Kosova21 Shkurt 2024, 16:57

Debati për dinarin serb, Bislimi refuzon takimin me Lajçak: Shkeli parimet që vendosi vetë, nuk u dakordësua me palët

Shkruar nga Pamfleti

Debati për dinarin serb, Bislimi refuzon takimin me Lajçak: Shkeli

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka refuzuar ftesën nga Brukeli për pjesëmarrjen në takimin për Rregulloren e Re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila parashikon se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.

Ai tha se arsyeja që nuk do të marrë pjesë në këtë takim, është sepse çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, teksa shton se do të vendoset javën e ardhshme se kush do të shkojë në vend të tij.

“Jo nuk ka kurrfarë zhvillimi, ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për në Kosovë por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për dialogun. Do të shohim se kush do të shkojë”, tha ai.

Bislimi theksoi se për këtë takim nuk ka pasur dakordësim dhe akuzon emisarin evropian Lajçak se ka shkelur parimet që i kishte vendosur vetë.

“Lajçak më ka dërguar shkresën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua. Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelur parimet që ai i ka vendosur vetë sepse është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordësim parapak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021 që as një temë nuk vendoset në agjendë pa dakordësim të palëve”, u shpreh zëvendëskryeministri.