Kosova17 Shkurt 2024, 09:58

Ceremonia për 16-vjetorin e Pavarësisë, Kurti dhe Osmani: Jemi më të fortë se kurrë

Shkruar nga Pamfleti

Ceremonia për 16-vjetorin e Pavarësisë, Kurti dhe Osmani: Jemi

Flamuri i Republikës së Kosovës është ngritur sot në oborrin e Qeverisë, për 16 vjetorin e Pavarësisë.

Pjesë e ceremonisë ka qenë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe ministra e përfaqësues të kabinetit.

Gjatë fjalës së tyre, krerët shtetërorë kujtuan sakrificën më sublime të atyre që dhanë jetën për liri, teksa theksuan se Kosova sot është më e fortë se kurrë.

Sipas Osmanit, në këto 16 vite, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe i ka dëshmuar botës se është kontribuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit edhe përtej kufijve të saj.

“Këto 16 vjet të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe ka vendosur për të treguar para botës se jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj. Dua t’i urojë të gjithë qytetarët e Kosovës sepse gjithsecili ka dhënë një kontribut për shtetin tonë, por në veçanti dua t’i kujtojë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, dhanë jetën e tyre, dëshmorët e kombit, të gjithë martirët tonë. Në këtë ditë kujtojmë vizionin e arkitektit të pavarësisë, presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve me në krye komandantin Adem Jashari”, tha Osmani.

Ndërkohë, për kryeministrin Albin Kurti, Kosova asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, e sigurt dhe demokratike. Pas ngritjes së flamurit, krerët shtetërorë shkuan për homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.