. E kjo e fundit nuk e ka më besimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili pas mbledhjes së fundit të qeverisë së Kosovës, me (14.05) tha se “largimi i bisedimeve Kosovë-Serbi nga duart e shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, është veprim i duhur për ta mbrojtur Kosovën nga ndarja e saj”. Sipas Haradinajt, “idetë për ndarjen e Kosovës kanë bërë që nivele të larta të Bashkimit Evropian ta zhvendosin procesin e bisedimeve në takimin e muajit të shkuar në Berlin dhe në takimin e Parisit që pritet të zhvillohet në muajin korrik.

“Federika Mogherini tha në Tiranë, hiqeni taksën dhe do t’ua ndaj Kosovën menjëherë, i ra ashtu (kështu u kuptua, shën red.) sepse tha, sapo ta hiqni taksën do ta thërras takimin. Faleminderit Zotit që kemi qëlluar disa në vend që t’i shohim këto projekte me kohë. Taksa nuk hiqet. Mogherini e ka përfunduar mandatin e vet. Evropianët janë ata që ja japin rrogën Mogherinit sepse ata e paguajnë, është zyrtare e tyre, ata ja kanë larguar një herë këtë agjendë dhe na kanë bërë nder të madh si Kosovë, i falënderojmë shumë pastaj e vlerësojnë vet si të shkohet më tutje” tha kryeministri Haradinaj, duke lënë të kuptohet për rolin e Gjermanisë dhe kthimin e vëmëndjes së shtetit gjerman nga rajoni dhe Kosova. Ai tha se takimi i Berlinit dhe takimi që do të ndodhë i Parisit “nuk e përjashtojnë rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi”.

“Amerika nuk është tërheq asnjëherë, janë disa prononcime këtu për qëllime ditore se si samiti i Berlinit ose takimi i Parisit është përjashtim i Amerikës. Nuk është Amerika dikush që përjashtohet prej proceseve. Amerika e vlerëson vet kur është momenti i duhur të ndërhyjë e të marrë përgjegjësi.”, tha kryeministri Haradinaj.

Sidoqoftë, sa i përket taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe kushtit të saj që të hiqet kjo taksë në mënyrë që të pranojë ta vazhdojë dialogun me Kosovën, edhe Presidenti Hashim Thaçi edhe kryeministri Ramush Haradinaj, njëzëri thonë se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet dhe nuk do të pranojnë kushtëzime të dialogut nga Serbia./DW

Rajoni Hashim Thaçi mungesa e unitetit në BE presidenti i Kosovës uniteti ndërkombëtar për Kosovën